OEMVP: Rritja e çmimit të rrymës i rëndon bizneset dhe qytetarët, duhet të eliminohet

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) vlerëson se rritja e çmimit të rrymës elektrike për 7,42% paraqet vështirësi për bizneset dhe qytetarët dhe për këtë duhet që vendimi të eliminohet, njofton Portalb.mk.

“Vlerësojmë se në këtë periudhë krize, kjo rritje e çmimeve të energjisë elektrike paraqet vështirësi shtesë për bizneset dhe qytetarët. Kjo rritje potencialisht mund të destimulojë edhe më tepër prodhimin për shkak se rrit kostot prodhuese, ndërsa paralelisht ua rëndon buxhetin edhe qytetarëve dhe mund të ndikojë në nivelin e konsumit të përgjithshëm nëse këto çmime qëndrojnë për kohë të gjatë”, thotë për Portalb.mk, Durim Zekiri nga OEMVP.

Sipas tyre duke ndjekur shembujt e vendeve të zhvilluara evropiane, kur në këtë periudhë të krizës shëndetësore e ekonomike bëjnë lehtësime, vendimi për rritjen e çmimit duhet të eliminohet.

“Shumë shtete të zhvilluara të Evropës dhe më gjerë kanë bërë pikërisht të kundërtën, kanë ulur çmimet e energjisë elektrike me qëllim që t’ua lehtësojnë kompanive përballjen me krizën ekonomike të krijuar nga Kovid 19. Qëndrimi ynë është se duhet eliminuar çdo vendim që mund të rëndojë bizneset, dhe se pengesat e tilla vetëm prolongojnë daljen nga kriza e Kovid 19”, thotë Zekiri.

Komisioni Rregullator i Energjetikës së Maqedonisë së Veriut, nuk do ta ulë çmimin e rrymës elektrike për amvisëri, të cilin e rriti për 7,42% në mes të krizës shëndetësore e ekonomike, pavarësisht se qytetarët të cilët protestuan javën e kaluar i dhanë ultimatum që ta shfuqizojë rritjen dhe ta ulë çmimin e rrymës për 20% pasi që në të kundërtën do t’i bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve dhe nuk do të japin llogari për të bëmat e tyre. Nga ultimatumi kanë mbetur edhe 8 ditë pune.

“Të koordinuar bashkë për protestat dhe veprimet e mëtejshme në lidhje me shtrenjtimin e energjisë dhe problemeve tjera në këtë temë, sot në Tetovë u takuam këshillat organizues të protestave në Tetovë, Shkup, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë. Edhe pse anëtarët nga Kumanova nuk ishin fizikisht të pranishëm, ata janë të gatshëm të koordinojnë gjitha veprimet e tyre sipas asaj që jemi dakorduar sot në Tetovë. Po punojmë në ndërkohë në mobilizimin e Strugës dhe Manastirit. 9 ditë pune afat ju ka mbetur…”, ka njoftuar dje në Facebook, ArjanitXhaferi, pas mbajtjes së mbledhjes për koordinim të protestave.

Vendimi i KRRE-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike ishte skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button