Pompeo, “thellësisht i shqetësuar” për vendimet e Rusisë mbi mediat e huaja

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se Uashingtoni “është thellësisht i shqetësuar” nga përpjekjet e reja të Rusisë për të shënjestruar mediat e huaja që veprojnë atje. Në një deklaratë të lëshuar më 10 gusht, Pompeo ka thënë se drafti i një urdhri të publikuar nga rregullatori shtetëror i mediave në Rusi tregon për “disa kërkesa të rënda”, ndaj Radios Evropa e Lirë, Zërit të Amerikës, të cilat veçse përballen me “kufizime të mëdha”, shkruan REL.

“Jemi të shqetësuar nga shtypja e vazhdueshme e mediave të pavarura në Rusi dhe i bëjmë thirrje Rusisë të zbatojë obligimet dhe përkushtimin ndaj Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) për liri të shprehjes”, ka thënë Pompeo.

Rregullatori federal i mediave në Rusi, Rozkomnadzor, ka njoftuar në muajin korrik për një urdhër që u kërkon të gjitha mediave që janë të regjistruara si “agjentë të huaj” ta identifikojnë këtë fakt në materialet e publikuara apo të transmetuara.

Urdhri i ri do të plotësojë një ligj të vitit 2017, që shpall mediat e huaja si “agjentë të jashtëm”.

Pas miratimit të ligjit, Ministria ruse e Drejtësisë pati listuar Radion Evropa e Lirë, Zërin e Amerikës dhe televizionin, Current Time si “agjentë të huaj”.

Current Time është televizion në gjuhën ruse që drejtohet nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

Mospërmbushja e këtyre kërkesave është thënë se do të rezultojë me gjoba deri në 1,400 dollarë apo mbajtje të individëve për 15 ditë.

Organizatat do të mund përballen me gjoba në deri 70,000 dollarë.

Presidentja në detyrë e Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar, ka thënë më 23 korrik se urdhri i propozuar synon të kufizojë edhe më shumë mediat në Rusi, dhe mëton të shtojë frikën tek audienca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button