Takim ndërmjet Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit për formimin e Qeverisë

Zran Zaev, kandidati për kryeministër nga LSDM-ja sot zhvilloi takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, takime në kuadër të negociatave për formimin e qeverisë së re, pas mbajtjes së zgjedhjeve më 15 korrik, transmeton Portalb.mk.

“Më vjen keq se ende nuk ka përparim në bisedime. Sipas presidentit të shtetit sa jam i informuar, afatet tash më rrjedhin për dhënien e mandatit. Sipas kryetarit të Kuvendit, ai mendon se njëherë duhet të zgjidhet kryetari dhe më pastaj rrjedhin afatet. Meqë presidenti i shtetit mendon se rrjedhin afatet, kjo do të thotë se të dielën do të duhet të dorëzohet mandati”, deklaroi Zaev.

Ai sqaroi se nuk do të humbin kohë për ndarjen e resorëve, sepse përafërsisht dihet kush ku do të jetë, duke sqaruar se ka përafrime në pjesën e argumenteve për programet qeverisëse, por se negociatat do të vazhdojnë.

Sikur Zaev, edhe lideri Ahmeti pas takimit nuk shpalosi detaje të takimit, duke mos treguar se çka është vendosur në lidhje me premtimin e tyre parazgjedhor për kryeministër shqiptar. Ai nuk e sqaron gjithashtu se për momentin ‘kryeministri shqiptar’ a llogaritet pengesë për formimin e qeverisë.

“Tani më ne kemi filluar të bisedojmë mbi platformat për të afruar qëndrimet. Do të varet nga vullneti të dy palëve për të pasur një epilog pozitiv në favor të shtetit. Ne edhe më tutje mendojmë që të vazhdojmë me qëndrimet tona konstruktive, që të afrojmë qëndrimet, me qëllimin më të mirë që të konstruktohen organet ekzekutive”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe, rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar. Të gjithë pohojnë se bisedojnë, por deri më tani askush nuk ka dhënë detaje rreth rrjedhës së negociatave dhe nëse ka ndonjë progres.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 327 329 vota,  VMRO-DPMNE 315,344 vota, BDI 104 587 vota, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa  81,297 vota, E majta 37,551 vota dhe PDSH 13,891 vota, dhe votat tjera për partitë tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button