RMV, pavarësisht ultimatumit të protestuesve, KRRE nuk do ta ulë çmimin e rrymës elektrike

Komisioni Rregullator i Energjetikës së Maqedonisë së Veriut, nuk do ta ulë çmimin e rrymës elektrike për amvisëri, të cilin e rriti për 7,42% në mes të krizës shëndetësore e ekonomike, pavarësisht se qytetarët të cilët protestuan javën e kaluar i dhanë ultimatum që ta shfuqizojë rritjen dhe ta ulë çmimin e rrymës për 20% pasi që në të kundërtën do t’i bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve dhe nuk do të japin llogari për të bëmat e tyre. Nga ultimatumi kanë mbetur edhe 8 ditë pune, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Komisionit Rregullator Energjetik, Marko Bislimovski në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, thotë se shfuqizimi i vendimit për rritjen e çmimit të rrymës është e mundur vetëm nëse kompanitë ELEM dhe MEPSO pranojnë që të punojnë me humbje dhe të ndalohen investimet në energjetikë.

“Çmimin do ta shfuqizojmë nëse dorëzojnë kërkesë kompanitë dhe nëse thonë që dëshirojnë të punojnë me humbje dhe njëkohësisht të ndalohen investimet dhe aktivitet në ELEM, në elektrodistribucionin, MEPSO të ndalojë ta punojë lidhjen tonë energjetike  me Shqipërinë dhe të mos ndërtohet trafo-stacion i ri 110 kilovolt në Dibër, nëse këtë e pranojnë kompanitë dhe dëshirojnë qytetarët që të mos ketë investime për ne është në rregull”, thotë Bislimovski.

Sipas tij, nëse MEPSO, ELEM dhe EVN punojnë me humbje, kjo do të jetë në dëm të qytetarëve, por edhe ekonomisë në pjesën e energjetikës.

“Por kjo do të jetë në dëm të qytetarëve, veçmas në Maqedoninë Perëndimore, të cilët nëse duan lidhje energjetike me Shqipërinë ajo s’do të mund të bëhet. MEPSO do t’i ndalojë të gjitha aktivitetet pasi që nuk do të ketë para, a është marrë kredi nga Banka Evropiane për Zhvillim. Nëse pranojnë që të shkojnë me humbje, të gjitha kompanitë që punojnë për MEPSO-n, ELEM-in dhe EVN-në nuk do të kenë edhe ata të ardhura, do të ngrijë pjesa energjetike e ekonomisë dhe atje do të ketë lëshime nga puna nëse mendoni se ajo është zgjidhje le të bëjnë ashtu”, thotë Bislimovski, duke rekomanduar qe qytetarët mund të ndihmohet nëpërmjet Qeveria e cila mund të fillojë të japë rritje të ndihmës për varfëri energjetike.

Qytetarët që protestuan në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar e Dibër i parashtruan katër kërkesa, ndër të cilat një për KRRE-në (e cila nuk u pranua), një për Qeverinë dhe dy për Kuvendin.

1) Komisioni Rregullator për Energjetikë të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 20%.
2) Qeveria e RMV-së të anulojë monopolin e shërbimeve të kompanisë EVN, dhe t’i japë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve;
3) Kuvendi i RMV-së të çaktivizojë (zhbëjë) komisionin rregullator energjetik, sepse ky organ i shërben vetëm apetiteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë;
4) Kuvendi i RMV-së të krijojë një trup të pavarur arbitrar, në shërbim të qytetarëve që do të verifikojë cilësinë e shërbimeve, dhe do të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto.

Portalb.mk, tentoi të kontaktojë me zëdhënësin e Qeverisë dhe me kabinetin e kryetarit në largim të Kuvendit, por të njëjtët nuk ishin të kapshëm për redaksinë tonë.

Vendimi i KRRE-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike ishte skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button