Kosovë, korona virusi ka shtyrë regjistrimin e popullsisë

Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të bëhet në vitin 2021, mund të shtyhet për një vit, shkruan REL.

Sipas drejtorit të Statistikave Sociale dhe Popullsisë Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ky proces mund të shtyhet për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Kastrati theksoi për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i popullsisë është dashur të fillojë në muajin prill 2021, është shtyrë për në muajin shtator.

Por, duket se edhe kjo datë do të ndërrohet dhe do të shtyhet për një vit.

“Ka disa shtete që kanë sinjalizuar si edhe në Kosovë, që për shkak të pandemisë dhe vështirësive tjera si sigurimi i buxhetit në kohë, kanë propozuar që regjistrimi të bëhet në vitin 2022. Ne përgatitemi për vitin 2021, por nëse ka sfida në terren, ndoshta regjistrimi do të shtyhet për vitin 2022”, tha Kastrati.

Megjithatë kjo shtyrje sipas tij, nuk është ndonjë problem i madh, pasi që të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë duhet të dorëzohen në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2023.

Në regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë, duhet të punësohen rreth 2,500-7,600 regjistrues, rreth 350-400 mbikëqyrës si dhe rreth 40-50 trajnues-instruktor.

Kostoja totale e regjistrimit llogaritet të jetë 12 milionë euro apo rreth 6.5 euro për person.

Rënie e numrit të popullsisë në Kosovë

Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button