Partitë shqiptare ende pa përgjigje për ftesën e Ahmetit për tryezë të përbashkët

Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Lëvizja BESA dhe PDSH ende nuk kanë përgjigje në lidhje me atë se a do të marrin pjesë në tryezën e përbashkët të partive parlamentare, të ftuar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për të enjten në ora 12:00 në Shkup, njofton Portalb.mk.

Partitë ende nuk kanë qëndrim nëse do t’i përgjigjen ftesës së Ahmetit pozitivisht ose negativisht.

“Do të dalim me qëndrim zyrtar, tani nuk kemi përgjigje”, thonë nga koalicioni ASH-AA.

Njëjtë përgjigjen edhe nga Lëvizja BESA që është partner koalicioni i LSDM-së, por edhe nga PDSH e cila ka pranuar ofertën e LSDM-së për t’u bërë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Ftesa e Ahmetit, vjen në periudhën kur po zhvillohen bisedimet për formimin e Qeverisë, pas mbajtjes së zgjedhjeve të 15 korrikut.

BDI karshi LSDM-së ka kërkesën për kryeministrin shqiptar dhe për këtë disa herë publikisht, lideri i saj ka kërkuar unifikim të partive shqiptare rreth kësaj kërkese. Nga ana tjetër, liderët e ASH-së dhe AA-së kanë theksuar se nëse BDI-ja nuk e merr kryeministrin shqiptar, ashtu siç ka premtuar në fushatë, atëherë ajo e humb legjitimitetin për të formuar qeveri dhe në këtë rast ata duhet që të bisedojnë për qeverinë e re.

Pas ftesës së BDI-së, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka vlerësuar këtë si trysni në bisedimet për formimin e qeverisë me qëllim që ai të lëshojë pe për kryeministrin shqiptar.

“Po, e shoh si trysni ndaj meje, LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” për kryeministrin e propozuar nga BDI”, ka thënë Zoran Zaev për TV21.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button