Mbledhja e Komisionit të Sëmundjeve Infektive dhe MASH për modelin e mësimit në vitin shkollor 2020/21 vazhdon nesër

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, në profilin e tij të Facecbook-ut njoftoi se është shëruar nga virusi korona dhe sot do t’u kthehet aktiviteteve të punës. Mbledhja e Komisionit të Sëmundjeve Infektive së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në të cilën pritet të finalizohen protokollet për realizimin e mësimit nga 1 shtatori, do të vazhdojë nesër, njofton Portalb.mk.

“Ende jemi në bisedime. Vendimin final do ta japë  Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, tha epidemiologu, Aleksandar Stojanov i cili është dhe anëtar i Komisionit dhe drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik.

Ashtu siç u paralajmërua në periudhën e kaluar, MASH duhet t’i kumtojë protokollet për realizimin e tre llojeve të mësimit në varësi prej gjendjes epidemiologjike – me prani fizike, mësim në distancë dhe të kombinuar.

“Sfida me Covid-19 mbaroi, përfundimisht! Pas dy testimeve të njëpasnjëshme ku rezultova negativ, prej nesër i kthehem aktiviteteve dhe shumë punëve që na presin. Ju porosis të keni kujdes, të mbani maska dhe distancën. Faleminderit nga zemra për kujdesin që keni treguar, me ju e kisha shumë më të lehtë!”, shkruajti ministri në Facebook.

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) sot deklaroi se e presin vendimin e MASH-it për fillimin e vitit shkollor, duke i dhënë prioritet shëndetit të nxënësve dhe të punësuarve.

“Shpresojmë se sot Komisioni i Sëmundjeve Infektive dhe MASH do të miratojë vendim racional për fillimin e vitit të ri shkollor. Jemi të sigurt se si prioritet do t’u jepet shëndetit të nxënësve dhe të punësuarve në shkolla, përpara modelit të zhvillimit të mësimit”, thonë nga SASHK.

Ademi të premten deklaroi se drita jeshile për modalitetet është dhënë, ashtu siç tha, nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive e të cilët në detaje do t’i ripërpunojnë, kanë marrë qëndrime edhe nga SASHK-u dhe se këto ditë pritet finalizimi i tyre. Ai shtoi se ka kohë mjaftueshëm që prej 1 shtatorit në kohë të organizohet fillimi i vitit shkollor 2020/21 dhe të gjithë shkollat të përgatiten për zbatimin e protokolleve.

“Faza e ardhshme është edhe njëherë të rishikohen protokollet në Komision dhe pastaj në seancë Qeveria të vendos se cili model konkretisht do të aktivizohej për cilat rrethana dhe në cilën gjendje epidemiologjike. Kemi kohë përpara nesh. Sundon mendim pozitiv edhe në Shtabin Koordinues të Krizës edhe në Qeveri, por edhe në institucionet arsimore, viti shkollor të fillojë me prani fizike. Nuk prejudikojmë, po shqyrtohen të gjitha opsionet e mundshme, i kemi protokollet për të gjitha modelet e mësimit të cilat përgatiten nëpërmjet qasjes gjithëpërfshirëse me konsultime nga të gjitha palët e përfshira që të kemi zgjidhje të qëndrueshme”, tha Ademi.

Ndryshe, më 10 mars të këtij viti, 4 muaj para mbarimit të vitit shkollor, pas paraqitjes së 7 rasteve të para me KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut, Qeveria miratoi vendim për mbylljen e shkollave dhe çerdheve për 14 ditë, ndërkaq më pas nxënësit vazhduan të mësojnë prej në distancë (online) nëpërmjet programeve të ndryshme të telefonave celularë dhe kompjuterëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button