fbpx

“KULTURA” E RREZIKUT (I)

“Shoqëria që vrapon pas interesave të veta të ngushta dhe që përbëhet nga persona të izoluar është jetëshkurtër!”

Émile Durkheim

2020-ta si duket po del një motmot i sprovave. Pandemia Covid-19 ka pllakosur globin thuajse gjysëm viti, duke shkaktuar 729.000 viktima, dilema, polemika, probleme të natyrës së rrezikut planetar, të pafuqisë tonë si racë, të teorive të komplotit. Si kurrë më parë u tregua lëndueshmëria apo fragjiliteti i njeriut dhe kombeve, madje edhe më të fuqishmeve. Ndodhia e Beirutit, e shpërthimeve kataklizmatike të para disa ditëve të shkaktuara nga 2750 tonelata të amonium nitratit të magazinuara me papërgjegjësi, ku humbën jetën mbi 70 veta dhe u lënduan mbi 4000 syresh rastisi të përputhej me librin e fundit që po lexojmë, nga i cili është huazuar titulli i kësaj kolumne: Frank Furedi, Kultura e rrezikut: Marrja përsipër e riskut dhe moraliteti i pritjeve të ulëta (1998). Me këtë term, “kultura e rrezikut”, autori ilustron kalimin nga ideja për ta ndryshuar apo për ta ruajtur gjendjen siç është, në brengën dhe pasionin për ta gjetur sigurinë, për t’iu shmangur rreziqeve. Qysh në vitin 2001, pas rrënimit të Kullave Binjake, gazeta Los Angeles Times pati botuar një shkrim ku mes tjerash thuhej: “Tani e tutje ngjarje madhore nuk do të jenë shpikjet teknologjike apo mjekësore por vetëm frika!”

Po pra, frika është çështja që po na preokupon të gjithëve, kultura e rrezikut në thelbin e të cilës qëndron mendimi se njeriu është i rrethuar me fuqi që e kërcënojnë jetën tonë të përditshme. Tanimë parullat si “Afër e kemi fundin!” nuk shqiptohen vetëm nga besimtarët e rregjur të feve, por edhe nga të tjerët, madje edhe nga më shekullarët. Të gjithë po bëjnë telallëkun e katastrofës, të apokalipsës, të skepticizmit. Një zhanër filmash me shikueshmëri të lartë janë edhe këta të cilësuar si “The Best Movies About the End of the World, to Watch at the End of the World”, si “La Jetée” (Skela, 1966), “Children of men” (Fëmijët e njerëzve, 2006), “The Day after Tomorrow” (Dita pas të nesërmes, 2004), “Contagion” (Infektimi, 2011, shumë i rishikuar në kohë të Covid-19), “ake Shelter” (Të gjesh strehë, 2011), “Arrival” (Arritja, 2016) etj.

Transmetimet trishtuese të cilat po qarkullojnë gjithandej janë tregues i qartë i shqetësimit kapital, i manisë shoqërore. Paniku është bërë ndjenjë e rëndomtë: lidhur me krimin, energjinë nukleare, ushqimin, ndryshimet klimaterike, vaksinat, kofeinën, epidemitë, politikën, shfrytëzimin e internetit, jetën familjare, ecjen natën… Me një fjalë, jetojmë në kohën e inflacionit të rrezikut. (49)

Sot parimi i ndërmarrjes së masave, i institucionalizimit të kujdesit, i doktrinës së kufizimit janë bërë pjesë e jetës sonë ku madhërohet siguria, ndërsa polemizohet pasiguria, ku flitet për udhëtim të sigurt, për fëmijët e rrezikuar, gratë e rrezikuara, ku kemi pasues të denjë të “fesë së sigurisë dhe kujdesit”. Sipas një Hululumtimi të Gallup 1996, nga 1947 deri më 1996 njëqind për qind është rritur numri i atyre që kanë kujdes së çka hanë (nga 20 në 41 %), shifra këto që sot me siguri se janë shumë më të larta. Thuajse 50% të fëmijëve të shkollës në Ohio kanë treguar se jetojnë me frikën nga grabitja prej dikujt. Sot më nuk i besojmë as vetvetes. “Duke e shndërruar rrezikun në fuqi të autonome dhe gjithëprezente, çdo përvojë njerëzore jemi kah e shndërrojmë në çështje sigurie” (f. 31) Jeta vetë është shndërruar në problem sigurie. Problem konsiderohet siguria në shkallët e metros, udhëtimi me mjetet e transportit publik, rrezitja në det e shumë, frikëra nga rënia e flokëve, nga mbipesha, nga lëndimi në ndeshje futbolli, nga GMO, nga lojërat kancerogjene kineze e gjëra të tjera.

Dhe edhe më i rrezikshëm bëhet rreziku kur ndërlidhet me dijen e shkencën. Siç thotë Ulrich Beck, “tanimë burimi i rrezikut nuk është injoranca por dija.” Ai modernizimin e sheh si një proces në të cilin janë prodhuar rreziqe të papara më parë. Duke bërë dallimin mes rreziqeve rë vjetra dhe këtyre të reja:

“Njeriu që dikur merrte rrugë për të zbuluar toka dhe kontinente të reja, për shembull Kolombo, i pranonte rreziqet me të cilat mund të përballej. Por këto rreziqe ishin personale, nuk ishin të përmasave globale si ato që burojnë nga fizioni bërthamor ose mbetjet radioaktive. Fjala rrezik në të kaluarën nuk i referohej zhdukjes së jetës në këtë botë, por  trimërisë dhe aventurës.” (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close