ANALIZË:  Çfarë “bagazhi ekonomik” do të qëndrojë në “kurrizin” e qeverisë së re?

Në korrik – shenjat e para të rikuperimit ekonomik të vendit – për herë të parë që nga fillimi i krizës shëndetësore Kovid-19, pas një serie rëniesh mujore, të ardhurat nga TVSH-ja janë në rritje. Disa ekonomistë që i konsultoi Portalb.mk thonë se pasojat e krizës disamujore ekonomike do të përcillen edhe në muajt e ardhshëm. Qeveria e ardhshme do të ketë një “bagazh ekonomik” të rëndë për ta trajtuar.

Problemet e thella ekonomike – sfidë për qeverinë e ardhshme…

Është e vërtetë se të dhënat e korrikut paralajmërojnë një proces të rimëkëmbjes ekonomike, por dëmi nga mos funksionimi i disa sektorëve dhe industrive, siç është sektori i turizmit, i cili është shembur plotësisht në kulmin e sezonit të verës, por dhe ndërtimtaria, e cila ka ngecje, do të llogariten më pas, komentojnë ekonomistët. Ata konsiderojnë se gjendja e ekonomisë është përkeqësuar dhe situata “amortizohet” me kreditë e marra, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

“Qeveria e re do të përballet me një situatë jashtëzakonisht të keqe ekonomike dhe financiare, të shkaktuar kryesisht nga situata e pandemisë, por jo vetëm për shkak të saj. Të dhënat e publikuara për periudhën janar-prill 2020 tregojnë se situata në ekonomi është shumë e keqe. Edhe pse prilli konsiderohet si fillim i përballjes me pandeminë, implikimet negative janë të dukshme, veçanërisht në sektorët e industrisë, ndërtimit, hotelerisë dhe turizmit, tregtisë me shumicë dhe pakicë etj. Nga gjithsej 27 degë të industrisë, në 24 degë kemi rënie të prodhimit industrial. Rënia e prodhimit fillon diku në fillim të marsit dhe vazhdon në prill me një dinamikë edhe më të madhe. Rënia e prodhimit industrial në muajin prill 2020, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, ishte 30%, ndërsa në periudhën janar-prill 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e prodhimit industrial ishte 11.2%. Në sektorin e ndërtimit, numri i lejeve të ndërtimit në prill të vitit 2020, në krahasim me prillin e një viti më parë, është më i ulët për 27.9%” – thotë profesori Sami Bislimi.

Tendencat e pritura negative ekonomike që do ta karakterizojnë këtë vit kalendarik do të jenë një gështenjë “e nxehtë” në duart e qeverisë së re, thonë ekspertët.

“Pothuajse të gjitha qeveritë në gjithë botën përballen me probleme identike në këta sektorë, për të cilat qeveritë do të duhet të ndërmarrin masa të drejtpërdrejta për t’i mbështetur. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara në fund të majit në krahasim me majin e vitit të kaluar kemi gati një ngecje totale, pothuajse për 99.2% është zvogëluar numrin i turistëve, ndërsa në periudhën janar-maj 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 kemi një ulje prej 63.2% . Një rënie të madhe gjithashtu shohim edhe në ndërtim, mirëpo më të prekura janë turizmi dhe hotelieria. “Gjendja e ekonomisë në përgjithësi është përkeqësuar dhe qeveria e re do të ketë sfida të mëdha përpara saj” – thotë hulumtuesi ekonomik, Milaim Ahmeti.

Në korrik, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, janë regjistruar shenjat e para të rikuperimit pas tronditjes shëndetësore. Të ardhurat  e përgjithshme tatimore në krahasim me vitin e kaluar janë zvogëluar me 1.7 përqind.

“Për herë të parë që nga fillimi i krizës, tatimi mbi vlerën e shtuar është rritur për 1.2 përqind në krahasim me vitin e kaluar, pas rënies prej 7.5 përqind në qershor dhe rënies së lartë në maj dhe prill prej -33 dhe -43,5 përqind. Ekziston një rritje e lartë e taksave të importit prej 18.3 përqind, rritje e mëtejshme e tatimit mbi të ardhurat personale prej 0.4 përqind, ndërsa ka një mbledhje më të ulët të akcizave dhe tatimit mbi fitimin. Kontributet u rritën për 11.9 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar” – tha ministria e linjës.

Megjithatë, ekonomistët janë të kujdesshëm dhe thonë se rikuperimi do të jetë i ngadaltë, mijëra njerëz humbën vendet e tyre të punës dhe me fillimin e vjeshtës qeveria e re mund të përballet edhe me pakënaqësi të hapur për humbjet e vendeve të punës, megjithëse me masat e marra një pjesë e punëtorëve u mbajtën në punë.

“Një trend i tillë negativ në aktivitetin ekonomik dhe në shkëmbimin e tregtisë së jashtme do të shkaktojë përkeqësim të situatës në fluksin e të ardhurave në buxhet, në gjendjen e llogarisë rrjedhëse, si dhe në bilancin e pagesave. Në fakt, të ardhurat buxhetore në periudhën janar-prill 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë ulur me 4.9%, ndërsa të ardhurat tatimore në të njëjtën periudhë krahasuese shënuan rënie prej 9.1%. “Duhet pasur parasysh se shifra e këtilla i referohen një periudhe kur ende nuk ishim ballafaquar seriozisht me pandeminë” – thotë profesori Bislimi.

Ekonomistët janë të një mendimi se qeveria e ardhshme do të përballet me sfidën e trajtimit të një prej krizave më të rënda ekonomike në histori, dhe për këtë arsye kabineti i ri duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button