Hapja e shkollave në shtator, mjekët dhe ekspertët vënë në pikëpyetje planin për shkollat në Shqipëri

Një kombinim mes mësimit në shkollë dhe atij online, kështu mund të nisë procesi mësimor më 14 shtator, por për këtë nuk ka ende një vendim. A duhet të kthehen apo jo nxënësit në bankat e shkollës, është një diskutim në mbarë botën, edhe pse disa vende e morën këtë vendim që në muajt e parë të pandemisë së virusit korona.

Pak ditë më parë drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, Anthony Fauci tha se shkollat duhet të hapen, pasi transmetueshmëria e COVID-19 tek fëmijët është tejet e ulët.

Por, çfarë mendimi kanë ekspertët e mjekësisë në Shqipëri, ndërsa infektimet e reja me COVID janë në rritje? Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë për Euronews Albania se shkollat mund të hapen, por duhet bërë një diferencim mes zonave.

“Duhet të marrin parasysh pikat kyçe, higjiena është një ndërgjegjësim i plotë që nevojitet, distancimi është një ndërgjegjësim i plotë që nevojitet. Pastaj duhet parë nga shkolla në shkollë sesa i ka këto mundësi dhe nga lokaliteti në lokalitet. Sepse atje ku janë zona me situatë epidemiologjike më të qetë, klasikisht zonat rurale, problematika shkollore është shumë e ulët, kurse problematika më e madhe është pikërisht në qendrat më të banuara”, tha z. Alimehmeti.

Diferencim sipas tij duhet bërë edhe në bazë të moshave. “Jo të gjitha shkollat janë njësoj. Nuk është njësoj çerdhja, kopshti, fillorja, 9-vjeçarja dhe gjimnazi. Gjimnazi ka shumë më tepër kontakte, janë njerëz që edhe organizojnë grumbullime, ndryshon shumë nga fillorja. Mosha të ndryshme e përhapin sëmundjen në mënyra të ndryshme”, thekson epidemiologu.

Ndërkaq eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti thotë se, shkollat tona nuk kanë kapacitete për të mundësuar ruajtjen e distancës fizike.

“Jemi në kushte krejt të errësirës ku duhet të kishte një paketë të plotë. Nuk mjafton udhëzimi që shkolla fillon në datën 14 dhe mbyllet me datën 15 qershor, jo. Marrim shkollën “Sami Frashëri”, e cila është premtuar që do bëhet e re, po ndërkohë ajo është tek shkolla 4 Dëshmorët’ dhe tek shkolla “Çajupi”, përveç kapacitetit që ka kjo shkollë, a mjafton kjo?”, thotë ai.

Prindërit të pyetur nga Euronews ndajnë mendime të ndryshme për dërgimin e tyre fizikisht në shkollë, në rast se do të rihapen.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka një propozim-plan se si do të fillojë të realizohet vitit shkollor 2020/2021 nga 1 shtatori. Ai duhet të finalizohet javën e ardhshme, të kalojë në një seancë qeveritare dhe të publikohet para opinionit. Plani përmban protokolle për të gjitha modelet mësimore – prani në banka në distancë dhe me maska ​​mbrojtëse, onlajn-mësim përmes e-platformave elektronike dhe mësim të kombinuar me rotacione të nxënësve për një periudhë të caktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button