Liban, një i vdekur dhe mbi 200 të plagosur gjatë protestave

Një oficer i sigurisë u vra dhe më shumë se 200 demonstrues u plagosën të shtunën në protestat në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një oficer u sulmua nga protestuesit gjersa u përpoq të shpëtojë të bllokuarit në një hotel që u bastis nga demonstruesit në Bejrut, sipas një deklarate të Forcave të Sigurisë së Brendshme Libaneze.

Në demonstratat rreth Sheshit të Dëshmorëve në Bejrutin qendror dhe ndërtesën e parlamentit, 238 protestues u plagosën, prej të cilëve 63 janë shtruar në spital, tha Kryqi i Kuq i Libanit.

Pesë persona u arrestuan në Sheshin e Dëshmorëve, thanë Forcat e Sigurisë së Brendshme të vendit.

Demonstruesit bastisën ministritë e Ekonomisë dhe Mjedisit, si dhe ndërtesën e Lidhjes së Bankave.

Ata hynë në ndërtesa dhe shpërndanë dokumentet zyrtare, ndërsa dëmtuan mobiljet në ndërtesën e Lidhjes së Bankave.

Ushtria kërkoi nga protestuesit “të shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore, të ndalojnë demonstratat dhe të mos dëmtojnë pronën e qeverisë”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 158 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 6.000 janë plagosur që nga shpërthimi që dëmtoi rëndë kryeqytetin libanez të martën.

Ekzistojnë shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gjejnë njerëz të zhdukur.

Tragjedia ndodhi në një kohë kur Libani po përjetonte krizën më të keqe ekonomike, përfshirë një rënie dramatike në vlerën e lirës libaneze ndaj dollarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button