Çfarë politike të jashtme i duhet Maqedonisë së Veriut?

Politika e jashtme e një shteti ka të bëjë se si një vend vepron në lidhje me shtetet e tjera, dhe si sillet ndaj aktorëve jo-shtetërorë. Megjithëse politika e jashtme ka qenë gjithmonë e rëndësishme dhe vazhdon të jetë edhe sot kur transporti ajror e ka bërë botën më të vogël dhe më të ndërlikuar, politika e jashtme mbetet e vetmja shtyllë e shtetit dhe njësi jo e ngurtë, por dinamike për t’i arritur objektivat e sigurisë kombëtare.

Në disa momente, politika e jashtme mund të jetë agresive, varësisht nga rrethanat në të cilat vepron një qeveri apo një shtet. Për të shkruar rreth politikës së jashtme të një shteti e kemi patjetër të kthehemi në mesjetë, në kohën e renesancës, ku shumë mendimtarë të kësaj fushe të marrëdhënieve ndërkombëtare i vendosën bazat e politikës së jashtme moderne dhe të qeverisjes. Kardinali i mirënjohur i mesjetës dhe diplomati Richelieu, një burrë shteti në Francën e fillimit të shekullit të XVII, u bë i famshëm për konsolidimin e shtetit francez, duke e bërë Francën në mesin e parë të Fuqive të Mëdha dhe duke hyrë në garë me Hapsburgët. Njëherit Richelieu, arriti të vendosë Francën në mes të Europës, si fuqi që do të vendoste më vonë për fatin e Europës së dalë nga bota post- Napoleonike.

Mirëpo, një moment historik i rëndësishëm në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare ndodhi në vitin 1919, kur pas Luftës së Parë Botërore (LPB) me Traktatin e Versajës u krijua Lidhja e Kombeve (LK). Lidhja synonte të kontribuonte për një botë të re pa konflikte dhe synonte aktivizimin e një diplomacie paqësore pas LPB-së. Ashtu siç evoluan ngjarjet, Europa Perëndimore përsëri u përfshi nga konflikti. Pushtimi i Polonisë nga Gjermania në vitin 1939 e ktheu diplomacinë europiane në vitet para se të fillonte Kongresi i Vjenës (1814).

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) krijoi një realitet të ri ndërkombëtar, duke u formuar shtete të reja dhe republika që u bënë pjesë përbërëse e sistemeve federative. Përfundimi i Luftës së Ftohtë, gjithashtu pati ndikim në ish hapësirën jugosllave, duke u bërë fushëbetejë e luftërave dhe shpalljeve të pavarësive të ish republikave në shtete të reja. Në atë kohë, modeli i diplomacisë jugosllave ishte i ndërtuar për një botë të ftohtë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe baraspeshës që duhej mbajtur në mes Paktit të Varshavës dhe NATO-s.

Por, në fund të shekullit XX me globalizmin që tashmë ka prekur edhe Ballkanin Perëndimor e sidomos Maqedoninë Veriore (MV), politika e jashtme e MV-së u transformua shpejtë në një diplomaci digjitale të komunikimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve të jashtme. Pandemia i ka efektet anësore dhe detyroi shumë institucione të ndryshojnë mënyrën e punës në sisteme nga distanca ku pjesa kryesore e diplomacisë së MV-së u transferua në komunikim digjital me botën e jashtme, pra si nevojë e shtetit dhe qeverisë për të qenë në lidhje më sistemin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, për sa i përket pjesës politike, pas tri dekadave, është koha që Maqedonia e Verut tërësisht të ndryshojë qasjen ndaj shteteve dhe kjo vlen me shtetet fqinjë. Nga një shtet që vuante nga kompleksi identitar dhe gjuhësor, në një shtet që promovon paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

Për anën e zezë të diplomacisë maqedonse pas vitit 1991 do të shkruajmë herave tjera, po tani le të përqëndrohemi në disa versione se çka tjetër ky vend mund t’i ofrojë rajonit dhe BE-së në dekadën që jemi duke hyrë. Duke prezantuar dhe duke hetuar në mënyrë kritike konceptin e ‘diplomacisë civile’ të MV-së, lirisht mund të bëjmë krahasime me rastin zviceran të organizimit të marrëdhënieve të jashtme si një paradigmë për formimin e diplomacisë moderne shumë funksionale e cila për synim nuk ka diplomaci luftë nxitëse, por të balancës së marrëdhënive me fqinjët.

Në ‘diplomacinë civile’ MV-ja ka shumë mangësi, përshkak të sistemit të nepotizmit, nacionalizmit dhe paragjykimeve etnike , se kush mund të punësohet dhe kush mund ta përfaqësojë MV jashtë vendit. Siç dihet Maqedonia Veriore që nga pavarësia në 1991, ka trashiguar diplomatë dhe mendësi të vjetër të zhvillimit të politikës së jashtme dhe tashmë dihet se sa kokëçarje si solli Maqedonisë po kjo politikë e jashtme në mosmarrëveshjet me Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë në disa momente.

Koha është që me ardhjen e qeverisë së re të fillojnë ndryshimet, duke filluar nga ministria e jashtme, ndërtimi i një koncepti të ri veprimi e deri në rrjetin diplomatik të jashtëm të shtetit. Është e pamundur të kemi diplomaci etnike në një platformë që kërkon zbërthim të realitetit dhe shtrirje të potencialit të shtetit që është ndryshe nga ajo që është përfaqësuar deri më tani me shtetet fqinjë dhe në institucionet ndërkombëtare.

Operacionet inteligjente dhe grumbullimi i të dhënave për shtetet fqinjë, duhet bërë dhe shfrytëzuar vetëm atëherë kur rrezikohet integriteti dhe sovraniteti i vendit. Vetëm përshkak të pozitës gjeografike dhe të kaluarës historike MV-ja duhet të bëhet ‘Helvetica e Ballkanit’ në zhvillimin e diplomacisë dhe politikës së jashtme, mirëpo duket se mungon një Richelie që do ta drejtonte politikën e jashtme të shtetit në shekullin XXI.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button