RMV, qytetarët brenda vitit marrin një faturë më tepër për energji elektrike

Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 gusht, prej 7,4 për qind, do të thotë që qytetarët do të paguajnë një faturë të plotë mujore më shumë vitin e ardhshëm. Ekonomistët thonë se rritja e çmimeve do të ndikojë në standardin e jetesës dhe mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

Rritje e pajustifikuar e çmimeve të energjisë elektrike, e cila mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera themelore, thonë biznesmenët dhe ekonomistët me të cilët kemi biseduar, pasi Komisioni rregullator për energjetikë javën e kaluar vendosi të rritë çmimin e energjisë elektrike për familjet me 7.4 për qind. Kjo do të thotë edhe një faturë e plotë mujore e energjisë elektrike në vit, transmeton REL.

Kushdo që ka paguar 1500 denarë në muaj, tani do të paguajë 100 denarë më tepër. Kur të vijë sezoni i ardhshëm i ngrohjes, ata që ngrohen me energji elektrike do ta ndiejnë seriozisht rritjen, sepse tani në një faturë prej 6000 denarë do të duhet të paguajnë 400 denarë më shumë.

Pse po shtrenjtohet energjia elektrike?

Të gjitha kompanitë energjetike në vend kërkuan një rritje të çmimit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kostove dhe uljes së konsumit, si dhe për shkak të problemeve të likuiditetit të shkaktuar nga pandemia e kovid-19.

Sindikatat dhe opozita kundërshtojnë rritjen e çmimit, qytetarët po nënshkruajnë peticion në internet dhe po paralajmërojnë protesta, ndërsa qeveria pretendon se Maqedonia ende ka një nga çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në rajon dhe në Evropë.

Biznesmeni Menderes Kuçi, ish kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, thotë se rritja e çmimeve të energjisë elektrike mund të çojë në çmime më të larta për të gjitha produktet e tjera. Për të, rritja është e pajustifikuar.

“Sepse nuk ka të bëjë me kostot që nuk mund të përballohen nga ato kompani, por thjesht një fitim që pritej të realizohej, ndërsa tani parashikimet janë se nuk do të jenë aq të mëdha sa pritej,” thotë Kuçi.

Shtrenjtohet energjia elektrike për amvisëritë, jo për industrinë, e cila është edhe më e lirë, thonë Komisioni rregullator për i energjetiks. Por Kuçi thotë se shumë kompani do ta përdorin ende si një justifikim për të rritur çmimin e produkteve të tyre.

Profesor Marija Zarezankova Potevska thotë se rritja do të përkeqësojë standardin e jetesës që edhe ashtu është i ulët, i cili tashmë është goditur nga pasojat ekonomike të pandemisë me koronavirusin.

“Ekspertët e komisioni rregullator thonë se ne paskemi çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Evropë, por ata duhet të mbajnë në mend se ne si Maqedoni kemi pagën më të ulët, pra të ardhurat më të ulëta personale. “Ne jemi në tre vendet më të varfra në Evropë, sipas Eurostat, kështu që çmimi i energjisë elektrike nuk mund të pritet të jetë aq i lartë”, thotë ajo.

Sipas agjencisë evropiane të statistikave Eurostat, energji elektrike më të lirë nga Maqedonia ka në Serbi, Kosovë dhe Ukrainë. Energjia elektrike më e shtrenjtë në BE paguhet në Gjermani me 0.3 euro për kilovat orë, ndërsa më e lirë në Bullgari, ku është tre herë më e ulët. Në Maqedoni, një kilovat orë me taksat kushton 0.08 euro.

Por nëse krahasojmë çmimin e energjisë elektrike në raport me pagën mesatare, Maqedonia është afër fundit të Evropës. Sipas llogaritjeve të platformës Facebook, Reflektori, të bëra në bazë të të dhënave të publikuara nga Eurostat, energjia elektrike në Maqedoni, si përqindje e pagës mesatare, është ndër më të shtrenjtat në Evropë. Për shembull, një megavat orë energji elektrike në Maqedoni kushton 19.1 për qind të pagës mesatare, ndërsa për shembull një Islandez shpenzon vetëm 3.4 për qind të pagës për të njëjtën sasi të energjisë elektrike në vendin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button