Nuk kanë të ndalur protestat antiqeveritare në Bullgari

Në Bullgari ku protestat antiqeveritare kanë hyrë në ditën e 30-të, mijëra njerëz në kryeqytetin e Sofjes dhe në disa qytete të tjera dolën përsëri në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Boyko Borisov dhe të kryeprokurorit Ivan Geshev, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit në Sofje, që u organizuan nëpërmjet mediave sociale, u tubuan para ndërtesës së kabinetit të ministrave dhe brohorisnin slloganet “dorëheqje”, “mafia”, “drejtësi dhe demokraci”.

Protestuesit të cilët pas tubimit para ndërtesës së kabinetit të ministrave marshuan rrugëve të kryeqytetit, në tre kryqëzime vendosën çadrat e tyre të cilat forcat e sigurisë i hoqën me forcë. Kryqëzimet u mbyllën për trafikun dhe u lanë të lira vetëm korsitë për kalimin e ambulancave.

Protesta në Bullgari, foto: Anadolu Agency
Protesta në Bullgari, foto: Anadolu Agency

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme kishte marrë masa intensive të sigurisë para ndërtesave publike që ishin në rrugën e marshimit, protestuesit hodhën vezë dhe domate ndaj ndërtesës së kabinetit të ministrave.

Protestuesit, të cilët nuk mbanin simbole të asnjë partie politike, njoftuan se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e parlamentit.

– Presidenti Radev shpreh mbështetje për protestuesit

Ndërkohë, presidenti Rumen Radev, i cili është opozitar, në rrjetet sociale shprehu mbështetje për protestuesit.

“Organet ekzekutive, që shmangin përgjegjësinë politike, përdorin forcat e sigurisë kundër mijëra bullgarëve”, shkroi Radev.

Ai tha se ata që janë në pushtet në një situatë të tensionuar politike, më parë janë të gatshëm “të sakrifikojnë paqen dhe qetësinë shoqërore”.

“Sikurse e sheh edhe media botërore, protestat që vazhdojnë prej një muaji në të gjithë vendin, duan t‘i japin fund sistemit mafioz në vend”, shtoi presidenti bullgar.

Protesta në Bullgari
Protesta në Bullgari, foto: Anadolu Agency

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button