fbpx

RMV, propozim-plani i MASH për vitin 2020/2021 pritet të hënën

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një propozim-plan se si do të fillojë të realizohet vitit shkollor 2020/2021 nga 1 shtatori. Ai duhet të finalizohet javën e ardhshme, të kalojë në një seancë qeveritare dhe të publikohet para opinionit. Plani përmban protokolle për të gjitha modelet mësimore – prani në banka në distancë dhe me maska ​​mbrojtëse, onlajn-mësim përmes e-platformave elektronike dhe mësim të kombinuar me rotacione të nxënësve për një periudhë të caktuar, shkruan MIA.

Njëzet ditë para fillimit të vitit shkollor, debatet për atë që është më e mira dhe më e përshtatshme për nxënësit, janë intensifikuar. Ata që janë në prani fizike e argumentojnë këtë me dobësitë e onlajn-mësimit që janë demonstruar nga marsi deri në qershor – pabarazia në pajisjet teknike, mungesa e trajnimit në aftësi digjitale, problemet e aksesit në internet, etj., ndërsa mbështetësit e onlajn-mësimit i referohen shëndetit dhe sigurisë fëmijëve, nga frika se do të rrezikojnë nga KOVID-19, veçanërisht në zonat ku numri i të infektuarve është më i lartë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi theksoi se mbizotëron një mendim pozitiv, si në shtabin koordinues të krizave, ashtu edhe në Qeveri, por edhe në institucionet arsimore, që viti shkollor të fillojë me praninë fizike. Sidoqoftë, ka mbetur, tha ai, për të përfunduar modalitetet, protokollet që do të rishikohen edhe një herë në Komisionin e Sëmundjeve Infektive dhe më pas në një seancë të Qeverisë për të vendosur se cili model do të aktivizohet, posaçërisht për cilat rrethana dhe në cilën situatë epidemiologjike.

Rëndësinë e hapjes së shkollave e hapi edhe përfaqësuesja e UNICEF-it në vend Patricia di Xhovani, e cila në prezanim theksoi se pandemia ka imponuar riorientim drejt nxënies në distancë në mënyrë që fëmijët të mos humbin nga arsimi dhe të mos ketë ngecje, por se, siç u shpreh, ka gjithnjë e më shumë dëshmi për ndikim negativ nga shkollat e mbyllura – pasoja afatgjate mbi nxënien e fëmijëve, sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien.

“Nëse hapja e shkollave nuk na është prioritet, do të vërejmë ngecje mbrapa në përfitimet e arsimit të përvetësuara në vitet e fundit. Interesat më të mirë të fëmijëve duhet doemos të jenë qendrore gjatë marrjes së vendimeve për atë kur dhe si shkollat do të hapen sërish”, theksoi Di Xhovani, duke theksuar se duhet doemos të veprohet tani që fëmijët të mos bëhen siç tha, “viktimat e fshehura të kësaj pandemie”.

Onlajn anketa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, UNICEF dhe ekipi i Reaktor-kërkimit i publikuar dje tregon se rreth gjysma e prindërve, drejtorëve dhe mësuesve të anketuar besojnë se shkollimi duhet të vazhdojë në shtator. Rreth një e treta e prindërve, drejtorëve dhe mësuesve janë pro qasjes së kombinuar për mësimin në distancë (duke kombinuar klasat ose ditët e javës).

Thuajse 59 për qind e drejtorëve të anketuar, 58 për qind e mësimdhënësve të anketuar në arsimin fillor dhe 48 për qind në arsimin e mesëm, si dhe 46 për qind e prindërve të anketuar e kanë mbështetur mësimin e rregullt në klasë në përputhje me protokollet.

Rezultatet nga hulumtimi i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” sipas së cilës dy e treta e prindërve/tutorëve ose 68,7 e tyre pranojnë, gjegjësisht do të zgjidhnin qasje paralele – mësim të kombinuar me prani fizike dhe mësim onlajn të fëmijëve. Gjatë kësaj, secili nga prindërit/tutorët thekson se pavarësisht asaj se a është për qasje të kombinuar ose për mësim onlajn, në asnjë rast nuk do të mbështesnin mësim me prani fizike të fëmijëve të tyre nëse ka numër të madh të të infektuarve.

Dobësitë në mësimin onlajn në një të tretën e fundit të vitit 2019/2020 u identifikuan edhe nga Avokati i Popullit, i cili dje njoftoi se institucionet arsimore nuk ishin plotësisht të përgatitur për mësimin në distancë. Nxënësit në zonat rurale, nxënësit e familjeve me aftësi të kufizuara shoqërore dhe nxënësit me aftësi të kufizuara ishin më të prekurit.

Sipas mendimit të paraqitur nga Avokati i Popullit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, theksohet se të gjithë nxënësit,nuk kanë pasur qasje në teknologjinë e nevojshme, fondet dhe internetin për realizimin e detyrave të caktuara nga mësuesit, ndërsa nuk morën të njëjtin nivel as mbështetjen për zotërimin e materialit, gjë që çon më tej në pabarazi dhe pamundësia për t’u përfshirë plotësisht në procesin e mësimit dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive.

LEXO: Avokati i Popullit: Mësimi në distancë s’ishte i përgatitur, më të goditur nxënësit, veçanërisht ata të zonave rurale

Në pritje të protokolleve me të gjitha detajet se si do të funksionojnë shkollat ​​nga 1 shtatori, Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi një Udhëzues me një manual për mirëmbajtjen e ndërtesave shkollore së bashku me një video me udhëzime se si të pastrohen dhe dezinfektohen.

Protokollet për situata të ndryshme (komuna më të mëdha dhe më të vogla, madhësia e shkollave dhe ambienteve, numri i nxënësve, mosha e tyre, fëmijët me sëmundje kronike dhe mësuesit me sëmundje kronike, etj.) do të bëhen të ditura javën e ardhshme të punës. Më pas nga drejtorët do të kërkohet të bëjnë një plan për shkollën e tyre sipas protokolleve dhe udhëzimeve të MASH.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close