Në 2013-ën do të bëhet gasifikimi plotë i Çairit?

Gasifikimi i tërësishëm i gjithë territorit, dislokimi i Higjienës Komunale, Sheshi Skënderbeu dhe zgjidhja e problemit të Bit Pazarit, janë projektet prioritare të Komunës Çair për vitin 2013.

Kështu për Portalb, tha njeriu i parë i kësaj komune Izet Mexhiti, duke pasqyruar punët që kanë arritur ti bëjnë gjatë vitit që po e lëmë pas.

Sheshi Skenderbeu nuk arriti të realizohet në afatin e paralajmëruar me 28 nëntor, por e rëndësishme është që punët vazhdojnë me dinamikën e paraparë, tha Mexhiti.

‘Është projekt kompleks, është mega projekt ku janë të kyçura shumë institucione Komuna Çair, Qendër, Qyteti i Shkupit, Drejtoria për konzervimin e objekteve të vjetra, Qeveria dhe atë që mund ta konstatoj është se ky projekt po realizohet suksesshëm, është në përfundim  e sipër mbi 80 për qind e fazës së parë është kryer, ndërsa paralelisht po punojmë për hapjen e procedurave për fazën e dytë dhe të tretë pra mbulimin e rrugës që lidh Çairin dhe Qendrën dhe parkingut nëntokësor. Vonesë disa ditësh apo një muaj është edhe normale’ u shpreh Mexhiti.

‘Së bashku me Ministrinë e Ekonomisë kemi dërguar iniciativë deri në Qeveri dhe shpresojmë se së shpejti do të nënshkruhet memorandumi që Komuna e Çairit të jetë e para në Shkup që shkon drejtë gasifikimit të tërësishëm të objekteve publike dhe shtëpive apo ndërtesave kolektive të qytetarëve që njëherit mundëson që qytetarët të paguajnë një burim energjie më të lirë por edhe për të rit imazhin e Komunës së Çairit’, potencon Mexhiti.

Këto ditë siç premtoi Mexhiti do të dislokohet Ndërmarrja Publike ‘Higjiena Komunale’ nga lagjja e Seravës për të cilën banorët janë ankuar disa herë me radhë.

‘Ditët janë në pyetje për realizim të edhe një projekti që është i paralajmëruar dhe tejet i rëndësishëm për qytetarët. Dislokimi i ‘Higjienës Komunale’ që dekada me radhë është e vetmja që gjendet në mes popullatës. Po punojmë që këto ditë të dislokohet në periferi të Shkupit dhe mandej ajo hapësire të shfrytëzohet për dedikime tjera, qoftë arsim, parqe publike, parking …’ premtoi Mexhiti.

Do të zgjidhet përfundimisht çështja tezgaxhinjëve të Bit Pazarit.

‘Jemi në përfundim të ndryshimit të planit detal urbanistik, po ashtu projekti kryesor është në përfundim e sipër, projekt që i përshtatet arkitekturës së Çarshisë dhe që inkorporon zgjidhje për të gjitha tezgat për të gjitha dyqanet dhe ideja është që aty një herë e përgjithmonë gjithçka të futet brenda ku do të jenë kushte më të mira dhe për tregtarët edhe për blerësit. Ndërmarrja private ‘Skopski Pazar’ e ka miratuar në buxhetin e tyre një investim mbi 10 milion euro, pra me përfundimin e planit të ri detal urbanistik menjëherë mund të fillon edhe ndërtimi i qendrës tregtare Bit Pazar me gjitha parametrat që i kërkon një qendër e tillë’ tha Mexhiti.

Gjatë vitit 2012 Komuna Çair theks të veçantë kishte vendos në çështjen e arsimit, tha Mexhiti.

‘Theks i veçantë këtë vit në Komunën e Çairit është vendos mbi arsimin sepse vlerësojmë se investimi më i mirë për të ardhmen është ai në arsim. Në Komunën e Çairit bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Bankën Botërore janë rinovuar pesë objekte dhe tre të tjera po ashtu do të rinovohen me kredinë e marrë që këto ditë duhet të fillojnë punimet dhe deri ka muaji shkurt do të thotë 8 objekte që paraqet mbi 50 për qind të objekteve të arsimit fillor janë tërësisht të rinovuara siç është rinovuar shkolla fillore ‘Liria’ dhe kjo krijon standarde tejet të larta. Ne do të fokusohemi edhe më tej në këtë drejtim sepse përveç standardeve kualitative redukton edhe shpenzimin e energjisë elektrike që është një ndër problemet kyçe nëpër komunat e Maqedonisë’ u shpreh Mexhiti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button