Formimi i Qeverisë: Partitë intensifikojnë takimet, fshehin detajet, Pendarovski pret afatin 10 ditor që të dorëzojë mandatin

Partitë politike parlamentare ditëve të fundit kanë intensifikuar punën dhe negociatat për formimin e shumicës parlamentare për Qeverinë e re, megjithatë asnjëra nuk dëshiron të jep detaje se si po zhvillohet negociatat. Pas lajmit jozyrtar që u publikua dy ditë më parë se BDI ka arritur marrëveshje me VMRO – DPMNE, nga LSDM kanë informuar se kjo parti ka arritur shumicë parlamentare. Por, në kumtesën e sotme të kësaj partie, thuhet se akoma po rrjedhin bisedimet, për formimin e Qeverisë së re e cila siguron kujdes të barabartë për të gjithë, shkruan Portalb.mk.

LSDM thotë se synon që të krijoj një Qeveri stabile 4 vjeçare, bazuar në konceptin e tyre “Një shoqëri për të gjithë” dhe e cila do të jetë e liruar nga çdo lloj nacionalizmi. Me këtë, LSDM dërgon mesazh se nuk do të pranojë nismën e BDI-së për kryeministër shqiptar.

“LSDM-ja filloi negociata serioze, tërësore me kryetarë dhe përfaqësues të lartë të partive politike të cilët janë pjesë e përbërjes kuvendore, për një mandat të ri katërvjeçar të një shumice të qëndrueshme në Parlament dhe formim të Qeverisë së përkushtuar, e cila do të  lëvizë shpejt në rrugën evropiane dhe rrugën e ekonomisë dhe të drejtësisë. Bisedojmë ekskluzivisht për formimin e Qeverisë e cila kujdeset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, të liruar nga çdo paragjykimesh etnike apo çfarëdo qoftë nacionalizmi. Qeveri e cila nuk ka kurrfarë dilemash kur është në pyetje rruga jonë e përbashkët e cila quhet “Maqedonia e Veriut – Një shoqëri për të gjithë”. Më 15 korrik qytetarët në zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike i dhanë drejtimin, dhanë mbështetje të fortë që kujdesi për të gjithë në një shoqëri të përbashkët të vazhdojë edhe më shumë dhe madje edhe më mirë”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Bujar Osmani
Bujar Osmani

Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, nuk i është përgjigjur pyetjes së Portalb.mk, të dërguar në formë të SMS-porosisë se, me cilën parti po zhvillojnë bisedime dhe se, a do të heqin dorë nga ideja e kryeministrit shqiptar. Por, mbrëmë për mediat maqedone, Osmani deklaroi se, për formimin e qeverisë do të bisedojnë me të gjitha partitë politike. Së pari,  tha ai, bisedojnë me partnerët e tanishëm të koalicionit LSDM, por nuk e përjashtojnë mundësinë për biseda edhe me partitë tjera.

“Konsiderojmë se është e shëndetshme të bisedohet me të gjithë, me qëllim që të shqyrtohen qëndrimet e të gjitha partive politike që të vjen deri te një zgjidhje e qëndrueshme, me qëllim të formimit më të shpejtë të institucioneve. Kryetari Ahmeti e udhëheq këtë proces dhe nuk i përjashton të gjitha partitë politike në biseda”, tha Osmani

Por, zëdhënësi i VMRO – DPMNE-së , Dimçe Arsovski, informoi se lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar mbrëmë takim me Ahmetin. Ai ka thënë se përpjekjet për formim të shumicës parlamentare po vazhdojnë.

Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE
Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE

“Në lidhje me negociatat për formim të shumicës parlamentare, po bëjmë përpjekje që të formojmë shumicë parlamentare. Në lidhje me takimet, mbrëmë kishte edhe informatë publike se ka pasur takim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mes kryetarit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Nuk do të mund të hyja në detaje, që të mos i dëmtojmë proceset, sepse proceset e negociata zgjasin akoma. Në lidhje me takimet e ardhshme që duhet të caktohen, përkatësisht do të realizohet, do t’ia lija kohës që të tregojë. Sa po të dakordohem, apo sa po të kemi informatë më konkrete, do të informohen edhe mediat edhe publiku se deri ku është situata me negociatat”.

Nga ana tjetër, sekretari i Alternativës, Skender Rexhepi, deklaroi për Portalb.mk se koalicioni “Tash është koha”, që mori 12 deputet në zgjedhjet parlamentare, nuk ka filluar akoma negociatat zyrtare. Ai tha se po presin që presidenti, Stevo Pendarovski ta dorëzojë mandatin dhe më pas do të negociojnë. Rexhepi ka thënë se kërkesa kryesore që do ta parashtrojnë gjatë negociatave, do të jetë platforma e tye politike me të cilën garuan në zgjedhjet parlamentare.

“Negociatat nuk kanë filluar sepse nuk është marrë mandati, momentin që do të merret mandati do të fillojnë negociatat zyrtarisht, deri atëherë janë vetëm takime private, nga java e ardhshme shpresojmë që mandatari të marrë mandatin dhe pastaj ta presim edhe qëndrimin e BDI-së për kryeministër, sepse ne nuk duam që të pengojmë nismën e tyre për kryeministër. Edhe pse, në deklaratën e Zaevit ditë më parë, as që bëhet fjalë për kryeministër, konsiderojmë se BDI ka ra poshtë nga bisedimet, sepse të vetmen pikë edhe parazgjedhore edhe në zgjedhje e ka pasur këtë. Ne mendojmë se BDI nuk ka më legjitimitet që të zhvillojë bisedime”, deklaroi Rexhepi.

Ai ka shtuar se, nëse BDI heq dorë nga kryeministri do të insistojnë me çdo kusht që të mbetet opozitë, sepse me të vetmen pikë me të cilën ka fituar ato vota, ka qenë ideja e kryeministrit.

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

Ndërkohë, edhe nga kabineti i presidentit, Stevo Pendarovski, kanë konfirmuar për Portalb.mk se, nuk kanë pranuar informata se ndonjëra prej partive ka formuar shumicë parlamentare dhe se, mandati do të ndahet në pajtueshmëri me dispozitat ligjore.

“Ju informojmë se deri në këtë moment asnjë parti politike nuk na ka informuar se ka shumicë parlamentare. Mandati do të dorëzohet në afat prej 10 ditësh nga konstituimi i Kuvendit, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore”, thanë nga kabineti i Pendarovskit.

 Përbërja e re parlamentare e Maqedonisë së Veriut, u konstitua më 4 gusht, në seancën konstituive, e cila u mbajt nën protokolle dhe masa të posaçme për shkak të koronavirusit.

Sipas Kushtetutës, presidenti  i shtetit është i obliguar në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i shtëpisë ligjdhënëse mandatin për formimin e Qeverisë do t’ia besojë partisë gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, megjithatë, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i dorëzojë program dhe propozim të Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash.

Seanca konstituive, Foto Twitter

Presidenti Pendarovski javën e kaluar paralajmëroi se mandatin për formimin e qeverisë së re do t’i besojë atij i cili do ta bindë se ka siguruar  shumicën në Kuvend.

Ai theksoi se norma kushtetuese është e qartë – mandatin e merr kandidati i partisë ose partitë që kanë shumicë në Parlament dhe këtu presidenti praktikisht nuk ka kurrfarë hapësire për manovrim.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button