Marsh protestues i banorëve të Gostivarit, Dibrës e Kumanovës kundër shtrenjtimit të rrymës

Qytetarët e Gostivarit, Kumanovës e Dibrës, bashkë me ata të Tetovës dhe të Shkupit dje pasdite kanë protestuar në rajonet e tyre kundër rritjes së çmimit të rrymës elektrike. Ata mbajtën marsh protestues pasi janë të pakënaqur me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind.

Në Gostivar, marshin e organizoi grupi i tifozëve “Kastriotët”.

Qëllimi i protestës është që të theksohen kërkesat e tyre: të tërhiqet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të ulet çmimi prej 20 për qind, të hiqet monopoli i shërbimeve të EVN-së, të shpërndahet Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe të krijohet tribunal i pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve i cili do ta kontrollojë cilësinë e shërbimeve nga sfera e energjetikës.

Me parulla për uljen të shkruara në gjuhën shqipe, flamuj të Republikës së Shqipërisë dhe brohoritje qindra qytetarë kaluan nga Qendra e Kulturës deri te sheshi i qytetit.

Protesta Gostivar
Protesta Gostivar

Egzon Azizi nga grupi i tifozëve “Kastriotët”, i cili e udhëhiqte marshin theksoi se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre nga katër pikat, protestat do të radikalizohen.

“Kërkojmë që këto katër kushte të pranohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në të kundërtën protestat tona do të jenë më masive dhe më radikale deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Azizi në fjalimin e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shpërndahen në mënyrë paqësore dhe të mos qëndrojnë në grupe për shkak të kushteve të vendosura nga pandemia, transmeton MIA.

Protesta, e cila zgjati pesëmbëdhjetë minuta, kaloi pa incidente dhe nën mbikëqyrjen e efektivëve të policisë, duke respektuar distancën dhe duke mbajtur maska. Në protestë ishte edhe kryetari Arben Taravari, i cili theksoi se ai ka ardhur  si qytetar, e jo si politikan.

Protesta e ardhshme u paralajmërua në mes të javës së ardhshme, ndërsa protestuesit dhanë dy javë për të realizuar kërkesat e tyre.

Edhe qytetarët e Dibrës nën organizim të grupit të tifozëve “Sokolët” të Klubit Futbollistik “Korab”, u mbështetur edhe nga organizata tjera civile, mbrëmë mbajtën protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Protesta Dibër
Protesta Dibër

Pjesa më e madhe e qytetarëve u mblodhën përpara pikës pagesore të EVN-së e cila ndodhet në qendër të qytetit.

“Kërkojmë që të shfuqizohet monopoli I EVN-së dhe të përmirësohet sjellja e tyre jokorrekte ndaj konsumatorëve dhe gjithsesi të shpërndahet Komisioni Rregullator, trup i cili u shërben interesave të grupeve të biznesit dhe korporatave në dëm të gjendjes shumë të rëndë ekonomike të qytetarëve. Të formohet trup i pavarur arbitrar për shtrenjtimin e rrymës, veçanërisht tani në kohën e pandemisë”, tha Ardit Fetahu, përfaqësues i organizatorëve, transmeton Portalb.mk.

Protesta në Kumanovë
Protesta në Kumanovë

Me të njëjtat kërkesa të njëjta mbrëmë protestuan edhe qytetarët nga Kumanova, Tetova e Shkupi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button