RMV, u hap qendra për veprim në kushte të epidemive

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik sot e hapën Qendrën e re për veprim në kushte të epidemive dhe situata të tjera të jashtëzakonshme publike – shëndetësore në Shkup. Qendra, siç bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, do të sigurojë informacione të centralizuara në kohë reale, ndjekjen e situatave, njoftime dhe këshilla për atë se si veprohet në raste të ngjarjeve dhe situatave të jashtëzakonshme në lidhje me shëndetin publik.

“Duke e bashkuar në një vend profesionalizmin epidemiologjik nga Instituti i Shëndetit Publik, Qendra do të ofrojë zgjidhje digjitale për një sistem të parandalimit të hershëm me qëllim të njoftimit me kohë dhe detektimit të ngjarjeve në lidhje me shëndetin publik”, sqarojnë nga Ministria.

Qendra do ta përmirësojë mbikëqyrjen dhe koordinimin mes epidemiologëve, kuadrit laboratorik dhe ekspertëve për shëndet publik nga dhjetë qendrat e shëndetit publik dhe 21 njësi rajonale në vend.

“E uroj Maqedoninë e Veriut për përkushtimin e saj në përforcimin e kapaciteteve të shëndetit publik për luftë kundër KOVID-19. Kjo qendër e re është shembull pionier për atë se si OBSH mundet, në partneritet me organet kombëtare kompetente, ta përforcojë sigurinë shëndetësore dhe të grumbullojë sa më shumë informacione relevante për shëndetin publik të cilat janë të nevojshme jo vetëm për luftë kundër pandemisë aktuale por edhe për situatat e ardhshme të jashtëzakonshme që mund të ndodhin në vitet e ardhshme”, deklaroi mjeku Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropë.

OBSH, siç bëjnë të ditur nga Ministria, ndihmon rreth operacionalizimit të Qendrës, ashtu që siguron udhëzime teknike dhe një ekspert për shëndet publik i cili do të jetë pjesë përbërëse e ekipit kombëtar.

Gjatë kësaj ngjarje, mjekja Xhihan Tavillah, përfaqësuese e OBSH-së në vend, foli për atë se si bashkëpunimi i OBSH-së me Ministrinë e Shëndetësisë në këtë format të përbashkët do të mundej t’i informojë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për atë se si t’i rrisin kapacitetet institucionale në pjesën e sigurisë shëndetësore dhe grumbullimin e informacioneve relevante për shëndetin publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button