Lëshohet në përdorim aksi i rikonstruuar rrugor Katllanovë-Veles

Rikonstruimi i aksit Katllanovë – Veles në gjatësi prej 27 kilometrave, pjesë e autostradës “Aleksandri i Madh” sot është lëshuar në përdorim.

Bëhet fjalë për investim me vlerë 7,3 milionë euro, i cili do të ofrojë siguri më të madhe dhe komunikim më të shpejtë për qytetarët, ndërsa është pjesë e projektit qeveritar për modernizimin e infrastrukturës në shtet.

Në përurimin e aksit fjalim pati edhe kryeministri, Nikolla Gruevski i cili nënvizoi se aksi Katllanovë-Veles është një prej rrugëve më të shfrytëzuara në Maqedoni si pjesë e Korridorit 10, i cili për herë të fundit është rehabilituar në vitin 1985.

“Që atëherë deri më sot kanë kaluar 27 vjet në të cilat nuk ka pasur intervenime më serioze në këtë aks rrugor, ndërsa i njëjti është amortizuar tërësisht. Njëzetë e shtatë vjet në të cilat qytetarët e këtij vendi të cilët e kanë shfrytëzuar këtë aks kanë drejtuar makinat mbi një aks me gropa, shembje, sinjalizim të keq dhe mangësi të tjera. Dhe jo vetëm qytetarët tanë, në këtë aks kalojnë edhe shumë qytetarë të huaj të cilët e kanë vizituar vendin tonë ose që kanë tranzituar drejt Greqisë dhe Serbisë. Pikërisht për këtë Qeveria gjeti mënyrë dhe mjete të bëjë rehabilitimin e plotë dhe modernizimin e këtij aksi rrugor”, tha kryeministri Gruevski. 

Ai paralajmëroi se planifikohet gjatë vitit të ardhshëm rehabilitim i aksit tjetër të autostradës nga Velesi drejt Shkupit, i cili, gjithashtu është në gjendje të keqe dhe në të cilin nuk është intervenuar për një kohë të gjatë.

Kryeministri theksoi se në ndërkohë po punohet në projektin për ndërtimin e autostradës Demir Kapi-Smokvicë i cili paraqet njërin prej investimeve më të mëdha të infrastrukturës në 20 vitet e fundit në shtet. Në vijim janë, shtoi, edhe aktivitetet përfundimtare për lëshimin në komunikacion të aksit Radovish-Strumicës dhe rruga drejt qendrës për skijim Kozhuv.

Ai paralajmëroi edhe më shumë projekte të reja për përmirësimin e infrastrukturës. “Të gjitha këto projekte, si dhe ato të cilat gjatë viteve të kaluara i kemi realizuar qartë flasin se Maqedonia është e aftë për vepra të mëdha dhe investime të mëdha në infrastrukturën transportuese. Të gjitha këto projekte ne i kemi premtuar, ndërsa qytetarët i kanë mbështetur në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ne jemi të obliguar para qytetarëve ta plotësojmë atë që e kemi premtuar dhe për atë që ata na kanë dhënë mandatin. Të gjitha këto rrugë janë rrugë të popullit dhe i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, kombëtare apo partiake. Do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të ndajmë mjete të mëdha nga Buxheti për projekte të këtilla kapitale dhe të rëndësishme”, tha kryeministri Gruevski, i cili iu falënderua ekipit qeveritar, institucioneve dhe veçanërisht deputetëve të cilët e votuan Buxhetin me çka do të mundësohet realizimi i të gjitha projekteve të parapara.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski theksoi se në aksin Katllanovë-Veles është kryer riparimi i asfaltit, e vendosur në sinjalizim bashkëkohor horizontal, rrejt për mbrojtje nga shembjet, ndërsa janë vendosur edhe më shumë se 230 shenja në sinjalizim vertikal përgjatë aksit.

Ai shtoi se në bashkëpunim me NATO-n po realizohet projekt për rehabilitimin dhe përforcimin e 13 urave në këtë pjesë të Korridorit 10, investim prej 8,6 milionë euro për të cilën, thotë, procedura për zgjedhjen e kryerësit është në procedurë, ndërsa punimet ndërtimore duhet të fillojnë në vitin 2013.

Punimet ndërtimore të aksit Katllanovë-Veles i kreu SHA “Granit”, ndërsa kanë zgjatur 16 muaj./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button