fbpx

Tetovë, protestë kundër shtrenjtimit të rrymës: ultimatum 10 ditor për përmbushje të kërkesave (VIDEO)

Qytetarët në Tetovë kanë dalë për të shprehur revoltën e tyre pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë, vendosi javën e kaluar që të rrit çmimin e rrymës elektrike për 7,42%, njofton Portalb.mk. Protesuesit thanë se të enjten tjetër (13 gusht) do të marshojnë dhe do bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve. Gjithashtu, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, ata nuk japin llogari për të bëmat e tyre.

Aziz Sulejmani nga Këshilli Organizativ i protestës i lexoi kërkesat e protestuesve drejtuar Komisionit Rregullator për Energjetikë, Parlamentit dhe Qeverisë së RMV-SË si dhe Kompanisë EVN.

“Sot kërkojmë që:
1) Komisioni Rregullator për Energjetikë të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 20%.
2) Qeveria e RMV-së të anulojë monopolin e shërbimeve të kompanisë evn, dhe t’i japë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve;
3) Kuvendi i RMV-së të ç’aktivizojë (zhbëjë) komisionin rregullator energjetik, sepse ky organ i shërben vetëm apetiteteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë;
4) Kuvendi i RMV-së të krijojë një trup të pavarur arbitrar, në shërbim të qytetarëve që do të verifikojë cilësinë e shërbimeve, dhe do të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto.

Keni dhjetë ditë pune kohë që të filloni me plotësimin e këtyre kërkesave.” tha Sulejmani nga Këshilli Organizativ i protestës, njofton Portalb.mk.

Ai tha se protesta është organizuar për t’i dhënë mundësi paqes, për të parandaluar të gjithë ata qytetarë të mllefosur që preferojnë këto probleme t’i zgjedhin sipas modelit bullgar.

“Nëse ju të adresuarit në këtë protestë tregoheni të shurdhër dhe shpërfillni këto kërkesa, ju do e dëmtoni paqen dhe do mbani përgjegjësi për dhunën që mund të shpërthejë. Nëse ju nuk i merrni këto kërkesa me seriozitetin e duhur, ju do i arsyetoni veprimet radikale të qytetarëve që ju ka ardhë në maje të hundës, ju do mbani përgjegjësi për dhunën që do shpërthejë.

Kjo është protesta jonë e parë, por jo e vetme. Sot një javë, do të marshojmë dhe do bllokojmë rrugët kryesore të qyteteve.
Nuk mund të predikojmë se çfarë mund të ndodhë pas kalimit të afatit nëse nuk i plotësoni këto kërkesa, por vetëm mund t’ju themi se “Bullgaria nuk është larg”.
Për fund, ju bëjmë thirrje të jeni të mençur dhe të arsyeshëm, dhe të punoni në interes të popullit tuaj!
Mjaftë duruam! Mjaftë na vjodhët! Kthim prapa nuk ka.” tha mes tjerash ai, njofton Portalb.mk.

Protesta janë mbajtur edhe në Shkup.

“Sot na ka bashkuar halli, problemi që të gjithëve na troket në derë çdo muaj. Si sot të bashkuar, ne do jemi edhe më tutje, për t’ju të treguar atyre, oligarkëve, se nuk do t’i lejojmë që të na rrjepin ekonomikisht dhe të na zbrazin xhepat që tashmë janë kah fundi.

A nuk është e turpshme që të godasësh ekonominë e varfër familjare të qytetarëve të vendit tonë në kohë pandemie? A nuk është e turpshme që të marrin para nga të varfërit për të përmbushur apetitet e atyre që s’kanë të ngopur? A nuk keni fije turpi që po silleni si mafiozë, si gangsterë, si hajdutë rrugësh kur vendosni të rrisni çmimin e energjisë elektrike, sepse dikush s’e paska arritur qëllimin të shumëfishojë profitin personal?

A ju kemi zgjedhur të na shërbeni neve, apo ju kemi zgjedhur t’i shërbeni apetitit të hajdutëve që e vjedhin popullin?
Ky popull sot është ngritur në këmbë, këtu në Tetovë, në Gostivar, në Shkup, në Kumanovë, në Dibër, e gjithandej nëpër gjithë vendin. Ky popull nuk pranon më t’ju nënshtrohet më! Ky popull nuk pranon të përbuzet e të nënçmohet, duke pritur rradhë të gjata në temperatura të larta, apo në acarin e dimrit, apo në rrebesh të shiut! Ky popull nuk pranon të vidhet, nuk pranon të zhvatet, nuk pranon të rrjepet, ky popull nuk pranon të jetë thes i hapur nga ku do marrin paratë ata të pangopurit e kompanive energjetike, që na e rrisnin çmimin e energjisë kur t’ju dojë qejfi atyre.

Vendimi i Komisionit Rregullator të Energjisë për të shtrenjtuar rrymën në kohë pandemie është skandaloz, i turpshëm, dhe i pafalshëm! Krahasuar me standardin që kemi, ne qytetarët e Maqedonisë së Veriut paguajmë thuajse tarifën më të lartë të energjisë elektrike në Evropë, por këta hajna akoma nuk ngopen” thanë organizatorët, njofton Portalb.mk.

Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës

Vendimi i Komisionit Rregullator i Energjetikës (KRRE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike është skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët  se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

LEXO: Rritja skandaloze e çmimit të rrymës në RMV, interesi i kompanive para interesit të qytetarëve!

Lajmi për rritjen e çmimit të rrymës u prit me reagime të ashpra në opinion, si rezultat i së cilës erdh edhe ideja për të protestuar.

Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës

Pas rritjes së çmimit, OJQ-të dhe Sindikatat kanë reaguar, të e cilin e quajnë skandaloz dhe kërkojnë që i njëjti të tërhiqet menjëherë.

LEXO: Sindikatat me kundërpërgjigje ndaj rritjes së çmimit të rrymës në RMV, nëse nuk rriten edhe pagat në protesta e greva

Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës

Për dallim prej Maqedonisë së Veriut, e cila në mes të krizës e shtrenjtoi rrymën, disa prej vendeve më të zhvilluara evropiane krijuan lehtësime për qytetarët e tyre në këtë kohë pandemie.

  • Spanja gjatë kohës së krizës ka siguruar qasje të garantuar në rrymë elektrike, ujë dhe gaz për të varfrit, madje edhe nëse nuk i paguajnë faturat.
  • Italia i ka suspenduar faturat për rrymë, gaz, ujë dhe mbeturina për dy muaj.
  • Belgjika u ka dhënë amvisërive deri në 100 euro për faturat e ujit dhe 75 euro për faturat e gazit.
  • Sllovenia e uli çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë për 20%.
Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës
Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës
Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës
Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close