Kina ashpërson masat për internetin

Kina ka ashpërsuar rregullat e saj për përdorimin e internetit me pretendimin që përdoruesit të identifikohen plotësisht kur përdorin shërbimet online. 

Lëvizja është pjesë e një serie masash të cilat sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”, do të mbrojnë informacionet personale. 

Por kritikët dyshojnë se qeveria po përpiqet të kufizojë lirinë e shprehjes. Njoftimi shihet si një provë se lidershipi i ri kinez po e trajton internetin si një kërcënim serioz. 

Në muajt e fundit, interneti dhe rrjetet sociale janë përdorur për të orkestruar protesta masive dhe një numër anëtarësh të korruptuar të Partisë Komuniste janë ekspozuar në rrjete. 

Autoritetet kineze monitorojnë nga afër përmbajtjet e internetit që kalojnë kufijtë dhe bllokojnë rregullisht histori të ndjeshme përmes përdorimit të të ashtuquajturit “Great Firewall” i Kinës. 

Megjithatë, këto masa nuk kanë ndaluar dot qindra miliona kinezë që të përdorin internetin, shumica e të cilëve përdorin mikro-blogjet për t’u ankuar apo për të promovuar çështje me interesa kombëtare, përfshirë korrupsionin në qeveri. 

Masat e reja i kërkojnë kujt ka hyrje në internet, qoftë përmes linjave të telefonisë fikse, qoftë përmes atyre të telefonisë së lëvizshme, që t’i sigurojnë operatorëve të rrjetit informacione të bollshme indentifikimi. 

Proçedura në fjalë, sipas “Xinhua”, njihet si “regjistrimi me emrin e vërtetë”. Ky proçes supozohej të implementohej në vitin 2011, por nuk u arrit në masë të gjerë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button