LSDM dhe VMRO-DPMNE thonë se po punojnë në formimin e Qeverisë

Dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, vazhdojnë të deklarojnë në opinion se po bisedojnë për formimin e qeverisë, ndonëse njëra prej tyre do ta merr mandatin. Edhe Zoran Zaev nga LSDM edhe Mickoski nga VMRO-DPMNE thonë se po punojnë në sigurimin e shumicës parlamentare, aq sa duhet për të formuar Qeverinë.

LSDM dje kumtoi se fillon negociata serioze me kryetarët e partive politike, me grupet e punës, anëtarët e kryesive të partive, për një mandat të plotë katërvjeçar të shumicës stabile në Parlament dhe formim të Qeverisë.

Zoran Zaev, LSDM

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev sot e informoi ambasadoren gjermane në vend, Anke Holshtajn se partia e tij po zhvillon bisedime serioze për të formuar shumicë të re, të qëndrueshme parlamentare dhe një qeveri të re që do të funksionojë në interes të qytetarëve.

“Ne po zhvillojmë një proces bisedimesh përmes të cilit do të sigurojmë shumicë të qëndrueshme parlamentare përmes së cilës do të sigurojmë qeveri të re, përgjegjëse me një mandat të plotë katër vjeçar. Negociatat me BE-në, për parashikueshmërinë dhe sigurinë ekonomike është e nevojshme shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe formim i një qeverie të qëndrueshme, përgjegjëse që do të ecë përpara shpejt. Zhvillimi dhe promovimi i ekonomisë dhe reformat në gjyqësor do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re të udhëhequr nga LSDM-ja dhe do ta dëshmojmë këtë në njëqind ditët e para të mandatit”, tha Zaev.

Edhe nga VMRO-DPMNE është sot deklaruan se po punojnë për të formuar shumicë parlamentare.

Zëdhënësi i partisë, Dimçe Arsovski, tha se ai “as nuk i konfirmon dhe as i mohon informacionet nga burime të pakonfirmuara dhe të paidentifikuara” që partia i ka ofruar qëndrimet me BDI-në për të formuar qeveri, transmeton MIA.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së u bëri thirrje socialdemokratëve të përgjigjen me kë kanë formuar shumicë parlamentare dhe t’i kumtojnë hollësitë rreth marrëveshjes.

Hristijan Mickoski - VMRO-DPMNE
Hristijan Mickoski – VMRO-DPMNE

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dje, paralajmëroi se në ditët në vijim do të kenë takime me partitë që i fituan vendet e deputetëve për një qeveri të re të mundshme, por theksoi se ai mbetet i qëndrimit se nuk do ta bëjë me çdo kusht, nën kërcënime dhe shantazhe, por bazuar në angazhimet e programeve dhe vizionin për një jetë më të mirë të qytetarëve.

PDSH kumtoi se në takimin e liderit të vet, Menduh Thaçi me Zaevin të martën në Klubin e deputetëve në Shkup, LSDM i ka ofruar partisë të jetë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. PDSH parimisht është e mendimit të jetë pjesë e Qeverisë, por ishte dakorduar të formohen grupe të punës të cilat do t’i kryesojnë sekretarët e dy partive të cilat duhet merren vesh për hollësitë, informoi Azem Sadiki nga PDSH në profilin e tij në Fejsbuk.

Pas takimit të shkurtë me Thaçin, Zaev dje është takuar edhe me kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela dhe Alternativës, Afrim Gashi. Takimet, siç lajmëroi TV21, janë zhvilluar larg syve të opinionit,  ndërsa takimi me Ziadin Selën ka qenë në Kuvend. Tani për tani, sipas televizionit, nga LSDM nuk zbulojnë hollësi, por vetëm konfirmuan se Zaev është takuar me kryetarët e BDI-së, Aleancës dhe Alternativës.

Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Sela të martën deklaroi se pret të ketë shtet juridik i cili më shpejtë do të bëhet anëtare e BE-së. Sipas Afrim Gashit nga Alternativa, ndërkaq, partive u duhet më shumë kulturë politike dhe vullnet për t’u shërbyer qytetarëve.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas konstituimit të Parlamentit tha se është herët të flitet për pritjet dhe se nuk ka asgjë konkrete në negociatat për qeveri të re.

Nga kabineti i presidentit, për TV24 dje  porositën se Pendarovski nuk do të ftojë askënd në bisedë por do ta presë epilogun nga negociatat mes partive politike.

Ndryshe, Kuvendi të martën e konstituoi përbërjen e re parlamentare. Me propozim të Komisionit Verifikues, Kuvendi në seancën konstituive verifikoi mandatin e 120 deputetëve të përbërjes së dhjetë parlamentare, të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Kushtetuta parasheh presidenti i vendit, në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button