Sadi Bexheti lavdërohet me arritjet e tij në Tetovë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti sot ka dhënë raportin e tij për realizimet e komunës gjatë këtij viti. Ai e ka vlerësuar vitin 2012 si të suksesshëm duke thënë se ka pastruar qytetin nga mbeturinat, për ujin e pijshëm thotë se ka hapur puse të reja ndërsa ujësjellësi nuk është ndërtuar sepse kushtet klimatike nuk e kanë lejuar të njëjtin.

Sa i përket ujësjellësit që është problem shekullor në Tetovë, Bexheti thotë se janë afër realizmit të projektit kapital për të. 

“Jemi angazhuar që ta përmbyllim projektin kapital të ndërtimit të ujësjellësit të Tetovës, me mjetet të siguruara nga buxheti i komunës. Dy grupe punuese gjatë tërë kohës kanë punuar në të dy anët e ujësjellësit për ta finalizuar këtë projekt kapital. Kushtet klimatike na pamundësuan që ta përmbyllim tërësisht si projekt, por ne jemi shumë afër realizimit të plotë dhe jemi të sigurt që në kohën kur do të na lejojnë kushtet klimatike do ta finalizojmë ndërtimin” tha Bexheti.

Ai potencoi se ka pastruar Tetovën.

“Një rëndësi të posaçme i kemi kushtuar edhe pastrimit të qytetit nëpërmjet projektit “Për një Tetovë më të pastër” si dhe procesit të legalizimit që ka vazhduar përgjatë gjithë vitit” tha Bexheti.

Dhe se ka zgjidhur problemin me deponinë në Tetovë.

“Gjatë këtij viti i kemi dhënë zgjidhje përfundimtare problemit shumëvjeçar të grumbullimit të mbeturinave në pikën e ngarkim-shkarkimit pranë stacionit hekurudhor” tha Bexheti.

Komuna ka festuar me projektin “100 vite pa Shqipërinë” me rastin e kremtimit të themelimit të shtetit shqiptar me mbi 15 ngjarje kulturore dhe sportive.

Investimet gjatë një viti që i përmendi Bexheti:

– Në partneritet me USAID-in, kemi realizuar projekte të përbashkëta të frytshme për krijimin e mundësive për aftësimin e të rinjve në tregun e punës. Në këtë drejtim është edhe themelimi i Këshillit Ekonomik Social në komunën e Tetovës që hap një horizont zhvillimi ekonomik dhe përfshirje sa më të gjerë të të rinjve.

– Është rinovuar shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori” dhe shkolla fillore “Migjeni”. 
– Në partneritet me misionin e OSBE-së realizojmë projektin për siguri në shkollat e mesme.
– Në funksion të lehtësimit të trafikut, kemi investuar në hapjen e mbi 800 vendparkimeve të reja dhe në ndërtimin e pesë unazave, duke përfshirë edhe unazën e madhe në qendër të qytetit.
– Asfaltimi i tërësishëm të rrugës “Jane Sandanski”, rikonstrumin e rrugës në fshatin Poroj dhe një segment të rrugës “Dervish Cara”, ndërtimin e ujësjellësit në Reçicë, ndërtimin e rrugës afër shkollës fillore “Naim Frashëri”, kemi investuar në ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Xhepçisht dhe intervenime të tjera nëpër shkollat fillore dhe të mesme. 

“Ky është pejsazhi i përgjithshëm i këtij viti që po e lëmë pas, që siguron zhvillim të qëndrueshëm për qytetin tonë. Ne dëshirojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë, t’i pranojmë vështirësitë, sepse besojmë se vetëm në këtë mënyrë mund të jemi më realist në punën tonë dhe vetëm në këtë mënyrë mund të japim më të mirën nga vetja jonë. Shprehim bindjen e plotë se bashkërisht mund t’i tejkalojmë vështirësitë dhe mund t’ia dalim në synimin për të bërë më të mirën e mundshme në dobi të gjithë qytetarëve të Tetovës” ishte kjo fjala përfundimtare e tij./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button