Reformat në administratë dhe gjyqësor prioritet i Zaevit, nëse e ka seriozisht duhet të fillojë sapo të formojë qeverinë

Pretendenti për kryeministër, Zoran Zaev, po vazhdon bisedimet për arritjen e marrëveshjes për formim të Qeverisë, ndërkaq disa prej parimeve që do t’i ketë qeveria e ardhshme, mes tjerash përfshijnë reformat në administratë dhe në gjyqësor, dy shtylla që vazhdimisht kanë qenë në shënjestër të kritikave nga faktori ndërkombëtar për shkak të partizimit, jotransparencës dhe jo-profesionalitetit. Të njëjtat, para se gjithash janë të nevojshëm për qytetarët dhe funksionimin e shtetit ligjor dhe të drejtë, por edhe për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian. Ekspertët vlerësojnë se reformat duhet të fillojnë sapo të fillojë mandati me qëllim që të ketë kohë për t’i kryer, ndërkaq presin që përbërja e re qeveritare të japë rezultatet e dëshiruara, shkruan Portalb.mk.

Reformat në administratë të fillojnë menjëherë

Reformat në administratë gjatë mandatit të kaluar, sipas një hulumtimi të Metamorfozis, ishin të ngadalshme, më shumë u dukën në digjitalizim, ndërkaq më pak në analizat funksionale. Administrata gjithsesi vazhdon të ketë nevojë për departizim, rritje të efikasitetit, zvogëlim të numrit të madh të të punësuarve dhe numrit të institucioneve, punësimet të bëhen sipas meritokracisë, të ketë shërbime të shpejta, efikase dhe cilësore, por edhe të ketë nivelizim të pagave.

Profesori universitar profesori universitar për të Drejtën Administrative, Borçe Davitkovski, vlerëson se nëse qëllimet dhe programi i Zaevit, janë serioz, atëherë nëse formon qeveri menjëherë duhet të fillojë me reformat.

Borçe Davitkovski, kryetari në dorëheqje i Komisionit ad-hoc për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit
Borçe Davitkovski

“Tani flasim për një ide, nëse është serioz programi dhe qëllimi, reformat duhet të fillojnë sapo të fillojë mandati. Unë i mbështes reformat dhe është mirë që tërë kohën po angazhohemi po administratë të vogël, efikase dhe demokratike. Tani kjo do të varet edhe prej partnerëve të koalicionit se si me ato do të dalin në fund, por në çdo rast si angazhim është i mirë. LSDM-ja mandatin e kaluar nuk premtoi zvogëlim, megjithëse në fund të mandatit e filluan optimizimin, por ai proces dihej se nuk do të bëhet pasi që ishte vetëm për marketing politik. Deri më tani, te ne kur është folur për reforma asnjëherë nuk ka pasur vullnet politik, tani dëgjojmë se prej përpara është treguar vullnet politik që është për t’u përshëndetur. E tani si do të jetë pastaj, duke e pasur parasysh se një gjë flasin para zgjedhjeve dhe tjetër gjë bëjnë pas zgjedhjeve, ajo është pyetje për një milion dollar”, thotë për Portalb.mk, Davitkovski.

Zaevi paralajmëroi zvogëlim të administratës për 20%, bashkëngjitje dhe resorëve dhe drejtorive, por edhe zvogëlim të ministrive.

“Aktorët e rinj të qeverisë së re duhet që të jenë të gatshëm për reforma në administratën publike – flasim për ndryshim i cili do të sjellë shërbim efikas ndaj nevojave të qytetarëve, por edhe zvogëlim të vëllimit të administratës për 20%. Flasim për më pak numër të ministrave dhe për racionalizim të shërbimeve publike, por për më shumë numër të shërbimeve dhe më të shpejta. Kjo do të thotë se ministrat që i zgjedhim që t’i udhëheqin eurointegrimet ose t’i koordinojnë politikat ekonomike, ata që ishin zëvendëskryeministra janë në shqyrtim, ndërkaq të gjithë tjerët, sa i ishin, 5,6 ose 7 do të zvogëlohen. Shteti, sipas Ligjit për Qeveri duhet të ketë 16 ministri, a tani kemi 26 – këtë numër do ta zvogëlojmë”, premtoi Zaev.

Portalb.mk në vazhdimësi e ka përcjellë procesin e reformave në administratë dhe konkluzionet për realizimin e premtimeve gjatë mandatit të kaluar mund t’i lexoni: KËTU

Besimin e humbur të qytetarëve në gjyqësor, mund ta kthejë vetë gjyqësori

Gjyqësori gjithsesi është ndër parimet kryesore të Zaevit për reforma, duke e pasur parasysh se edhe Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit me kryeprokuroren speciale.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet, por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, të cilin edhe vetë fituesi i zgjedhjeve Zaev po e promovon dhe premton se do ta bëjë sapo të vijë në pushtet, profesoresha universitare, Besa Arifi, vlerëson se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Besa Arifi
Besa Arifi

“Është e qartë që reformat në gjyqësor duhet të përfshinë një mënyrë të pastrimit të gjyqësorit nga gjyqtarët penalist të përgjegjshëm dhe kontrollimit të pronës së të gjithë gjyqtarëve tjerë. Raportet e Pribesë dhe të Komisionit Evropian nuk kanë këshilluar një proces tërësor vetingu të tipit të Shqipërisë për shkak se një proces i tillë ka tendencë të paralizimit të sistemit gjyqësor në tërësi. E megjithatë, një kontroll adekuat i pronës është i mundshëm përmes një procesi transparent dhe të vazhdueshëm i cili në fillim do të ishte më voluminoz, gjersa të gjithë gjyqtarët të kalonin nëpër të. Nuk besoj që kjo do të vështirësonte proceset gjyqësore veçanërisht për shkak se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut ka vuajtur ndër ndikimin e disa gjyqtarëve konkretë dhe vendosja e përgjegjësisë penale për ta e kombinuar me kontrollin e pronës dhe konflikteve të interesit për të tjerët besoj që do të japin rezultatin e dëshiruar. Duhet pasur parasysh që proceset e reformimit të gjyqësorit marrin shumë kohë dhe kërkojnë shumë përkushtim dhe këmbëngulësi. Edhe nëse mbaron ky proces në mënyrën më të mundshme, për ta kthyer besimin e qytetarëve, vetë gjyqësori duhet atë ta dëshmojë me vendime të drejta”, thotë Arifi.

Një prej parimeve më të rëndësishme që ka paralajmëruar Zaev, do të jetë që ta zgjidh deri në fund krimin dhe korrupsionin në të gjithë nivelet, përfshirë edhe gjyqësorin.

“Çdokush do të bartë përgjegjësinë e tij, pa dallim nëse vjen nga partia, komuna, institucione, a nëse është ekspert, funksionar, i njohur apo i panjohur. Kujdes të veçantë do t’i kushtojnë pjesës për pastrimin e gjyqësorit dhe kontrollin e prejardhjes së parave dhe kapitalit te çdo funksionar, sipas rrugës së sistemit që bashkë do ta caktojmë”, theksoi Zaev.

Sido që të jetë, gjyqësori vazhdon të mbetet “plaga” që më së shumti u dhemb qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht kur kjo plagë ngacmohet e rëndohet nga ata që duhet ta shërojnë.

Portalb.mk në vazhdimësi e ka përcjellë procesin e reformave në gjyqësor dhe konkluzionet për realizimin e premtimeve gjatë mandatit të kaluar mund t’i lexoni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button