Kur normaliteti duhet vlerësuar

Seanca konstitutive e Kuvendit që u mbajt të martën na kujtoi edhe një herë ku ishim dhe ku jemi tani. Herën e fundit që u mbajt kjo seancë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 përfundoi me cenim terrorist të rendit kushtetues, dhe me pamje makabre të deputetëve të përgjakur dhe gazetarëve të traumatizuar.

Tani ishte ndryshe. Tani ishte një seancë normale konstitutive, ashtu siç duhet të jetë sipas rendit kushtetues të vendit. Edhe pse situata mund të duket e ngjashme me seancën e viti 2017, sepse sërish ka më shumë kandidatë që pretendojnë se do të formojnë shumicën parlamentare, sërish, seanca konstitutive ishte një senacë normale, ashtu siç duhet të jetë. Nëse heqim anësh pandeminë Covid19 që pamundësoi disa deputetë të paraqiten në seancën e cila u mbajt duke respektuar protokollet shëndetësore, si dhe nëse heqim anësh sallën kiç ku kjo seancë u mbajt dhe e cila ishte pjesë e renovimit të bërë brenda projektit Shkupi 2014, mund të themi që ishte njëra ndër ato seancat e rregullta konstitutive të cilat jemi mësuar ti shohim plot tetë herë më herët gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Të mos harrojmë që vetëm para disa vitesh normaliteti ishte luks në këtë vend. Nuk kishim institucione normale, nuk kishim kuvend normal, nuk kishim seancë konstitutive normale edhe atë vetëm para tri vitesh. Është ndjenjë interesante kur normaliteti duhet përshëndetur dhe duhet çmuar si diçka e vlefshme. Por për shkak se abnormaliteti zgjati aq shumë në këtë vend, normaliteti është një vlerë e cila gjithsesi duhet ruajtur me kujdes të madh.

Pas këtij procesi zgjedhor i cili përfundoi me këto numra deputetësh, tani është radha e subjekteve politike të krijojnë qeverinë. Dhe është shumë i kuptueshëm mesazhi që vjen nga Ambasada Amerikane në Shkup e cila këshillon që qeveria të krijohet sa më parë. Në këto kushte pandemie nuk ka kohë për inate personale, sueta dhe kapriço. Numrat janë ata që janë prandaj nuk duhet humbur kohë, sepse vendi përballet me aq shumë sfida sa vërtet çdo lloj hezitimi ose kalkulimi personal mbetet i pakuptimtë.

Pas seancës konstitutive Zaev si lider i partisë me më shumë mandate në kuvend dhe si mandatar i ardhshëm, premtoi që qeveria e ardhshme do të punojë fuqishëm të risë ekonominë e vendit. E pra pikërisht për këtë arsye formimi i qeverisë së re nuk mund të presë. Ekonomia e vendit përballet me probleme serioze të cilat janë të dukshme për qytetarin e thjeshtë. E njëjta do të përballet me probleme edhe më të mëdha gjatë valës së ardhshme të pandemisë e cila pritet të ndodhë në vjeshtë. Prandaj kohë për të humbur nuk ka. Është koha kur duhen lënë anësh inatet dhe duhet marrë mbi vete përgjegjësitë.

Gjatë kësaj seance konstitutive si gjithmonë edhe shtypi dhe mediat kishin rol të rëndësishëm. Pamë edhe situata jo të lakmueshme që ndodhën me gazetarë. Çdo politikan duhet të dijë që çdo gazetar ka të drejtë të pyesë çfarëdo që mendon se është e rëndësishme që ndjekësit e mediumit ta dinë dhe është zgjedhja e politikanit si do të përgjigjet në pyetjen e parashtruar. Mediat janë pushteti i katërt në një vend dhe duhen respektuar. Çdo pyetje e tyre duhet trajtuar me kujdes. Secili që ka vendosur të merret me politikë duhet ta dijë që mediat janë pjesë e kësaj jete dhe duhet të mësohet me to. Secili politikan duhet të përgjigjet edhe kur mediat bëjnë pyetje të rënda – veçanërisht kur ato bëjnë pyetje të rënda, apo siç u quajtën para pak kohësh “të vegetosura”. Mënyra si politikani përgjigjet edhe tek këto pyetje tregon aftësinë e tij për të komunikuar, përmbajtjen dhe durimin që duhet të ketë në funksionin që ushtron. E të gjithë e dinë që politika kërkon shumë durim.

Për më tepër, jo vetëm secili politikan por edhe secili njeri tjetër që ka një profesion të caktuar duhet gjithmonë të jetë i gatshëm ti përgjigjet pyetjes së një gazetari. Edhe qytetari i thjeshtë edhe nxënësi i shkollës, gjithkush. Kultura mediatike është diçka që duhet kultivuar sepse mediumet janë treguesi më i mirë i nivelit të demokracisë në një shtet. Nuk ka asgjë më normale në një demokraci se sa mediumet dhe zëri i tyre kritik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button