Sfidat dhe mënyrat e organizimit të mësimit në distancë dhe të kombinuar

Edhe pse kanë ngelur rreth 3 javë deri në fillimin e vitit akademik, për fat të keq nuk shohim ndonjë debat të mirëfilltë nga shoqëria, mediat ose institucionet përkatëse për sfidat dhe formën e organizimit të arsimit, veçanërisht atij fillor dhe të mesëm.

Një përshkrim i shkurtër i përjetimit të mësimit online në një familje me tre fëmijë (klasa VI, VIII dhe viti i parë Gjimnaz), dy prindër profesorë universitarë dhe 4 laptopë. Në klasën VI nuk ka pasur fare komunikim të drejtpërdrejtë me mësuesit. I gjithë mësimi është zhvilluar në formën e dërgimit të detyrave dhe përgjigjeve nëpërmjet aplikacioneve viber, whatsapp apo platformës Classroom. Në klasën VIII, përveç në një lëndë ku mësimi është mbajtur rregullisht nëpërmjet video-komunikimit, i gjithë mësimi është zhvilluar në formë të njëjtë si në klasën e gjashtë. Në vitin e parë Gjimnaz, përveç në 4 lëndë ku mësimi është mbajtur me video-komunikim(nga gjithsej 14 lëndë), mësimi është mbajtur nëpërmjet platformave, viber, whatsapp, edmodo, classroom. Mospasja e një orari të rregullt vështirësonte edhe më shumë komunikimin e mirëfilltë me arsimtarët (arsimtari u dërgon pyetjet nxënësve në ora 20:00 me kërkesë që t’ia kthejnë përgjigjet deri në ora 20:40). TV klasa, një mundësi shumë e mirë për mësim plotësues, por për fat të keq nuk e ndiqnin nxënësit, sepse shpesh në të njëjtën kohë komunikonin ose kryenin detyrat që u kishin dhënë arsimtarët. Pastaj, pse të ndjekin një emision që nuk i pyet askush për përmbajtjen e tij, kur edhe ashtu ishin të mbingarkuar me detyra. Platforma Eduino që duhej të shërbente si burim shtesë me aktivitete të ndryshme nuk u ushqye si duhet dhe pas disa muajsh funksionimi ka akoma lëndë që nuk kanë asnjë material në brendi, disa lëndë kanë vetëm nga një video e disa lëndë e kanë përmbajtjen e njëjtë në vite të ndryshme. Si përfundim, kishim vështirësi në menaxhimin e laptopëve për shkak të orarit jo të rregullt të komunikimit të arsimtarëve me nxënësit, të cilët kuptohet që në momentin që merrnin detyrat, vraponin që të njëjtave t’u përgjigjen sa më shpejt, që të jenë të parët që u dërgojnë mësuesve. Komunikimi vetëm në formën e detyrave ishte ngarkesë shtesë edhe për ne si prindër (njëri me përgatitje në shkencat e natyrës, tjetri në shkencat shoqërore, e të mos flasim për familjet ku prindërit kanë vetëm arsim fillor). Realisht fëmijët s’kishin përse lodheshin shumë me detyrat, ngase se mjaftonte t’i zgjidhte njëri, t’i ngarkonte në classroom, ku kishin qasje të gjithë nxënësit dhe puna e detyrave kryhej. Pastaj harrojmë se nxënësit janë shumë më të shkathtë në komunikim me rrjetet sociale, saqë i dërgonin detyrat e zgjidhura njëri-tjetrit.

Pyetjet që duhen adresuar për vitin shkollor që na afrohet janë:

Si do të jetë forma e organizimit të mësimit?

Këtu nuk ka diskutim që do të jetë e kombinuar me prezencë fizike dhe mësim në distancë.

Si do të organizohet mësimi i kombinuar?

Në gjendjen që jemi duhet që fëmijët të jenë sa më pak rrugëve dhe korridoreve apo oborreve të shkollave. Orët 20 – minutëshe do të jenë vetëm humbje kohe, sepse deri sa arsimtari të hyjë në klasë, të fillojë orën, do të cingërojë zilja. Orët duhet të jenë së paku 30 minuta dhe nxënësit të shkojnë 2 deri 3 ditë në javë në shkollë, ku arsimtarët në formë të shkurtuar i parashtrojnë temat ditore dhe javore, kurse sqarimet shtesë i bëjnë nëpërmjet platformave online. Ndarja në grupe më të vogla do të sjellë në sipërfaqe sistemin dyklasësh të arsimit fillor dhe të mesëm në RMV. Derisa në pjesën maqedonase shumica e shkollave janë me një ndërrim, te shqiptarët shumica e shkollave janë me dy ndërrime dhe shpesh në klasa me mbi 30 nxënës, veçanërisht në zonat urbane.

Për mësimin fizik arsimtarët duhet të krijojnë tema ditore dhe javore që do t’i përshtaten orarit të shkurtuar, por që janë të kombinuara mirë me mësimin në distancë.

Për mësimin në distancë duhet të shfrytëzohen burime të ndryshme, duke filluar nga platformat zoom, meet apo edhe platforma të tjera, si dhe burime ku nxënësit mund të realizojnë eksperimente dhe në të njëjtën kohë të mësojnë në shumë lëndë njëkohësisht. Kuptohet që idealja do të ishte nëse MASH do të krijonte një  platformë të veçantë për mësimin në distancë. Nëse vazhdohet me TV klasa apo Eduino të njëjtat duhet të jenë pjesë integrale e mësimnxënies në shkolla.

Është me rëndësi që zgjidhja të jetë sistematike, me qasje të lehtë dhe e mbajtur mirë në mënyrë institucionale.

Si mësimi fizik, ashtu edhe ai në distancë, duhet të ndjekin orare të rregullta.

Është me rendësi që të gjithë nxënësit të jenë pjesë e mësimit fizik dhe në distancë

Mësimi në distancë!!!

Jemi të vetëdijshëm që një pjesë e arsimtarëve kanë vështirësi me shfrytëzimin e platformave të mësimit në distancë. Prandaj është me rëndësi që të njëjtit të trajnohen paraprakisht. Çdo shkollë ka arsimtar të informatikës, që mund t’i shoqëronim absolventë të Teknologjisë së informacionit apo edhe të diplomuar të papunë në fushën e TI, të cilët do t’u dilnin në ndihmë arsimtarëve. Një pjesë e arsimtarëve që nuk kanë kushte në shtëpi mund t’i shfrytëzojnë burimet e TI në shkolla. Ato shkolla që nuk kanë infrastrukturë munden për një kohë të shkurtër të furnizohen (të paktën me kompjuterë personalë dhe kamera).

Në çdo shkollë nga çdo kujdestar klase të identifikohen nxënësit që kanë mungesë të pajisjeve përkatëse për mësim në distancë dhe për të njëjtit të gjejmë zgjidhje. Për ata prindër dhe nxënës që kanë vështirësi t’i përdorin pajisjet duhet organizuar trajnime dhe udhëzime si t’i përdroin të njëjtat. Trajnime të tilla nuk zgjasin më shumë se disa ditë dhe të njëjtat mund t’i realizojë sektori i TI në shkollë.

Gjithashtu duhet identifikuar arsimtarët që kanë vështirësi në realizimin  e mësimit në distancë dhe të njëjtëve t’u shoqërojmë nga një absolvent apo të diplomuar në fushën përkatëse, që në mënyrë të kombinuar do ta mbanin mësimin. Kjo nuk duhet të merret si dobësi e arsimtarit, por thjesht si ndihmesë.

Kuptohet që këto kuadro shtesë duhet të kompensohen për angazhimin e tyre.

Metoda e vlerësimit!!!

Duhet të fillojmë të ndërtojmë një koncept tjetër të vlerësimit që do të marrë në konsideratë format e ndryshme të kontributit të nxënësve. Nxënësi me të drejtë pyet, si ka mundësi që unë gjatë gjithë gjysmëvjetorit i kam bërë  detyrat ( kjo ka qenë e vetmja kërkesë e arsimtarit) dhe arsimtari nuk ma rriti notën?

Sigurimi i librave!!!

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës duhet të ndryshojë konceptin e qasjes së nxënësve te librat përkatëse. Nxënësit duhet të kenë mundësi t’i kenë librat edhe në formë elektronike ose të njëjtat të mund t’i sigurojnë edhe nëpër librari. Nuk mund të vazhdohet me libra të dëmtuar, me faqe që mungojnë.

Respektimi i masave kundër COVID-19?

Në kushtet e pandemisë janë disa masa që duhen respektuar, si distanca, mbajtja e maskave dhe dezinfektimi i rregullt. Në një shoqëri, ku pjesa dërmuese nuk i respekton masat dhe nuk beson në ekzistimin e pandemisë, do të jetë sfidë në vete që të gjithë fëmijët të mbajnë maska, të mos flasim edhe për ngarkesën shtesë financiare për familjet.

Veçanërisht në shkollat ku mësimi veçse zhvillohet në dy ndërrime dhe të mbingarkuara me nxënës, zgjidhja do të jetë edhe më e vështirë. Këtu lindin edhe pyetje tjera: Ç’të bëhet me klasat ku ndonjëri nga nxënësit del pozitiv? A do të izolohet e gjithë klasa ose edhe familjarët e tyre? Si do të realizohet mësimi për këtë grup nxënësish? Ky është një element shtesë që do të vështirësojë edhe më shumë gjendjen sociale dhe shoqërore.  Këtu duhet pasur parasysh se mungesa e seriozitetit dhe edukatës në sjelljen ndaj të infektuarve, stigmatizimi që ju bëjmë ne atyre, do të vështirësojë edhe më shumë bashkëjetesën në shkolla të nxënësve.

 

Në këtë periudhë nuk duhet të diskutojmë në forma të përgjithshme me debate të pafund për strategji afatgjate, por duhet gjërat t’i themi qartë dhe në formë të kuptueshme, që të mundemi sa më shpejt të gjejmë zgjidhje, sepse ne veç jemi vonë në ndërtimin e konceptit, nëse dëshirojmë që mësimi të fillojë më një shtator. Kuptohet që nuk e kemi shkopin magjik për t’i zgjidhur problemet përnjëherë, por duhet të fillojmë sa më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button