Qendra për Komunikime Civile: 48 për qind e kompanive vlerësojnë se ka korrupsion në furnizimet publike

Çmimi më i ulët si kriter për furnizimet publike mbetet problem për kompanitë, ndërsa 48 për qind e tyre besojnë se ka korrupsion në furnizimet. Këtë e tregon raporti i fundit i Qendrës për Komunikime Civile, nga monitorimi i kryer për periudhën korrik-dhjetor 2019, bazuar në rezultatet e anketës së kompanive për përvojën e tyre gjatë pjesëmarrjes në tender, njofton Portalb.mk.

Monitorimi tregoi se anulimet e shpeshta të tenderëve, arsyet e anulimit dhe madhësia e tenderëve për të cilat merren vendime të tilla e hapin dilemën nëse me anulimet mbulohen dobësitë në zbatimin e procedurave të furnizimit publik ose manipulimet.

“Transparenca e furnizimeve publike nuk është në nivelin e parashikuar sipas ligjit të ri për furnizime publike. Në më shumë se një çerek të procedurave të monitoruara në nivelin qendror (27,5%), ka pasur mosrespektim të obligimeve ligjore për raportim në lidhje me tenderat e zbatuar.  Në 97 për qind të tenderëve, çmimi më i ulët është përdorur si kriter për zgjedhjen e ofertës më të favorshme, ndërsa ankandi elektronik është përdorur në rreth 94 për qind të tenderëve. Kjo sjellje e institucioneve nuk është në përputhje me trendët aktuale evropiane, as nuk korrespondon me kërkesat e komunitetit të biznesit”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se, pagesa me vonesë është përsëri një problem i madh për kompanitë, të cilat presin mesatarisht shtatë muaj për pagesë të kërkesave të furnizimeve të përfunduara.

“Dyzet e tetë për qind e kompanive besojnë se ekziston korrupsion ‘gjithmonë’ ose ‘shpesh’ në furnizimin publik. Kompanitë e vlerësojnë procesin e prokurimit publik në vend me një notë mesatare prej 2.82 (në një shkallë prej 1 deri në 5), që është një rënie e vogël në krahasim me vitin e kaluar, kur rezultati ka qenë 2.87”, theksojnë nga Qendra për Komunikime Civile.

Në vitin 2019, në negociata të drejtpërdrejta dhe pa shpalljen e konkursit, janë lidhur 368 kontrata, në vlerë totale prej 40 milion eurosh e cila krahasuar me një vit më parë numri i kontratave u ul, por vlera u rrit me 21 për qind. Monitorimi i furnizimit publik bëhet në kuadër të veprimtarisë Shpenzimet publike për të mirë publike, mbështetur nga Projekti i USAID-it për pjesëmarrje qytetare. Qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e efektivitetit të shpenzimeve publike përmes uljes së korrupsionit dhe rritjes së transparencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button