Butel, gërmadha apo shkollë? (FOTO)

Shkolla fillore “Zhivko Brajkovski” në komunën e Butelit, të jep përshtypje që do të rrënohet nga gjendja të cilën ajo ka. Nëse analizohet gjendja e objektit , nuk mund të kuptohet se si në këto kushte zhvillohet procesi i arsimit fillor. 

Kushtet minimale që janë nën kulmin e asaj barake, dritaret e thyera, objekt shumë i vjetër, e si pasojë e kësaj vjen edhe tek papastërtia, ku korridoreve u mungonte higjiena e mos të flasim për gjendjen e tualeteve, bëjnë që procesi mësimit të jetë i rëndë madje edhe i rrezikshëm.

Kur shikoje nxënësit në korridoret e shkollës, gjërat e para që të binin në sy ishin palltot e nxënësve, të cilët nuk dilnin pa i veshur ato nga i ftohti i cili kishte kapluar korridoret e shkollës.
Nxënësit ankoheshin nga i ftohti, dhe disa pohuan se jo vetëm nëpër korridore, por ka edhe disa klasa në të cilat është ftohtë edhe pse ka ngrohje qendrore. 

Drejtoresha e shkollës Vesna Damçevska Ilievska thotë se derisa të ndërtohet objekt i ri, ata kanë riparuar pjesët më kritike të shkollës me qëllim që të jetë i mundshëm procesi mësimor.

“Ajo që është mundur të bëhet është rekonstruimi i disa pjesëve të shkollës, me qëllim që të krijohet një ambient solid për mbajtjen e procesit mësimor. Kjo u mundësua nga donacionet e prindërve, të cilët intervenuan bashkë me shkollën të riparohen disa segmente të dëmtuara të shkollës, dhe po ashtu këtë vit fituam grant nga USAID me vlerë prej 25 mijë dollarë, dhe bëmë rekonstruim të tërë të sallës sportive”, tha Ilievska. 

Ajo ndër tjerat tha se shkolla do vazhdojë të riparohet dhe do të ketë edhe intervenime ne pjesë tjera të shkollës gjatë muajve që vijojnë.

Portalb foli udhëheqësja e sektorit për arsim nga Komuna e Butelit, Liljana Gaxhovska, e cila tha se komuna i ka parasysh kushtet e këqija të shkollës dhe se pritet që të fillojë projekti për ndërtimin e një objekti të ri shkollor.
“Është e saktë se në shkollën fillore Zhivko Brajkovski kushtet janë minimale, baraka është e vjetër 50 vite dhe ashtu është gjendja e saj. Mirëpo në këtë drejtim është bërë projekt për ndërtimin e një objekti të ri shkollor, i cili do të jetë modern dhe do i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat”, tha Gagjovska.

Ajo shtoi se projekti është dashur që të jetë i filluar veç më, mirëpo për arsye të disa problemeve që janë paraqitur, e kanë ngadalësuar këtë proces mirëpo ajo që është me rëndësi është se objekti i ri do të ndërtohet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button