RMV, vendi i parë në rajon që lidhi marrëveshje me BE-në, 25 vite më vonë pritet të hapen negociatat

Këshilltari shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane, Dragan Tilev, që nga vitet e 90-ta ka ndjekur rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për Portalb.mk ai tregon se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që në vitin 1995 e nënshkroi marrëveshjen për bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Sipas tij, në nëntor 2020 pritet të hapen kapitujt e parë të negociatave për aderim përfundimtar në familjen evropiane.

Dragan Tilev, foto: SÇE

Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që nënshkroi marrëveshjen për bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Atë kohë Republika e Maqedonisë, e sapo pavarësuar nga Federata jugosllave, nënshkroi me Bashkimin Evropian marrëveshjen e parë për bashkëpunim në vitin 1995, që ishte më shumë simbolikë, që dëshmonte përcaktimin strategjik të vendit për të ardhmen e tij në familjen evropiane.

Kjo ndodhi në një kohë kur konfliktet apo thënë më mirë luftërat e përgjakshme në Bosnjë dhe Kroaci ishin kah fundi por nuk kishin mbaruar ende, ndërsa Maqedonia kishte filluar të ‘merrte frymë’ nga tërheqja e embargos greke që kontestonte emrin e shtetit të ri, që kishte ndodhur vetëm me arritjen e një marrëveshjeje bilaterale, për referencën e përkohshme ish-Republika jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

E gjendur nën kërcënimin permanent të Jugosllavisë së atëhershme të Millosheviçit (Serbisë), e cila 2 vite më parë, pikërisht në vitin 1993 i kishte plaçkitur gjithë armatimin që posedonte, kjo marrëveshje ishte një lloj shprese për vendin, se nuk është vetëm, dhe se ka shpresë që një ditë të jetë pjesë e BE-së.

Për të mësuar se si rrodhën ngjarjet gjatë kësaj periudhe mbi 25 vjeçare, intervistuam një ndër dëshmitarët e këtij procesi, Dragan Tilev, Këshilltar shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane.

Ky rrugëtim i vendit, thotë ai, në asnjë periudhë dhe në asnjë mënyrë nuk ishte i lehtë dhe i thjeshtë, përkundrazi u investua shumë mund, shumë negociata, kontakte, lobime, thotë një ndër njerëzit që ishte i kyçur që nga momentet e para në këtë proces.

‘Shteti ynë ishte i pari, në tërë rajonin që nënshkroi Marrëveshjen për Bashkëpunim me Bashkimin Evropian në vitin e largët 1995-të, ishte si një uverturë para nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Pas atyre momenteve të krizave që zhvilloheshin në rajonin tonë, vitet 1999 dhe 2000, ne ishim vendi i parë që nënshkruam Marrëveshjen për asociim dhe stabilizim, që edhe sot është aktuale, pikërisht para 20 viteve dhe pikërisht në Zagreb, e nënshkruam të parët këtë marrëveshje. 20 vite më pas, pikërisht në Zagreb, nën Presidencën e Kroacisë, arritëm të marrim edhe vendim për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE’, deklaron Dragan Tilev, këshilltar shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, pozitiv ishte fakti se u krijua një ekip i veçantë për negociata dhe punë permanente me Brukselin.

‘Formuam një njësi të vogël për çështje evropiane, që punonte me programin PHARE dhe i njëjti u rrit në sektor për euro-integrime që i kishte të gjitha funksionet që sot i ka Sekretariati për çështje evropiane. Sekretariati për çështje evropiane u formua në vitin 2005, dhe që atëherë filloi të funksionojë si sekretariat, me identitet të posaçëm, me buxhet të vetin, dhe qëllimi ishte të dëshmojmë edhe brenda vendit edhe jashtë se ne jemi shumë seriozë në drejtim të vendosjes së një sistemi koordinativ, që mund ta mban ngarkesën e procesit euro-integrues’, thotë Tilev.

Kur ishin mundësitë më të favorshme për të marr datë për negociata?

Tilev thotë se para 9 viteve ekzistonte një mundësi e artë.

‘Në vitin 2012 ekzistonte një dritare e vogël për të fituar një vendim për të fituar datë për fillimin e negociatave, por çdo herë duhet pritur që të gjitha gjërat të lidhen dhe të vijnë në vend të vetin, dhe të merret vendimi final’, thotë Tilev, këshilltar shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane.

Mundësitë për një gjë të tillë u rritën shumë pas formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2016-të, thotë Tilev.

‘Vitet 2017, 2018 dhe 2019 ishin vite të zgjidhjes së çështjeve të hapura, edhe me Republikën e Greqisë edhe me Republikën e Bullgarisë, probleme të vjetra, të shtresuara, të cilat ngadalë u amortizuan, u zhvendosën nga aspekti negativ, në perspektivë pozitive’, thotë Tilev.

Për të, Misioni i Republikës së Maqedonisë së veriut në Bruksel është një nga misionet më të rëndësishme të vendit, ndërsa në të ardhmen do të jetë edhe misioni më i rëndësishëm diplomatik.

Sa i përket Metodologjisë se re të BE-së për shtetet aspirante, pritet definimi i Kornizës negociuese, dhe nëse kjo miratohet, kah nëntori i këtij viti hapen kapitujt e parë.

‘I është dhënë mandat Komisionit Evropian të përgatis kornizë për bisedime, këtë kornizë KE e ka definuar, e njëjta u prezantua nga komisioneri për zgjerim Varhejli, dhe e dorëzoi në duart e Këshillit Evropian, dhe më një fjalë nga Komisioni Evropian, procedura u bart te shtetet anëtare. Shtetet anëtare deklarohen për përmbajtjen e kornizës biseduese’, thotë Tilev.

Sipas tij, gjatë hapjes së kapitujve, Maqedonia e Veriut ka fat sepse një ndër shtetet më përkrahëse në procesin euro-integrues ka presidencën, dhe kjo është Gjermania, një lidere e vërtetë e Evropës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button