MPB padi për kryetarin e Bogovinës, Xhemaili: Le të dorëzojnë edhe 100, nuk heq dorë nga ujësjellësi

SPB Tetovë ka dorëzuar padi penale kundër kryetarit të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili për shkak të ndodhive në fshatin Siniçan në lidhje me ujësjellësit. Xhemaili për Portalb.mk, thotë se ai nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga ndërtimi i ujësjellësit edhe policia dorëzon 100 padi kundër tij.

“SPB Tetovë ka dorëzuar padi penale kundër kryetarit të Komunës së Bogovinës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “kryerje e detyrës zyrtare në mënyrë të pandërgjegjshme” dhe personit juridik nga Bogovina, në pronësi të M.A. (59) për shkak të ekzistimit të dyshimit për kryerjen e veprës penale “ndërtim pa leje”, thonë nga SPB Tetovë.

Sipas policisë, në korrik, kryetari i Komunës ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme në kryerjen e detyrës dhe autorizimit zyrtar, ka mundësuar fillimin e ndërtimit të ujësjellësit për qytetarët e fshatit Siniçan të Tetovës, pa siguruar dokumentacion përkatës dhe miratim për fillimin e ndërtimit. Pastaj, siç thonë nga Policia, nëpërmjet Ndërmarrjes Publike, kryetari ka dhënë udhëzime që të angazhohet operatori ekonomik, gjegjësisht i paraqituri i dytë, edhe pse e ka ditur se për ndërtimin e ujësjellësit nuk ekziston miratim dhe ka filluar ndërtimi.

Nga ana tjetër kryetari Xhemaili për Portalb.mk, thotë se për padinë është i njoftuar nëpërmjet mediave, ndërkaq ai nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga ndërtimi i ujësjellësit pasi që është nevojë e qytetarëve.

“Ky shtet kështu siç është, unë për veten time e dëgjoj në lajme, as një njoftim zyrtar, asnjë në shtëpi smë kanë dërguar letër, apo te puna, sepse jam kryetar komune kam zyrë kam shtëpi. Në SPB Tetovë kur kam qenë në bisedë informative kemi folur për situatën, por s’më kanë paralajmëruar se mund të dorëzojnë padi penale. Në qoftë se qenka kriminalitet ta furnizosh popullatën tënde me ujë për pije në kohë pandemie atëherë veprimet tjera nuk e di si t’i quaj. Veprimi ka qenë me urdhëresë pune, me vendim të Këshillit Komunal a në qoftë se se dikush bën teket e veta politike unë se kam ndërmentdhiç, le të vazhdojnë me padi jo 1 po 100, gajle se kam”, thotë Xhemaili.

Në ndërkohë, sot është dashur që të ketë takim në Qeveri në lidhje me zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në fshatin Siniçan, por i njëjti është anuluar dhe janë dorëzuar vetëm kërkesat e fshatit Urviç të po të njëjtës komunë.

Ndryshe, fshati Siniçan gjatë kohë ka problem me ujin e pijshëm. Për këtë shkak, para një jave, banorët e fshatit me vetëiniciativë dolën për të punuar dhe për të rregulluar një gyp për ujësjellës të përkohshëm, në një vend malor në hyrje të fshatit fqinj, Urviç. Por, banorët e Urviçit nuk lejojnë të merret ky burim me ujë prandaj dhe e kanë thirr policinë e cila i ndaloi punimet me pretekstin se presin urdhrin me shkrim nga prokuroria që të tërhiqen.
Edhe sot situata mbetet e njëjtë, policia dhe disa nga banorët e fshatit Siniçan vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku gjendet gypi por duke mos punuar në të njëjtin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button