Rritja skandaloze e çmimit të rrymës në RMV, interesi i kompanive para interesit të qytetarëve!

Vendimi i Komisionit Rregullator i Energjetikës (KRRE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike është skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët  se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike, shkruan Portalb.mk.

Furnizim të sigurt dhe kualitativ të shpenzuesve me energji, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe natyrës, mbrojtje të konsumatorëve, mbrojtje dhe avancim të veprimit të të punësuarve në sektorin energjetik dhe mbrojtje të tregut të energjisë në bazë të parimeve të objektivitetit, transparencës dhe jodiskriminimit.
Për këto duhet të kujdeset Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE), i cili sipas ligjit është trup i pavarur, i cili merr vendime të pavarura nga pushtet tjera. Po, e lexuat mirë – duhet t’i mbrojë konsumatorët!

Komisioni Rregullator kësaj radhe në mes të krizës botërore shëndetësore dhe ekonomike që rëndë e ka goditur edhe Maqedoninë e Veriut “i ka mbrojtur” qytetarët nga interesat e kompanive duke ua shtrenjtuar çmimin e rrymës elektrike madje për nivel rekord prej 7,42%, në kohën kur shtetet shumë të zhvilluara i ulin çmimet.

Sipas metodologjisë për caktimin e çmimit të rrymës elektrike, Komisioni nuk e merr parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve, nivelin e pagave, (mos)kënaqësinë e konsumatorëve, apo krizën në të cilën gjendet shteti. Gjithsesi rritja e çmimit është bërë që kompanitë për prodhim dhe distribuim të rrymës, të mos punojnë në humbje, ndonëse qytetarët me krizën e KOVID-19 janë të dëmtuar në aspektin ekonomik.

A mbrohet konsumatori duke i mbrojtur kompanitë që të mos punojnë me humbje?

Branimir Jovanoviq
Branimir Jovanoviq

“Ky vendim i Rregullatorit është në interes të kompanive dhe në dëm të qytetarëve, që nuk duhet të jetë ashtu. Për atë vendimin patjetër duhet të revidohet, pasi që nuk mundet Rregullatori më shumë të kujdeset për profitin e kompanive se sa për qytetarët. Edhe po të kishin humbje ato kompani që i përmend KRRE, krizë është, të gjithë ndërmarrjet do të kenë humbje. A duhet që qytetarët të kujdesen për ato kompani milionëshe që me vite të tëra kanë realizuar profite, apo duhet që të kujdesemi për qytetarët e thjeshtë? Pra, edhe EVN, edhe ELEM edhe MEPSO, në vitet e kaluara kanë bërë fitime shumë të mëdha. Për shembull, EVN vjet ka pasur 36 milionë euro, ELEM 3 milionë euro, por vitin para atij 30 milionë, që nuk janë para të vogla – pra nuk flasim për ndërmarrje që do të shuhen, por flasim për ndërmarrje që kanë shumë para në llogari dhe tani në këtë krizë edhe pak krizë të kenë – nuk do të shuhen, pra shteti nuk duhet që t’i mbrojë këto kompani, por qytetarët”, thotë për Portalb.mk profesori universitar Branimir Jovanoviq.

Kryetari i KRRE-së në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, arsyetohet se ata e mbrojnë konsumatorin duke mos i miratuar kërkesat në tërësi të kompanive, por sipas tij, këto kompani duhet që të funksionojnë për shkak se duhet të sigurojnë energji elektrike.

Marko Bislimovski
Marko Bislimovski

“Kjo rritje e çmimit të energjisë është vetëm që kompanitë ta mbarojnë vitin në zero dhe të sigurojnë furnizim të energjisë elektrike, deri në vitin e ardhshëm nëse kthehen profitet që i kanë pasur përsëri do ta ulim, nuk është ajo problem. Për mbrojtjen e konsumatorëve gjithashtu kemi miratuar rregullore për furnizimin me energji elektrike, mund ta lexoni vetë matësin e rrymës, miratuam rregullore për dëmshpërblim nëse nuk je i kënaqur me furnizimin, pra mund të paditet EVN dhe e gjithë kjo funksionon, por qytetarët nuk i përdorin të drejtat. Gjithashtu, MEPSO kërkonte rritje të çmimit të tyre për 70%, ne nuk mundemi t’u themi kompanive që t’i mbyllni dhe të punoni me humbje. Çështja është që të mbijetojnë kompanitë, nuk do të punojnë me profit. Profitin që e kanë prej vitit të kaluar, ua llogarisim këtë vit. Ua marrim, që të mos ketë rritje më të madhe të çmimit. Ato që kanë bërë profit ekstra si MEPSO dhe EVN-home ua marrim. Për shembull EVN-home ua kemi marrë 5 milionë euro”, thotë Bislimovski.

Sindikatat dhe organizatat civile assesi nuk pajtohen me qëndrimin e KRRE-së që t’i rrit çmimet për shkak zvogëlimit të fitimit të kompanive.

“Të revoltuar nga shpjegimi i Presidentit të Komisionit Rregullator të Energjisë, se çmimi duhej të rritet, për shkak të zvogëlimit të të ardhurave të kompanive energjetike. Fitimet e kompanive të mëdha monopole nuk duhet të jenë para interesit publik dhe detyrimit të shtetit për të mbrojtur qytetarët e varfër. Jemi të revoltuar që vendimi është marrë në kulmin e krizës më të madhe të kohëve të fundit, kur mijëra njerëz humbën vendet e tyre të punës ose morën ulje pagash, si dhe në një kohë kur zbuluan përvetësime të ndryshme nga kompani që morën ndihmë shtetërore dhe nuk paguanin pagat për punonjësit. Një projektvendim i tillë i dëmshëm konfirmon edhe një herë se goditja më e madhe nga kriza do të jetë tek personat më të prekur ekonomikisht dhe punëtorët”, reaguan nga OJQ-të dhe Sindikatat.

Largpërçues i rrymës

Portalb.mk e pyeti Bislimovskin në lidhje me atë se çfarë nëse kompanitë bëjnë harxhime të mëdha dhe të kota e që pastaj për shkak të metodologjisë do të reflektohet në çmimin e rrymës, por ai tha se nuk lejojnë ato.

“Për shembull, në MEPSO është folur për disa punësime, por nuk kanë kaluar”, u përgjigj shkurt Bislimovski.

Në lidhje me atë se sa është produktiviteti i kompanive të rrymës, Bislimovski tha “edhe pse ELEM e ka për detyrë të sigurojë 75% të rrymës elektrike, ai e siguron 100% dhe nuk kemi nevojë për të importuar nga vendet e jashtme”.

Çmimi i rrymës, që i dogji qytetarët

Me vendimin e ri të KRRE-së, çmimi i energjisë elektrike u rrit për 7,42% dhe do të kushtojnë 5,9 denarë për një kilovat, ndërkaq do të vazhdojë të vlejë edhe tarifa e lirë e cila do të kushtojë 2,9 denarë për një kilovat. Çmimin e ri qytetarët do ta paguajnë prej në shtator dhe i njëjti do të vlejë për 1 vit.

Drejtori Bislimovski thotë se Komisioni punon sipas rregulloreve dhe metodologjisë për caktimin e çmimit të energjisë elektrike, çështja e nivelit të pagave dhe gjendjes ekonomike në vend nuk u përket atyre, por qeverive. Ai zgjidhjen e sheh në hapjen e bisedës për ulje të TVSH-së për energjinë elektrike.

Trafo e energjise elektrike
Trafo e energjise elektrike

“Komisioni Rregullator punon sipas metodologjisë dhe rregullores dhe askund në botë nuk merret parasysh se sa është rroga mesatare. Për shembull ndërmarrjet e tona, për shembull MEPSO kur blen pajisje – transformator nga Siemens ia shesin sipas çmimit që është në Gjermani, pra siç është në botë. Për shembull nëse blini veturë Golf në Gjermani nuk do të ua shesin më lirë në Maqedoni se paga mesatare është e ulur. Përndryshe çmimi i energjisë elektrike në Maqedoni është një ndër më të ulëtat në Evropë dhe Komisioni Rregullator nuk është kompetente për rrogat, për atë mbajnë llogari qeveritë, le ta zgjidhin atë problem, ne nuk kemi asnjë problem, madje hapëm dhe debat për uljen e TVSH-së për rrymën elektrike prej 18 në ndonjë përqindje tjetër. Kishte ekspertë të Ministrisë së Financave, këshilltarë ishin dhe ata asnjëherë nuk kanë propozuar çështje të tillë”, thotë Bislimovski.

Gjatë caktimit të energjisë elektrike, Komisioni Rregullator i Energjetikës, nuk e merr parasysh gjendjen ekonomike në shtet, krizën, nivelin e pagave apo të punësuarve, por ata caktojnë sipas metodologjisë së tyre, e cila sheh interesin e kompanive.

“Gjatë caktimit të çmimit duhet të merret parasysh gjendja ekonomike që dukshëm nuk e marrin, ky është një gabim i madh. Ata e shohin interesin e kompanive. Ne nuk e dimë se pse Rregullatori e ka rritur çmimin e energjisë elektrike, nuk dolën me sqarime të detajuara, pra nuk kishte ndonjë analizë e qartë se pse atë e bëjnë. Tërë procesi u bë në mënyrë jotransparente dhe vendimi u mor gjatë natës, pa asnjëfarë paralajmërimi, kjo është e papranueshme pasi që kjo nuk është një denarë, apo si çmimi i derivateve që në çdo javë ndryshon. Kjo është çështje serioze dhe shumë keq u bë. Problem tjetër gjithashtu është që ne nuk kemi qeveri, kush është përgjegjës për këtë masë? Kujt ne t’ia drejtojmë gishtin? Bislimovski është kuadër teknik dhe ky vendim është politik. Pra varfërohen njerëzit dhe askush nuk është fajtor. Kjo nuk mund të mos jetë politikë, e aq më tepër kur merret një vendim i tillë menjëherë pas zgjedhjeve”, thotë profesori Jovanoviq.

Megjithatë Bislimovski thotë se KRRE-ja është trup i pavarur i cili merr vendime të pavarura dhe sipas tij është “jokorrekte” që politikanët të lavdërohen me vendimet e KRRE-së.

Falja e borxheve për faturat
Fatura

KRRE vlerëson se me çmimin e ri, qytetarët do të paguajnë 100 denarë në një faturë prej 1.500 denarëve. Por, ky pretendim nuk është real pasi që mesatarisht qytetarët harxhojnë 2.500 denarë dhe kjo i bie që përafërsisht çdo amvisëri të paguajë nga 200 denarë në muaj më shumë për faturën e rrymës elektrike.

“Në tregun e energjisë elektrike në vitin 2019-të, gjithsej në tërë shtetin amvisërive u janë shitur gjithsej 275 milionë euro, gjegjësisht kur të ndahet me rreth 500.000 familje te ne, përafërsisht çdo familje ka llogari mesatare prej 2.500 denarë. Në 2.500 denarë 7.4% nuk janë 100 denarë, por rreth 200 denarë. Kështu që mesatarisht do të rritet në 200 dënarë, që ndoshta nuk është për shtresën me të ardhura mesatare ose të larta, por në shtet kemi 100.000 njerëz në këtë shtet që jetojnë me më pak se 40 denarë në ditë pra ekstrem të varfër dhe 350 mijë të tjerë të cilët gjithashtu janë të varfër dhe duhet që t’i mbrojmë”, thotë profesori Jovanoviq.

Një nga vendet me çmim më të lartë të rrymës në Evropë

Sipas statistikave të Eurostat, Maqedonia e Veriut është në vendin e katërt në Evropë për çmimin më të lartë të energjisë, krahasuar me % nga paga mesatare mujore.

Çmim më të ulët ka Romania, Lituania, Bullgaria dhe Maqedonia, ndërkaq çmimet më të ulta i kanë Islanda, Norvegjia, Luksemburgu dhe Finlanda.

Burimi: Eurostat Punuar nga: Reflektor
Burimi: Eurostat- Punuar nga: Reflektor

Për dallim prej Maqedonisë së Veriut, e cila në mes të krizës e shtrenjtoi rrymën, disa prej vendeve më të zhvilluara evropiane krijuan lehtësime për qytetarët e tyre në këtë kohë pandemie.

  • Spanja gjatë kohës së krizës ka siguruar qasje të garantuar në rrymë elektrike, ujë dhe gaz për të varfrit, madje edhe nëse nuk i paguajnë faturat.
  • Italia i ka suspenduar faturat për rrymë, gaz, ujë dhe mbeturina për dy muaj.
  • Belgjika u ka dhënë amvisërive deri në 100 euro për faturat e ujit dhe 75 euro për faturat e gazit.
  • Sllovenia e uli çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë për 20%.

Shtrenjtimi i rrymës në RMV, siç thotë KRRE ka ardhur pas kërkesës së kompanive energjetike për shkak problemeve që i ka shkaktuar KOVID-19. ESM ka zvogëlim të të ardhurave për 17 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike, MEPSO për 11 milionë euro. KRRE e miraton çmimin e energjisë elektrike, në të cilën janë të llogaritura edhe harxhimet e MEPSO-s për transmetim të rrymës elektrike, shpërndarjen e energjisë elektrike, MEMO për organizim dhe menaxhim me tregun e rrymës elektrike, por edhe harxhimin për furnizimin e energjisë elektrike.

PROTESTA

Pas rritjes së çmimit, u paralajmërua protestë në Tetovë, Gostivar dhe Çair për të enjten në ora 19:00. OJQ-të dhe Sindikatat kanë reaguar, dhe vendimin e quajnë skandaloz dhe kërkojnë që i njëjti të tërhiqet menjëherë. Gjithashtu reagoi edhe koalicioni ASH-AAA i cili kërkoi që MEPSO dhe ELEM të heqin dorë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe njëkohësisht çmimi të lirohet për 20%. Pos tyre pati dhe një së reagimesh nëpër rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button