U konstituua Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, komisioni verifikoi mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur

Nën protokolle dhe masa të posaçme për shkak të koronavirusit, sot u konsitua përbërja e re parlamentare e Maqedonisë së Veriut, në seancën konstituive në sallën nën Kupolën e madhe, të cilën e kryesoi kryetari i përbërjes së kaluar, Talat Xhaferi. Në këtë seancë, nga 120 deputetë, nuk ishin prezent vetëm tre, njofton Portalb.mk.

Kuvendi në seancën e sotmeme propozimin e Komisionit Verifikues i verifikoi mandatet e 120 anëtarëve të përbërjes së dhjetë parlamentare të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Kryetarja e Komisionit Verifikues, Jagoda Shahpaska, e cila u zgjodh nga Kuvendi sot në seancën e parë konstitutive tha se Komisioni konkludon se nuk ka asnjë bazë për ta kundërshtuar zgjedhjen e ndonjërit prej 120 deputetëve.

Komisioni Verifikues, para dorëzimit të Raportit dhe propozimit për verifikimin e mandateve të deputetëve e shqyrtoi raportin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga zgjedhjet e zhvilluara të parakohshme për deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtura më 15 korrik 2020, në bazë të të cilave i miratuan propozimin e tyre.

“Kryetarit të Qeverisë dhe anëtarëve të Qeverisë të cilëve sot iu verifikuar mandati për deputetë në përputhje me nenin tetë paragraf 1 të Kodit Zgjedhor, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë në punën e Qeverisë së RMV-së sipas nenit 93 paragrafi 5 të Kushtetutës, Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një Qeverie të re, tha Xhaferi.

Seanca konstituive, Foto Twitter

Pika e tretë dhe e katërt në këtë seancë konstituive janë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por për këto pika, sipas paralajmërimit të Xhaferit, do të diskutohet kur të krijohen kushte për këtë.

Seancat e Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri do t’i udhëheqë Xhaferi, ndërsa në mungesë të tij deputetët Goran Misovski dhe Florin Besimi.

Funksioni i kryetarit të Kuvendit i takon partive që do të sigurojnë shumicë për formimin e Qeverisë, proces i cili formalisht fillon nga sot.

Partitë të cilat  pas zgjedhjeve jozyrtarisht i kanë filluar bisedimet, pritet prej sot t’i intensifikojnë përpjekjet  rreth sigurimit të shumicës në përbërjen e re parlamentare dhe formimin e Qeverisë së re.

Seanca konstituive, Foto Twitter

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, sot pas seancës konstituive konfirmoi se partia e tij prej sot do të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë së re. Zaev synon që të marrë mandatin e dytë radhazi dhe të formojë shumicë parlamentare e cila do të sjell qeveri stabile 4 vjeçare, e gatshme të punojë. Zaev paralajmëroi edhe pastrim të gjyqësorit dhe verifikim të prejardhjes së pasurisë të funksionarëve, si pjesë të programit të ri qeveritar.

Sipas Kushtetutës, presidenti  i shtetit është i obliguar në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i shtëpisë ligjdhënëse mandatin për formimin e Qeverisë do t’ia besojë partisë gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, megjithatë, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i dorëzojë program dhe propozim të Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash.

Presidenti Pendarovski javën e kaluar paralajmëroi se mandatin për formimin e qeverisë së re do t’i besojë atij i cili do ta bindë se ka siguruar  shumicën në Kuvend.

Theksoi se norma kushtetuese është e qartë – mandatin e merr kandidati i partisë ose partitë që kanë shumicë në Parlament dhe këtu presidenti praktikisht nuk ka kurrfarë hapësire për manovrim.

Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij me rastin e Ilindenit në Pelimcë, shprehu pritje se qeveria e re do të formohet sa më shpejtë të është e mundur dhe kjo qeveri, siç tha,  nuk do ta ketë atë komoditet që të mos i parashtrohen pyetje të rënda në 100 ditët e para.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

LEXO: Zgjedhjet e 15 korrikut në RMV, emrat e deputetëve shqiptarë

LEXO: Zgjedhjet e 15 korrikut në RMV, emrat e 120 deputetëve të ri të Kuvendit

LEXO: LIVE në çdo minutë: në Maqedoninë e Veriut u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2020

LEXO: KSHZ i ndau certifikatat për deputetët e përbërjes së re parlamentare

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button