Kur do të nisim ta mbrojmë shqipen tonë

Kanë kaluar më shumë se njëqind e sa vjet nga pavarësia e Shqipërisë së sotme (politike) e po aq edhe nga Kongresi i Manastirit, janë bërë gjithë ato sakrifica të burrave shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës së shenjtë shqipe, por, për fat të keq, gjuha shqipe kurrrnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar se sot. Ajo sot është madje më e rrezikuar se në turbullirat që zgjatën nga vitit 1912 e deri në vitin njëzet, kur serbë e grekë u lëshuan si ujqër të tërbuar për të pushtuar  tokat shqiptare. Sot është më e rrezikuar se në vitet e ish Jugosllavisë dhe të diktaturës enveriste në Shqipëri. Gjuha shqipe sot është më e rrezikuar nga politikat e ditëve të sotme të shtetit shqiptar dhe të politikanëve të Kosovës e të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe mediat që botohen në këtë trekëndësh ku e ka vatrën stërgjyshore gjuha shqipe. Interesant është se pushtetet e kohëve më të reja të këtij trekëndshi, pra në kohën pas rënies së komunizmit, kurrë nuk kanë pasur një projekt të përbashkët për mbrojtjen e kësaj pasurie, për mbrojtjen e kësaj përmendoreje madhështore e cila ka qenë mburoja e vetme e çeliktë që e ka ruajtur frymën shqiptare me mileniume.

Gjuha shqipe është themeli i identitetit shqiptar. Ajo sot më nuk është një “zojë e randë”. Ajo ka mbetur pa zot shtëpie: Ajo sot është midis gërshërve të polemistëve të ndryshëm të cilët nuk kërkojnë zgjidhje të dilemave që kemi për standardin, por kërkojnë ndarje e përçarje. Jo, thonë, gjuha shqipe, jo toskërishtja, jo gjuha kosovarishte etj. Ajo nuk mund të lihet në një status vakëfi për të cilin mund t’i fshijë këmbët çdo deputet i ardhur në kuvend përmes shtigjeve të dyshimta “demokratike”. Si e lë pushteti kështu në këtë gjendje? Nuk lihet as në duart e mediave dhe të rrjetave sociale.

Natyrisht kjo gjendje është prodhim i okupatorëve të djeshëm të tokave shqiptare dhe të armiqve të shqipes, të cilët në programet e tyre politike gjithmonë e kanë pasur NDJEKJEN dhe NDALIMIN e shqipes. Ata e dinë se gjuha shqipe është sinonim i shpirtit të çdo shqiptari veç e veç dhe njëherësh i të gjithë shqiptarëve. Pa gjuhën shqipe ne më nuk jemi, siç nuk janë më shqiptarë të gjithë bashkëkombësit tonë të cilët e humbën betejën në disa pjesë të Sanxhakut, të Çamërisë dhe shqiptarët e shpërngulur andej e këndej. Kuptohet se armiku që ka plan zhbërjen e një populli më së pari e godet gjuhën. Dhe, këtë po e bëjnë qetë, përmes dorës së ligë të njerëzve tonë.

Mungesa e unitetit për zgjidhjen e problemit na ka sjellë në zgrip të erozionit kombëtar e gjuhësor. Sa për ilustrim do t’i përmendja tri raste. Kam takuar tri vajza shumë inteligjente me mbiemrat: Shkrijel, Daciq dhe Ujkanoviq. Asnjëra nga këto të trija nuk dinin fare shqip. Pa ndonjë të keq u kam thënë se mbiemrat e tyre janë mbiemra shqiptarë. Dy prej tyre e kanë mohuar kategorikisht, njëra heshtte. E kam përmendur Azem Shkrelin si një intelektual dhe patriot i madh shqiptar. E kam përmendur edhe Qerim Ujkanin si poet me emër. Asnjëra nga këto dyja, ndonëse intelektuale, nuk deshën ta vazhdojnë bisedën. Me vendosmëri thanë: Ne s’jemi shqiptarë.Ndërkohë e kam takuar nënën e kësaj vajze që heshtte. Kjo nënë e Dacajve fliste shqipen bukur, rrjedhshëm. Për mrekulli. Po çfarë po ndodh me gjuhën shqipe te ju? e pyeta. Ajo i rrudhi krahët.

Janë këto tri skena të dhembshme. Tragjike. Sigurisht që politikanët e çiftit të Isa Mustafës nuk kanë kapacitete për t’u ballafaquar me këtë problem, por ama Ramës nuk i falet pse nuk kujdeset për gjuhën shqipe dhe nuk bën përpjekje që t’i ulë në një tryezë gjuhëtarët e Tiranës, të Prishtinës, të Shkupit e të arbëreshëve që të kërkojnë zgjidhje të cilat i kërkon ky moment i zhvillimit. Qeveria shqiptare duhet ta dijë se populli ynë gjithmonë e ka mbështetur unitetin dhe se gjithmonë e ka pasur të qartë se gjuha është ajo që na mban në këmbë. Vertikalisht. Duhet ta dinë se këtij uniteti duhet t’i prijë qeveria shqiptare.

Ne kemi pasur raste të ndryshme të ndalimeve, të ndjekjeve e të përbuzjeve të gjuhës shqipe nga veriu e jugu, nga lindja dhe ku ta di se nga cila anë tjetër, por të gjitha këto presione populli ynë i ka përballuar. Ka dhënë diçka nga leksiku, mirëpo tërësinë e gjuhës nuk e ka dorëzuar. Madje edhe ata që i ka asimiluar armiku me metodat më të egra, edhe ata i kanë ruajtur mbiemrat e tyre dhe tash edhe ata po zgjohen e po i kërkojnë rrënjët e tyre.

Sot nuk mundet armiku t’i përziej gishtat e tij si në të kaluarën, sepse nuk ka mundësi të ndalojë e të përçajë, por duhet të marrim masa që punën e e armiqve mos ta bëjnë, siç po e bëjnë (me sukses, për fatin tonë të keq) mediat, politikanët, arsimi i paorganizuar, administrata e stërmbushur me njerëz gjysmanalfabetë në tërë hapësirën etnike shqiptare.

Kur do të nisim ta mbrojmë gjuhën tonë shqipe?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Gjuhën po e shkatrojnë,zhbëjnë,përdhosin vetë një
    ushtri pseudointelektualësh e pseudogazetarë të dalë e
    brumosur nga pseudoarsimtarë e pseudoprofesorë tanë
    nga shkollat tona dhe UT-ja.
    Respekt vetëm për disa profesorë.

Leave a Reply to Tetovari2 Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button