fbpx

Tetovë, 4 kërkesa në protestën për rritjen e çmimit të rrymës

Këshilli Organizativ i Protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, informon qytetarët për protestën e cila do të mbahet në Tetovë të enjten në ora 19:00.

“Të nxitur nga reagime të shumta të qytetarëve pas rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike për të mbuluar humbjet e prodhuesve por edhe nga reagimi i qytetarëve për shërbimet jokorrekte të kompanive energjetike ndaj tyre, dhe të motivuar për t’i gjetur dhe për t’i dhënë zgjidhje një problemi të vjetër e të paadresuar mjaftueshëm deri tani, dhe me qëllim për të parandaluar reagime dhe sjellje të dhunshme e radikale të grupeve të caktuara të qytetarëve të mllefosur, ne, Këshilli Iniciator për organizimin e protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike si dhe ndaj shumë problemeve tjera të lidhura me energjetikën, ftojmë qytetarët e Tetovës me rrethinë, që ditën e enjte, më 6 gusht 2020, në ora 19:00, të na bashkohen në sheshin Iliria”, thonë nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Ata kanë parashtruar 4 kërkesa:

për të kundërshtuar 1) vendimin e KRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike;

për të reaguar ndaj 2) monopolit të shërbimeve të kompanisë EVN dhe sjelljes jokorrekte të tyre ndaj konsumatorit;

për të kërkuar 3) zhbërjen e KRRE-së, organ që i shërben interesit të grupeve të biznesit dhe korporatave duke dëmtuar ekonominë mjaft të rënduar të qytetarëve;

për të kërkuar 4) krijimin e një trupi të pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve për të verifikuar cilësinë e shërbimeve energjetike.

“I ftojmë qytetarët që do marrin pjesë në këtë protestë të respektojnë rekomandimet dhe masat mbrojtëse ndaj pandemisë covid19 (mbajtje e maskave dhe respekti i distancës fizike). Ftojmë po ashtu organizatat joqeveritare por dhe institucionet që të përkrahin dhe mbështesin organizimin e protestës me interes publik”, thonë organizatorët.

Ndryshe, më 31 korrik çmimi i energjisë elektrike që e paguajnë amvisëritë në tregun rregullator është rritur për 7,4%, ndërsa qytetarët edhe më tej do të mund ta përdorin tarifën e lirë në periudhën e njëjtë sikurse deri më tani. Sipas autoriteteve, me çmimin e ri, nëse keni faturë 1.500 denarë, duhet të paguani 100 denarë më shumë.

Pas rritjes së çmimit, OJQ-të dhe Sindikatat kanë reaguar, të e cilin e quajnë skandaloz dhe kërkojnë që i njëjti të tërhiqet menjëherë.

Gjithashtu reagoi edhe koalicioni ASH-AAA i cili kërkoi që MEPSO dhe ELEM të heqin dorë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe njëkohësisht çmimi të lirohet për 20%.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close