Ligësia është kompromis

“Ligësia është kompromis”  –  thoshte dramaturgu i famshëm Henrik Ibsen. Asgjë nuk do të ishte më e ligë, që në këto rrethana pos zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim të bënte kompromis me pozicionin e kryeministrit shqiptar. Për asnjë pozicion tjetër apo të drejtë dalë nga Marrëveshja kornizë, të ofruar nga partia fituese e bllokut maqedonas, në formimin e qeverisë se re, nuk do të arsyetonte kompromisin me kryeministrin shqiptar. Edhe arsyetimi i mundshëm, se kandidati për kryeministër shqiptar ishte vetëm formë simbolike e kërkimit të një të drejte legjitime, do të ishte padyshim pjesë e kësaj ligësie – kompromisi.

Opozita shqiptare, edhe pse në ditët e para të pos-zgjedhjeve u deklarua se nuk do të mbështesë kandidatin e Ahmetit, për kryeministër shqiptar, si shkak i pretendimit të vjedhjes së votave, e njëjta, ditëve të fundit, e vënë në pozicione të ngushta nga faktori shqiptar në Kosovë dhe Republikën e Shqipërisë, por edhe nga thirrja e opinionit publik në vendin tonë, u ripozicionua, me hir apo pahir, duke krijuar atmosferën për të mbështetur kryeministrin shqiptar. Nëse një gjë të tillë nuk e arrin Ali Ahmeti, opozita shqiptare i kerkon Aliut të kalojë në opozitë.

Pozita e favorshme e partisë së Ahmetit, legjitimiteti që mori nga sovrani shqiptar për të prirë procesin qeverisës, kandidati për kryeministër shqiptar si kali i betejës zgjedhore, bashkangjitur atmosferën armiqësore që krijoi Zoran Zaev kundrejt këtij kandidimi për kryeministër, vulos ligësinë e çdo kompromisi që Bashkimi Demokratik për Integrim do të bënte me mos-arritjen e një kryeministri shqiptar historik në Maqedoninë e Veriut.

Nëse blloku politik maqedonas, partnerë të ardhshëm qeverisës, nuk do ta pranonin kryeministrin shqiptar dhe Bashkimi demokratik për Integrim nuk do të pranonte pjesëmarrje në qeverisje pa këtë kushtëzim, a do të kishte parti serioze shqiptare që të merrte pjesë në qeverisje, pa legjitimitetin shqiptar dhe duke e ulur pazarin e kryeministrit shqiptar?! Mund edhe të kishte, ka pasur edhe në të kaluarën, por ato parti kurrë më nuk do të mund ti kenë ato mandate që i kanë sot dhe sigurisht kurrë nuk do të mund të jenë pjesë e një qeverie të ardhshme me tagrin e shumicës elektorale shqiptare.

E kundërta, nëse Bashkimi Demokratik për Integrim do të kalonte në opozitë si rezultat i mos-kompromisit, i mos-ligësisë për të pranuar një qeverisje pa kryeministrin shqiptar, do ta kthente partinë, në zgjedhjet e afërta lokale, në fituesen absolute edhe të atyre pak komunave që i takojnë opozitës shqiptare. Një përgatitje dhe stimul për të fituar edhe me shumë mandate në zgjedhjet e ardhshme parlamente. Kjo do ta bënte partinë e Ahmetit,  rekordere fitoresh, në krahasim me partitë e rajonit, Jo për nga vjedhja e votave siç pretendon dëshpërimisht opozita në çdo cikël zgjedhor, por as për nga meritat e një qeverisjeje të suksesshme shumevjeçare të partisë së Ahmetit, por për nga dobësia që paraqiste dhe mund të paraqesë në vetvete opozita shqiptare, nëse vazhdon avazin e vjetër.

Andaj, ligësia është kompromis. Kompromisi nuk mund të arsyetohet as me trysninë e mundshme të faktorit ndërkombëtar, për një qeverisje mes fituesish, e as me rrezikimin në kalimin e zgjedhjeve të reja, nëse pamundësohet arritja e shumicës parlamentare si rezultat i kushtëzimit me kryeministrin shqiptar. Sigurisht edhe mospërfshirjes në qeverisje të opozitës shqiptare (nëse kjo e fundit do të ishte e mençur për mbijetesën e saj politike dhe për rrugën më të sigurte të ngjitjjes në pushtet me votën e shumicës).

Ёshtë koha e një kryeministri shqiptar, për nga simbolika dhe thelbi i popullit shtetformues shqiptar në këtë shtet. Pozicion i këtillë, siguron realizimin më të shpejtë dhe të drejtë të Marrëveshjes se Ohrit. Kryeministër shqiptar që s’mund ta shantazhonte asnjë forcë maqedonase bashkë–qeverisëse. Sepse, bashkë me rrëzimin e qeverisë do të rrezohej dhe konstrukti shtetëror në krijimin e tensioneve ndëretnike, deri në pasoja të paparashikueshme për mbarëvajtjen e shtetit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button