Spasovski: Maqedonia e Veriut u bë faktor i stabilitetit në rajon

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 2 Gushtit, Ditës së Republikës – Ilindeni, duke theksuar se sot Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s, vend në rrugën e anëtarësimit në BE dhe një vend që komuniteti ndërkombëtar e ka shpallur histori suksesi në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një delegacion i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i udhëhequr nga Spasovski, në Shkup vendosi lule përpara Monumentit të Lirisë me rastin e Ditës së Republikës. Më pas, Spasovski iu drejtua qytetarëve, duke theksuar se “më 2 gusht u hodh baza më e fortë në themelet e shtetësisë maqedonase”.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kryeministri Spaovski tha se sot shënohet një festë për një të nesërme më të mirë për këtë dhe të gjithë brezat e ardhshëm si një premtim se ata do të vazhdojnë ta ndërtojnë të ardhmen së bashku.

“Sot, kur kujtojmë me gjithë respekt dhe dinjitet ngjarjet shtetformuese të dy Ilindenëve më 1903 dhe 1944, nga perspektiva e këtij viti 2020, është e pashmangshme të përballemi me faktin se duhet të pranojmë agjendën shtetndërtuese të konceptit që kërkon fuqimisht ndërtimin e Maqedonisë si një shtet civil, i cili do të jetë një atdhe i lirë i të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive etnike. Një shoqëri për të gjithë”, tha Spasovski.

“Si pjesë e familjes së fuqishme të NATO-s, si pjesë integrale e mburojës së sigurisë së aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, Maqedonia e Veriut është bërë një faktor i stabilitetit në rajon, eksportues i sigurisë dhe vend ku qytetarët dhe fëmijët kanë një të ardhme të sigurt. Me anëtarësimin në NATO ne nuk jemi më vetëm. Jemi një aleancë. Maqedonia e Veriut nuk do të vihet kurrë më në pikëpyetje ose izolim nga bota. Me NATO-n, ne jemi pjesë e botës”, theksoi Spasovski.

Ai gjithashtu kujtoi se bota po përballet me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Sot, kur Maqedonia e Veriut dhe e gjithë bota po përballet me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit COVID-19, këto parime të solidaritetit dhe unitetit janë më të domosdoshme se kurrë. Kjo është një krizë që na tregon se askush nuk mundet vetëm, por vetëm duke vepruar në harmoni dhe solidaritet mund të arrijmë një zgjidhje”, tha Spasovski.

Ndër të tjera, në fjalimin e tij, Spasovski theksoi se Maqedonia e Veriut, nga “një udhëtar i harruar në një rrugë qorre në Ballkan, është vendosur në binaret që çojnë drejt integrimit euro-atlantik”.

“Kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit me të gjithë fqinjët tanë dhe kemi fituar besimin e tyre. Përmes kësaj qasjeje të hapur, u realizua Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Falë këtyre marrëveshjeve, Maqedonia e Veriut u shndërrua nga një shembull i keq, në një histori suksesi. Ajo u bë një pikë e ndritshme në Ballkan. Fqinjët e dëshpëruar të djeshëm u bënë lobistët dhe mbështetësit tanë më të fortë ndërkombëtarisht. Ne u bëmë aleatë. Kemi treguar dhe vërtetuar se me harmoni, dhe jo me grindje, shteti ecën përpara drejt më të mirës”, tha Spasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button