Mafia e Ballkanit me mbështetje politike

Nëse deri më tani personazhet kryesore mafioze në filmat Hollywood ishin me origjinë nga Italia ose Rusia, tani ekziston mundësia që ai stereotip të ndryshojë dhe ata do të vijnë nga Ballkani Perëndimor. Kontrabanda e migrantëve, trafikimi i qenieve njerëzore, trafiku i drogës, trafiku i armëve, si dhe vjedhjet e profileve të larta dhe vrasjet e porositura në të gjithë Evropën Perëndimore janë pjesë e krimit të organizuar që përfshin kriminelë nga Ballkani Perëndimor, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“Pink Panterët” serbe, organizata “Kelmendi”, “Jugomafia” në Skandinavi, pastaj grupi i organizuar kriminal “mbledhësit” në Hollandë, pandanët shqiptarë të mafies siciliane, por edhe mafia maqedonase e Frankfurtit dhe përpjekja për të kontrabanduar 700 kilogramë kokainë në Madrid janë pjesë e grupeve të krimit të organizuar që origjinën e kanë nga Ballkani Perëndimor, por janë pjesë e nëntokës të Evropës Perëndimore, e madje edhe të Amerikës Jugore.

Nga oferta e kokainës në Amerikën Latine deri në rrugët e Evropës Perëndimore, heroinë nga Turqia përmes Ballkanit Perëndimor në BE, nga fushat e kanabisit në Shqipëri drejt Turqisë dhe në Bashkimin Evropian. Ballkani Perëndimor si zonë tranzitore dhe “fidanishte” për rekrutimin e “ushtarëve” në terren për grupe të tilla në 3 dekadat e fundit është bërë një vend i sigurt për t’u fshehur dhe investuar, ose për të pastruar të ardhurat e fituara në mënyrë kriminale, por që veprimtarinë kryesore e zhvillojnë jashtë vendit. Veprimtaria, zhvillimi, por edhe organizimi i tyre gjatë 30 viteve të fundit nuk do të ishte i mundur pa përfshirjen e politikanëve dhe mbështetjen nga diaspora, tregon raporti për “Kthetrat Transnacionale” qendrat globale të krimit të organizuar ballkanik.

Mafiozë dhe kriminelë edhe nga Maqedonia

“Grupet nga Ballkani Perëndimor tani janë kontrabanduesit kryesorë të heroinës, kanabisit dhe kokainës. Ato janë veçanërisht të përqendruara në vendet ku ekziston diasporë e rëndësishme, pasi krimi i organizuar zakonisht mbështetet kryesisht në komunitetin e tij. E ashtuquajtura “Mafia e Frankfurtit”, për shembull, u bë e famshme për kontrabandën e heroinës nga Maqedonia e Veriut në Frankfurt dhe Vjenë (dy qytete ku ka diasporë të madhe). Grupi kryesisht përbëhej nga shtetas të Maqedonisë nga qyteti i Veles. Sipas policisë, Mafia e Frankfurtit kishte hyrë shpejtë në treg duke shitur heroinë me cilësi të lartë me një çmim që përshkruhet si i arsyeshëm. Fitimi i tyre vetëm në Vjenë vlerësohet në 80,000 euro në ditë. “Megjithëse 450 vetë përfunduan pas hekurave, grupi është akoma aktiv dhe thjesht ka ndryshuar taktikat,” tha një raport i Nismës globale kundër krimit të organizuar transnacional.

Slagjana Taseva nga Transparensi Interneshënëll thotë se krimi i organizuar nuk është vetëm krim i grupeve që veprojnë jashtë vendit, por duhet të vlerësohet gjithashtu se çfarë po ndodh brenda vendit dhe si zhvillohet brenda vendit. Ajo shton se pa mbështetjen e politikanëve dhe korrupsionit, nuk mund të ketë krim të organizuar.

“Ka ligje, institucione dhe organe për të ndjekur krimin e organizuar, gjithçka ekziston, por nuk funksionon, sepse nuk ka vullnet politik për të funksionuar. Kur flasim për krimin e organizuar, ai nuk është i mundur pa mbështetje të brendshme dhe pa korrupsion. Për të mos zbatuar ose siguruar monitorim proaktiv të rrjedhave financiare, për shembull, ku shkojnë paratë, nga vijnë, çfarë ndodh me paratë nga brenda, sistemi ekzistues nuk duhet të funksionojë. Ose shteti nuk ka siguruar kapacitete të mjaftueshme, me vite ne kemi folur për të, kemi ligje por ato nuk janë zbatuar, ose institucionet nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe nganjëherë nuk u lejohet të bëjnë punën e tyre,” thotë Taseva.

Ajo sqaron se krejt është çështje e vullnetit politik, i cili do të duhet të sjellë ndryshime që më së fundi do t’i mundësojnë vendit të përballet dhe ta frenojë krimin e organizuar. Institucionet kanë individë që dinë dhe munden, por si institucion atyre u mungon lidership për të demonstruar kapacitet për t’u përballur me krimin e organizuar.

Taseva thotë se një fakt interesant është se në kohën e trazuara në Jugosllavisë, shpërbërja dhe konfliktet e saj më pas ia hapën rrugën kriminelëve të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe mundësoi ata të bashkohen atje pavarësisht etnisë, diçka që në shtëpi ishte problem i vërtetë. Nga ana tjetër, struktura të caktuara shtetërore nga vendet e Ballkanit kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në kontrabandën e cigareve dhe paratë I kanë përdorur për të rikuperuar monedhën.

Në luftën në Jugosllavi, partnerë jashtë vendit

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, për shembull, kah fundi i viteve 1990, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina u bënë depo të përkohshme për heroinën e destinuar për vendet e Evropës Perëndimore, për shkak të rritjes së kultivimit të opiumit dhe prodhimit të heroinës që ishte në rritje gjatë luftës në Afganistan.

Lufta në Jugosllavi shkaktoi një valë masive të emigrimit që gjithashtu krijoi një terren për kriminelët nëpër vendet e Evropës Perëndimore. “Komuniteti i gastarbajterëve” shpesh ishte përdorur për të strehuar përkohësisht kriminelët jugosllavë derisa ata të rimarrin ose të gjejnë ndonjë rrugë të re.

Në shkurt të vitit të kaluar, Ministria e Brendshme e Maqedonisë njoftoi se në partneritet me Administratën e SHBA për Luftë kundër drogës (DEA) ishte shkatërruar një organizatë kriminale. Grupi ishte i përfshirë në trafikimin e heroinës dhe kanabisit nga Turqia drejt Maqedonisë së Veriut.

Në dhjetor 2019, dy shtetas të Maqedonisë Veriore u arrestuan si pjesë e një operacioni që e parandaloi përpjekjen për të kontrabanduar 700 kg kokainë në Ballkan nga Madridi.

Organizatat ndërkombëtare, para pak kohësh, në një brifing për Radio Evropa e Lirë vënë në pah se rrjetet e kontrabandës bashkëpunojnë me kontrabandistët arabë, shqiptarë, grekë dhe bullgarë të cilët u sigurojnë pasaporta të falsifikuara dhe transport nmga Iraku, Siria, Pakistani, Afganistani dhe Maroku, nga kampet e refugjatëve në Turqi përmes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt destinacioneve evropiane.

Në mediat e huaja ka informacione se grupe të caktuara shqipfolëse, përfshirë grupe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë aktive në tregtinë e heroinës, krimet në rrugë dhe kontrabandë të migrantëve në disa vende evropiane, si Republika Çeke, Belgjika, Greqia, Austria, Zvicra, Gjermania dhe Holanda.

Bizneset e Mijallkovit në Çeki

Qendra Çeke për Gazetari Hulumtuese në vitin 2015 zbuloi se dhjetëra kompani me bazë në Pragë kishin lidhje dhe ishin përdorur si makina pastrimi të parave nga disa grupe të fuqishme të krimit të organizuar në Ballkan, të përfshirë në trafikun e drogës, vrasjet dhe kontrabandën e cigareve.

“Njerëz me lidhje të mira nga Ballkani janë vendosur në Pragë. Shembull i mirë është Jordan Mijallkov, babai i Sasho Mijallkovit – kreu i shërbimit sekret të Maqedonisë në qeverinë e Nikolla Gruevskit, qeveri që u shpërbë pas akuzave për përgjime masive në vitin 2015. Jordan Mijallkovi ishte Ministri i parë i Brendshëm i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Ai gjithashtu ka qenë përfaqësues i kompanisë jugosllave Makoteks në Pragë në vitet 1980. Ndërsa vetëm një pjesë e vogël e informacioneve në lidhje me aktivitetet e Jordan Mijallkovit në Pragë mund të konfirmohen, djali i tij Sasho, derisa ishte  shef i policisë sekrete, nuk kishte deklaruar pasuri dhe pronë, duke përfshirë pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 2 milion dollarë dhe lidhje me shumë kompani ndërtimi në të cilat partnerët e tij kishin interes, përfshirë vëllezërit Sparavallo, Dejan dhe Vojisllav”, thuhet në raportin “Kthetrat Transnacionale”.

Ballkani Perëndimor shpesh portretizohet si vatër e krimit të organizuar, rajoni është një korridor transit për trafikim të paligjshëm të drogave, armëve dhe njerëzve dhe vuan nga krimi dhe korrupsioni i përhapur, megjithëse nga një perspektivë globale, Ballkani Perëndimor është akoma relativisht i qëndrueshëm tregojnë publikimet e Nismës globale kundër krimit të organizuar transnacional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button