Agim Ibraimi dhe Gentjana Roci më të mirët e Maqedonisë në futboll

Në një ceremoni të organizuar nga FFM-ja, sonte u ndanë çmimet për futbollistët më të dalluar të Maqedonisë ku çmimin e parë si futbollist më i mirë e mori tetovari Agim Ibraimi, ndërsa në konkurrencën e femrave ky çmim i takoi struganes Gentjana Roci.

Agim Ibraimi është shpallur sonte futbollisti më i mirë i i Maqedonisë për vitin 2012 në ceremoninë e organizuar nga Federata e futbollit të Maqedonisë. Ibraimi i cili ishte në konkurrencë për këtë titull me dy futbollistët tjerë të kombëtares së Maqedonisë, Goran Pandev dhe Nikolce Novevski gjithashtu ka rrëmbyer edhe titullin Futbollisti më i mirë maqedonas që luan jashtë shtetit.

Futbollisti tetovar i cili mbron ngjyrat e skuadrës së Mariborit në kampionatin Slloven është shprehur shumë i lumtur me këto vlerësime të FFM-së dhe ka theksuar se meritat për këto të arritura i takojnë familjes dhe shokëve të tij.

“Falënderoj familjen time dhe të gjithë ata që më vlerësuan dhe besuan në mua” u shpreh Ibraimi pasi pranoi çmimet nga kryetari i FFM-së Ilco Gjorgjioski. Ndërsa në konkurrencën e femrave përsëri ka triumfuar një shqiptare, bëhet fjalë për futbollisten e talentuar të ekipit futbollistik të femrave në Maqedoni “Nashe Taksi”, struganen Gentjana Roci e cila u kurorëzua me titullin “Futbollistja më e mirë në kampionatin e Maqedonisë”.

Golashënuesi më i mirë në “Futsall” u shpall Isen Memedi i ekipit “Elita” nga Tetova. Çmimi i futbollistit më të mirë në kampionatin e Maqedonisë ju nda futbollistit të Vardarit Ostoja Stjepanovic, golashënues Filip Ivanovski, trajneri më i mirë u zgjodh kryetari aktual i FFM-së Ilco Gjorgjioski i cili udhëhoqi Vardarin drejt titullit kampion në vitin 2012 ndërsa futbollisti i ri më i mirë u zgjodh lojtari i të rinjve të Barcelonës David Babunski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button