fbpx

RMV, qeveritë teknike, joefikase dhe nxitëse të tensioneve

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik, bazuar në qëndrimet e partive politike dhe të njohësve të çështjeve politike, do të jenë të fundit që do të organizohen nga një qeveri teknike, me pjesëmarrjen edhe të opozitës.

Ky format i qeverisë së gjerë për organizim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në të cilën merr pjesë edhe opozita me dy ministra dhe tre zëvendësministra, ishte instaluar në zgjedhjet e vitit 2016 pas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare se shteti dhe institucionet “ishin të kapura” dhe dyshimeve se zgjedhjet në periudhën e kaluar ishin manipuluar nga ish- pushteti i Nikolla Gruevskit, shkruan REL.

Pas këtyre zgjedhjeve ishte miratuar edhe një ligj, me të cilin ky format i qeverisë ishte zyrtarizuar dhe sipas të cilit qeveria teknike do të nisë të funksionojë 100 ditë para çdo cikli të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa do të përfundojë me certifikimin e rezultatin të zgjedhjeve.

Zënkat mes partive hapin debatin rreth efikasitetit të qeverisë teknike

Por, njohësit e çështjeve politike dhe juridike thonë se përplasjet mes partive ia kanë humbur kuptimin kësaj qeverie, e cila rol parësor kishte organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhje, por që në fakt nuk ndodhi diçka e tillë.

“Qeveria teknike e njohur si ‘Qeveria e Përzhincës’ pa dyshim që u tregua joefikase për faktin se kishte konflikt të interesave mes partive politike. Ky nuk është vetëm mendimi im, por edhe i shumë personaliteteve tjera që ndjekin zhvillimet politike. Kjo qeveri, në këtë formë nuk ishte në krye të detyrës për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Anëtarët e kësaj qeverie më shumë mbanin llogari për interesat e partive të tyre sesa për procesin zgjedhor, andaj konsideroj se një format i tillë i qeverisë nuk duhet të funksionojë pasi jemi dëshmitarë se gjatë funksionimit të saj më shumë kemi pasur grindje mes partive se sa punë për organizimin e zgjedhjeve”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese.

Qeveria teknike bllokon zhvillimin e bizneseve

Edhe Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria teknike jo vetëm që nuk ka qenë efikase, por në shumë raste e ka ndërlikuar edhe më shumë punën, siç është rasti edhe me pandeminë, konkretisht masat për mbrojtje nga infektimi, që duhet të zbatoheshin nga MPB-ja, e cila drejtohej nga kuadër i opozitës, por që ishte në shënjestër të kritikave për mosveprim të duhur.

“Në këtë rast, më tepër ka pasur keqpërdorime se sa që ka ndihmuar procesin zhvillimor apo zgjidhjen e problemeve. Kjo do të thotë se partitë politike asnjëherë nuk heqin dorë nga interesat grupore dhe partiake në ato momente kur prioritet duhet të jetë interesi i përgjithshëm. Kjo qeveri e kishte rastin të dëshmohet se është në interes të qytetarëve, por fatkeqësisht u dëshmua e kundërta, pra edhe në situata të jashtëzakonshme se kryeneçësia e tyre dhe interesat grupore janë mbi shtetin dhe mbi interesat e përgjithshme”, vlerëson Selmani.

Koronavirusi ka zbrazur arkat e komunave në Maqedoninë e Veriut

Por, përplasjet e shumta ndërmjet ministrave të dy blloqeve politike, bllokimet në punën e njëri-tjetrit i kanë humbur kuptimin kësaj qeverie saqë edhe vetë dy protagonistët kryesorë, Zoran Zaev i LSDM-së dhe Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së në një debat televiziv janë pajtuar se duhet t’i jepet fund një qeverie të tillë pasi, siç thanë, është treguar joefikase për atë që ishte formuar.

Ekspertët thonë se partitë në të ardhmen më tepër duhet të angazhohen për forcimin e trupave kontrollues dhe rritjen e pavarësisë në punën e tyre siç është Komisioni Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, i cili duhet të luajë një rol të rëndësishëm për detektimin e keqpërdorimeve të partive, në veçanti në periudhën zgjedhore.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close