fbpx

SHBA njofton rritjen e tarifave për shërbimet e Zyrës së Imigracionit

Administrata Presidentit Trump të premten njoftoi se do të rrisë në mënyrë dramatike tarifat për shërbimet e imigracionit në shumë kategori, përfshirë vendosjen për herë të parë të një tarife për aplikimet për azil dhe një rritje prej 80 për qind për procesin e marrjes së shtetësisë.

Struktura e re e tarifave, e njoftuar nga Zyra amerikane e Imigracionit (USCIS), pritet të hyjë në fuqi më 2 tetor. Kostoja e aplikacioneve për marrjen e shtetësisë në internet internet do të rritet nga 640 në 1,160 dollarë. Do të ketë gjithashtu një tarifë prej 50 dollarësh për azilkërkuesit, transmeton VoA.

Agjencia, e cila ka mbyllur zyrat dhe ka pezulluar shumicën e shërbimeve gjatë pandemisë, ka thënë se po përballet me një mungesë të konsiderueshme të të ardhurave që mund të shkaktojnë pushime të përkohshme të personelit nga puna. Në fillim të këtij viti, Zyra e Imigracionit kërkoi nga Kongresi 1.2 miliard dollarë fonde urgjente.

“USCIS është e detyruar të shqyrtojë shpenzimet hyrëse dhe dalëse dhe të bëjë ndryshime bazuar në atë analizë,” tha Joseph Edlow, zëvendësdrejtori për politika i Zyrës amerikane të Imigracionit (USCIS), në një deklaratë për shtyp. Ai shtoi, “Këto ndryshime të vonuara të tarifave janë të domosdoshme për të administruar në mënyrë efikase dhe të drejtë sistemin e ligjshëm të imigracionit, për të siguruar vendin dhe për të mbrojtur amerikanët.”

Sipas Zyrës së Imigracionit, rregulli i ri mbështet pagat, teknologjinë dhe operacionet për të përmbushur misionin e saj.

Ekspertët thanë se Shtetet e Bashkuara tani i bashkohen Iranit, Fixhit dhe Australisë në vendosjen e një tarife për azilkërkuesit. Aaron Reichlin-Melnick, këshilltar politik në Këshillin Amerikan të Imigracionit, një organizatë jofitimprurëse në Uashington që mbështet imigrantët, kritikoi barrën e shtuar financiare për të sapoardhurit, të cilët gjithashtu duhet të paguajnë një tarifë për lejen fillestare të punës.

Më parë, agjencia hoqi dorë nga propozimi për vendosjen e një tarife rinovimi prej 275 dollarësh për përfituesit e programit DACA.

Tarifat e Zyrës së Imigracionit në Shtetet e Bashkuara janë rritur në mënyrë dramatike gjatë dekadave të fundit. Në vitet 1990, tarifa për të aplikuar për shtetësi ishte nën 100 dollarë.

Zyra e Imigracionit nuk operon si shumica e agjencive të tjera federale pasi ajo merr fonde kryesisht nga mbledhja e tarifave.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close