Wohlers: Në një shtet demokratik nuk ka vend për dhunë

Në një demokraci nuk ka vend për incidente të dhunshme, siç ndodhën në dhe rreth Kuvendit të Maqedonisë. Nevojitet guxim dhe dialog të pjekur politik që të adresohen dallimet politike dhe vizioni që të shikohet mbi interesat e ngushta partiake dhe të avancohen interesat e vendit.

Këtë e thotë ambasadori amerikan Paul Wohlers në deklaratën me shkrim për ndodhitë e fundit në dhe rreth Kuvendit që e ndoqën miratimin e buxhetit të shtetit.

“Si mik shumëvjeçar i Maqedonisë, me kënaqësi shoh se si ky vend po rritet dhe zhvillohet gjatë gjithë këtyre viteve. Pikërisht për këtë arsyem thellësisht më shqetësuan konfrontimet e jashtëzakonshme politike gjatë ditëve të kaluara. Në një demokraci nuk ka vend për incidente të dhunshme, siç ndodhën në dhe rreth Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 24 dhjetor. Ajo se Kuvendi duhet çdoherë të jetë vend për diskutime të qeta politike, është bazuar në vetë bazën e një kombi të fuqishëm dhe demokratik. Largimi i gazetarëve nga ndërtesa gjithashtu është shqetësuese, për shkak se në këtë mënyrë janë penguar ta kryejnë funksionin e tyre vital të informimit të opinionit për ngjarjet. Mundësia që mediat e pavarura t’i mbulojnë ngjarjet politike në mënyrë të balancuar dhe të hapur, si dhe e drejta që opinioni të informohet për ngjarjet faktike, janë qenësore në një demokraci të pjekur”, thotë Wohlers.

Ai duke iu referuar përvojës amerikane theksoi se demokracia mund të jetë edhe e vështirë.

“Edhe krahas qindra viteve përvojë, ne si SHBA e shohim pikërisht këtë tani, siç partitë tona kundërshtuese luftojnë që të vijnë deri në marrëveshje rreth buxhetit tonë kombëtar. Këtu në Maqedoni legjitimisht u parashtruan pyetje të rëndësishme rreth asaj se vallë procedura është respektuar në Kuvend gjatë miratimit të buxhetit. Këto pyetje munden dhe duhet të parashtrohen dhe diskutohen në kontekst të procesit demokratik. Presidenti i ndjerë Boris Trajkovski tha në një deklaratë të tij të njohur se midis njerëzve ekzistojnë dallime, por e rëndësishme është që të gjithë qytetarët dhe funksionarët e zgjedhur të përdorin rrugë demokratike dhe ligjore që t’i zgjidhin këto dallimet”, theksoi Wohlers.

Sipas tij, veprimet agresive dhe provokuese, si dhe dhuna nuk paraqesin rrugë legjitime për tejkalim të dallimeve.

“Maqedonia meriton më të mirën. Liderët e saj – si ata në pushtet, ashtu edhe ata në opozitë – kanë obligim solemn para bashkëqytetarëve të tyre të sillen në mënyrën që nuk do ta minojë besimin e opinionit në institucionet demokratike në ved. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë edhe më shumë nga liderët e tyre. Dialog i pjekur politik, i çliruar nga provokimet dhe akuzat e ashpra është esenciale. Ta citoj liderin e madh amerikan qytetar Martin Luter King: ‘Të mos kërkojmë që ta kënaqim etjen tonë për liri, duke pirë nga gota e urrejtjes dhe hidhërimit'”, thotë diplomati amerikan.

Partneriteti i shumëllojshëm që Shtetet e Bashkuara e posedojnë me Maqedoninë, shtoi ai, nënkupton përpjekje të përbashkëta që të krijohen vende të reja pune, të zvogëlohet korrupsioni, të rinovohen shkollat dhe të ripërtërihet trashëgimia e pasur kulturore këtu në Maqedoni, si dhe të promovohet paqe dhe siguri në gjithë botën përmes përpjekjeve të përbashkëta të ushtarëve tonë të guximshëm në Afganistan.

“Ne jemi krenarë të këtij partneriteti dhe ne duam që Maqedonia të ketë sukses, po ne nuk mundemi ta dëshirojmë atë sukses më shumë se liderët e vendit. Që të adresohen  dallimet politike në mënyrë konstruktive, nevojitet guxim i vërtetë. Të shikohet mbi interesat e ngushta partiake dhe të avancohen interesat më të mira të gjithë vendit, nevojitet vizion. Kjo mund të arrihet. Në pritje të vitit të ardhshëm, shpresoj se do të shohë se si liderët seriozë nga të gjitha palët t’i sjellin sukses këtij vendi të shkëlqyeshëm”, konkludon ambasadori Paul Wohlers.

Lajme të ngjashme

Back to top button