fbpx

Planeti po nxehet tepër, nëse nuk i parandalojmë, ndryshimet klimatike do të na sjellin pandemi të reja

Pandemia e kovid-19 e vuri botën para sprovave të reja. Ekonomitë, sistemet shëndetësore dhe arsimi janë në proces të krijimit të shprehive të “normales së re”, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon ta anashkalojë mjedisin jetësor dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Gjithnjë e më të zëshme janë apelet që pandemitë janë e keqja e pashmangshme e cila na pret në të ardhmen, nëse ekonominë por edhe vullnetin politik nuk i orientojmë kah  zhvillimi ekologjik.

Mjedisin e shëndetshëm jetësor e konsiderojmë si një nga shtyllat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e tani qeveritë duhet edhe ta vërtetojnë atë me veprime konkrete. Ata do të duhet të caktojnë objektiva më ambicioze për zvogëlimin e emetimit të gazrave serë, ndërsa këtë do të mund ta bëjnë në Samitin e ardhshëm për ndryshime klimatike.

Edhe Bashkimi Evropian, që është lider i llojit të vet në politikat klimatike, mund të përcaktojë objektiva më ambicioze dhe ka resurse dhe kapacitete teknike për t’i realizuar. Dy rrjetet më të mëdha ekologjike në Evropë e kanë vërtetuar që synimi i BE-së prej 40 përqind ulje të emetimeve të gazrave serë deri në vitin 2030 është modest dhe që BE-ja mund të arrijë 65 përqind ulje dhe neutralitet të plotë klimatik me zero emetime të gazrave serë deri në vitin 2040, pa u lënë hapësirë për skenarë të cilët përfshijnë derivate fosilike, që duhet të jetë parim në skenarët klimatik dhe energjetik, transmeton Meta.mk.

Ndryshime të mëdha në të gjitha nivelet e shoqërisë, në aksionet afariste por edhe politike janë të domosdoshme dhe urgjente për t’u shmangur efektet shkatërrimtare të ndryshimeve klimatike dhe degradimi i mjedisit jetësor. Fondacioni për demokraci i Vestminster paralajmëron që na nevojiten institucione efektive dhe të përgjegjshme demokratike, sisteme përgjegjëse për menaxhim dhe vullnet i fortë politik. Megjithëse shumë herë kemi dëshmuar që aktiviteti njerëzor ka ndikim të rrezikshëm mbi klimën dhe ekosistemet tona, megjithatë shumica e sistemeve politike nuk arrijnë t’i zgjidhin krizat ekologjike. Menaxhimi efikas me mjedisin jetësor dhe sundimi i të drejtës janë kritike për mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe për menaxhimin inkluziv demokratik.

Antonio Jovanovski, “Gou Grin“ | Foto: arkiv personal

Pandemia e kovid-19, sipas Antonio Jovanovski nga organizata qytetare “Gou grin”, vuri në pah që njerëzimi vështirë ballafaqohet me kriza dhe ndryshime të shpejta, që shoqëritë janë shumë të cenueshme dhe që modeli ekonomik është i paqëndrueshëm dhe  jo fleksibil. Bota në përgjithësi është në krizë shëndetësore, ekonomike, klimatike dhe ekologjike, ndërsa këto të gjitha janë në lidhje të ndërsjellë. Kriza klimatike dhe ekologjike, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në lidhje të ngushtë me ndotjen e ajrit, kurse kjo ndërlidhet me krizën shëndetësore, përkatësisht lëndueshmërinë zmadhuar ndaj kovid-19 virusit dhe shkallë më të larta të vdekshmërisë.

“Modeli ekonomik i cili bazohet në rritje dhe matet me BPV është në konflikt të drejtpërdrejtë me reduktimin e ndryshimeve klimatike, për shkak se në sistemin aktual, rritje ekonomike donë të thotë edhe rritje e emetimeve të gazrave serë. Jemi të lidhur me model i cili e përkrah dhe e përshpejton veten dhe në qoftë se nuk ndërmarrim vendime më ambicioze dhe më të guximshme, veçanërisht në pjesën e reduktimit të gazrave serë dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, mund ta gjejmë veten në situatë edhe më të lëndueshme nga kjo tani”, konsideron Jovanovski.

Aksionet që i ndërmarrin qeveritë e vendeve nënshkruese të Marrëveshjes për ndryshime klimatik nga Parisi në këtë moment nuk mjaftojnë për të na siguruar ardhmëri në të cilën do të mbrohemi nga pandemitë dhe katastrofat ekologjike. Elena Nikollovska nga “Eko Svest” (Eko Vetëdija) thotë që revidimi i Kontributeve nacionale për klimë në Kombet e Bashkuara tregon që me aktivitetet të cilat i planifikojnë qeveritë, ngrohja e planetit do të arrijë edhe deri 4 Gradë Celsius, megjithëse synimi është 1,5 gradë.

Elena Nikollovska, “Eko-Svest” (Eko Vetëdija) | Foto: arkiv personal

“Çdo vend duhet t’i zmadhojë ambiciet dhe t’i plotësojë obligimet e veta. Maqedonia duhet ta përshpejtojë dhe zmadhojë prodhimin e energjisë nga burimet e rigjenerueshme, në mënyrë aktive të punohet për zvogëlim të emetimeve të gazrave serë, toka bujqësore të mos shndërrohet në tokë ndërtimore ose industriale. Vendi ende nuk ka vendosur sistem efikas për selektim dhe trajtim të hedhurinave, ndërsa ligjet e reja vetëm në mënyrë sipërfaqësore e zgjidhin këtë, që është problem i madh. Parashihet sistem për ndarje vetëm në të njoma dhe të thata, që është parahistori në trajtimin e hedhurinave, në vend që të synojmë drejt selektimit të vërtetë dhe nga ai të shfrytëzojmë sa më tepër që mundemi si lëndë dytësore”, vlerëson Nikollovska.

Deri tani, shton Jovanovski, ngrohja arrin rreth një gradë dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe këto ambicie, për dhjetë vite do ta kalojmë limitin e hartuar, me çka do të aktivizohen procese të pakthyeshme si, për shembull, shkrirja e akullit në Sibir, që do të çlirojë sasi impozante metani, gazi më i fuqishëm serë.

“Modeli ekonomik duhet të re-dizajnohet dhe të gjendet ndonjë indikator i ri për sukses në vend të BPV-së, për shkak se atë që e masim sot si sukses ekonomik, përfshin edhe prerje të pyjeve dhe pacientë të sëmurë të cilët blejnë ilaçe. Modeli momental ekonomik është në konflikt të drejtpërdrejtë me transformimin socio-ekologjik, që paraqet edhe një proces kyç dhe përcakton mbrojtje të mjedisit jetësor me parime të drejtësisë dhe barazisë sociale. Modeli aktual ekonomik e rrit hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve ku në kushte të krizës, të varfrit janë më së shumti të goditur, kurse më së paku kanë kontribuar për krizën. Duhet të kemi model i cili do të bazohet në ndarje, barazi dhe solidaritet. Shembuj konkret të këtij modeli kemi në korporatat energjetike të cilat janë lider në tranzicionin energjetik në Evropë”, vlerëson Jovanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button