Gostivar, këshilltarët komunalë miratuan propozim-buxhetin për vitin 2013

Buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2013 do të jetë 1,117 miliardë denarë (rreth 19 milion euro), respektivisht për 16,4% më i lartë se ai i vitit 2012.

Këshilltarët komunalë të Gostivarit, në seancën e 35-të, me shumicë votash miratuan buxhetin për vitin 2013 të propozuar nga kryetari Rufi Osmani dhe të përpiluar nga Seksioni për buxhet dhe financa.

“E re në këtë propozim-buxhet të komunës, është se në të janë inkorporuar edhe prioritetet e caktuara nga qytetarët në kuadër të Forumit buxhetor, që sivjet e organizoi Komuna e Gostivarit”, theksoi këshilltari Abil Idrizi – kryetar i Komisionit për financa dhe buxhet.

Udhëheqësi i Seksionit për financa dhe Buxhet – Sadri Elezi, në arsyetimin e buxhetit potencoi se ndonëse ndoshta duket tepër ambicioz buxheti i planifikuar, ai është tejet objektiv dhe me siguri do të realizohet në nivel mbi 95%. “Edhe para një viti kur paraqitëm propozim-buxhetin, disa e komentuan si tepër ambicioz, por ja që të gjithë jemi dëshmitar se ai u realizua në nivel mbi 96%. Andaj, jinni të sigurt, se edhe buxheti I vitit të ardhshëm njëlloj si buxhetet e viteve paraprake do të realizohet me vetëm disa për qind më pak ose më shumë”, nënvizoi Elezi.

Këshilltarët komunalë, miratuan vendim për mbështetje financiare të KF Gostivari, në lartësi prej 700 mijë denarësh, si dhe miratuan Programin për kulturë të Komunës së Gostivarit për vitin 2013. Gjithashtu miratuan edhe disa pika të rendit të ditës që kishin të bëjnë me sferën e urbanizmit, si dhe morën vendim për inkorporim të më shumë objekteve të ndërtuara pa leje në dokumentacionin planor urbanistik./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button