Rektori i USHT-së raporton për punën një vjeçare

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës Vullnet Ahmeti sot para gazetarëve dha raport për punën një vjeçare të këtij universiteti.

Ahmeti tha se

“Gjatë vitit që lëmë pas, Universiteti ynë në vazhdimësi ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat, dhe në këtë mënyrë vlerësojmë se e ka përmbushur misionin e tij parësor,  përgatitjen e kuadrove të reja profesionale për përparimin shoqërisë sonë.

Në fund të muajit qershor të këtij viti, në USHT për herë të parë në mënyrë dinjitoze, demokratike dhe të qytetëruar u  bënë ndryshimet në udhëheqjen e Universitetit. Vlen të theksohet se edhe përkundër ndryshimeve të lartpërmendura, procesi mësimor dhe shkencor, si dhe aktivitetet tjera, kanë vijuar pa asnjë pengesë, madje lirisht mund të themi se të njëjtat janë realizuar me përkushtimin e duhur dhe të gjithë së bashku i kemi  përmbushur obligimet tona ndaj studentëve tanë.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është një institucion me traditë të konsoliduar arsimore dhe veprimtarinë e tij e zhvillon në të dy ciklet e studimeve, studimet themelore dhe ato të magjistraturës, gati në të gjitha fakultetet dhe programet studimore, në të cilat i  ndjekin studimet mbi 15 mijë studentë, të rregullt dhe me korrespodencë, në studimet themelore, dhe mbi 1000 studentë në studimet e ciklit të dytë, studimet pasuniversitare. Universiteti ynë Ju ofron të gjithë qytetarëve shërbime dhe mundësi studimi për t’u kualifikuar dhe përgatitur për një të ardhme më të mirë. Në përfundim të vitit akademik 2011/2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës shënoi një kapitull të ri në sukseset e tij,  në mënyrë solemne ndau diplomat me dizajn të ri, për studentët  e studimeve deridiplomike dhe pasdiplomike. Me propozim të  Komisionit universitar për pamjen e diplomave të reja të USHT-së, me  Pëlqim nga  Ministria për Arsim dhe Shkencë e Republikës së Maqedonisë, në sfond të diplomës së re të Universitetit, tani më qëndron imazhi vizual i shtëpisë së  Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir.

Po ashtu, vitin që kaloi, ne zhvilluam një seri aktivitetesh për promovimin e Universitetit, si në Panaire të ndryshme të edukimit dhe prezantimin e ofertës sonë akademike, në  qytetet kryesore të vendit, dhe  përmes këtyre formave i realizuam me sukses synimet tona për regjistrimin e studentëve të rinj.

Në tri afatet e rregullta dhe një afat plotësues për regjistrimin e studentëve të rinj, kemi  plotësuar mbi 95 për qind e vendeve të parapara në konkurs, dhe këtë proces e kemi menaxhuar me sukses, dhe për herë të parë në Universitet rezultatet e  regjistrimit i kemi publikuar në kohën rekorde  dhe tashmë në auditorët e USHT-së këtë vit akademik janë ulur mbi 4.500 studentë të rinj, nga të cilët pjesa më e madhe studiojnë me kuotë shtetërore. Në fillim të semestrit dimëror, bashkë me Senatin e Universitetit, sollëm vendime të favorshme për studentët që kanë shënuar suksese në studimet e tyre, dhe në bazë të këtij vendimi: Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.5 e më lartë, janë liruar nga pagesa e participimit, respektivisht pagesa e semestrave; Studentët e studimeve deridiplomike me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.8 e më lartë, që i kanë kryer studimet, i kanë regjistruar pa pagesë studimet e ciklit të dytë, dhe Studentët e  studimeve deridiplomike, me mesatare 10.00, Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’u ndajë  bursa studimi jashtë shtetit dhe në të ardhmen do t’u mundësojë të jenë pjesë e stafit akademik të Universitetit tonë.

Me vendim të Senatit, mësonjëtoren e parë të UT-së, ku u mbajtën ligjëratat e para, e kemi  shpallur Muze të Universitetit; Po ashtu,  drejtuesit e universitetit, edhe në të ardhmen, për interesin e studentëve, do të shqyrtojmë mundësi të tjera në përputhje me statutin dhe rregulloren e punës së Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Gjatë vitit 2012, kemi vazhduar takimet intensive dhe angazhimet institucionale për  vazhdimin dhe krijimin e marrëveshjeve të reja për bashkëpunim me universitetet nga vendi, rajoni dhe ato ndërkombëtare.Në këtë drejtim, kemi marrë pjesë në Samitin botëror të Rektorëve që u mbajt në Universitetin e Oxsfordit, ku dhe Universiteti ynë është anëtarësuar, po ashtu kemi marrë pjesë në punimet e Konferencës së Magna Kartës në Bolonjë të Italisë; kemi zhvilluar një vizitë të suksesshme në Uashington dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane do të themelojmë Institutin Ballkanik për Paqe; kemi pritur në institucionin tonë dhjetëra delegacione nga vende të ndryshme, si: Republika e Shqipërisë, Turqisë, Austrisë, Francës, Anglisë, Kroacisë, dhe me universitetet e këtyre vendeve kemi ndërtuar marrëdhënie për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët” tha mes tjerash Ahmeti . /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button