Arifi do të bëjë çmos për të zbardhur rastin e dhunës ndaj gazetarëve

Do të bëj gjithë që është e mundur që të sqarohen rrethanat mbi ngjarjen e fundit në raport me sjelljen me përfaqësuesit e medias në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Kështu shprehet zëvendëskryeministrja për çështje evropiane duke komentuar vendimin e Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për të ndërprerë bisedimet me Qeverinë shkaku i dhunës që u krye nga ata, të hënën në seancën e Parlamentit ku u votua Buxheti për vitin 2013.

Ajo thekson se do të bëjë gjithë që është e mundur që të sqarohen rrethanat mbi ngjarjen e fundit në raport me sjelljen me përfaqësuesit e medias në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.  

Arifi këtë do ta bëjë sepse është drejtuese e një procesi që përmes përqafimit të vlerave dhe standardeve evropiane dhe sipas saj, synon të ndërtojë demokraci të qëndrueshme me respektin maksimal për lirinë e shprehjes si vlerë njerëzore dhe e drejtë kushtetuese.

“Liria e pa kufizuar e mediave është jetësore për një shoqëri të shëndoshë demokratike. Dialogu të cilin ne e filluam është jashtëzakonisht i rëndësishëm për proceset demokratike në vend. Media luan një rol vendimtar jo vetëm në raportim, por edhe i jep formë politikave dhe zhvillimeve në Evropë. Procesi i integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE ka nevojë për angazhimin e plotë të mediave në mënyrë që të jetë i suksesshëm” shprehet Teuta Arifi duke siguruar gazetarët se personalisht ajo dhe institucioni i saj janë përpjekur që lirinë e shprehjes dhe të mediave ta ngremë në piedestalin më të lartë, si një nga vlerat themelore të demokracisë.

“Prandaj konsideroj që vazhdimi i angazhimit tonë të përbashkët është I nevojshëm për tu përballur me sfidat dhe për të ndërtuar shtetin demokratik evropian ku mediat do të gëzonin pozitën e pushtetit të katërt shtetëror” përfundon Arifi.

Përpos që ndërpreu bisedimet SHGM madje ka parashtruar dhe padi penale për përgjegjësit e incidentit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button