fbpx

Vdekja e Ibrahim Sulejmanit, përsëri acaron BDI-në dhe PDSH-në

Përsëri rasti i vdekjes  në burg të Ibrahim Sulejmanit temë debati në seancën për pyetje deputetësh. Deputeti i PDSH-së Ziadin Sela pyeti sot Ministrin e Drejtësisë Blerim Bexheti pse Sulejmani nuk është liruar nga burgu pas interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, si dhe rezultatet e obduksionit në lidhje me shkaqet e vdekjes.

“Dua përgjigje cili është shkaku i vdekjes sipas ekspertëve dhe a do jepni dorëheqje apo nuk do të jepni dorëheqje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ju sugjeroj të jepni prej tash, prej këtij momenti. Duhej ta jepni po të kishit moral prej ditën që ndërroi jetë Ibrahim Sulejmani” – pyeti deputeti Sela.

Në këtë pyetje, me sqarim më të gjërë u përgjigj ministri, sipas të cilit, Sulejmani qëndronte në burg për vepra tjera dhe jo për konfliktin e vitit 2001.

“Rasti i Ibrahim Sulejmanit ishte një ndër rastet që bënte pjesë në interpretimin autentik të Ligjit për amnisti dhe që duhej të zgjidhet. I ndjeri Ibrahim Sulejmani përveç veprës që kishte për konfliktin e vitit 2001 ka pas edhe vepra tjera. Në procedurë gjyqësore nga vet i ndjeri është kërkuar bashkim i veprave që në rregullativën tonë juridike është e lejueshme dhe ka marrë një zbutje të dënimit asokohe. Por pas situasës kur pastroi shumë dilema interpretimi autentik, është bërë kërkesë konform ligjit që të ndahen veprat. Gjykata e shkallës së parë njëherë ka sjellur vendim për ndarjen e veprave, dhe ka pas ankesë në atë vendim të shkallës parë, nga ana e Gjykatës së Apelit i është pranuar pjesërisht ankesa dhe është rikthyer për rishqyrtim në shkallë të parë. Përsëri shkalla e parë pas rikthimit të lëndës ka sjellur vendim dhe përsëri me ankesë ka qenë në shkallë të dytë. Një ditë apo dy ditë para se të ndërron jetë i ndjeri ka pas seancë gjyqësore që për arsye ligjore ka ardhur përsëri deri te shtyrja, ku ka qenë prezent edhe vet i ndjeri Ibrahim Sulejmani” – tha Bexheti.

Deputeti i PDSH-së mohoi deklaratën e ministrit se Sulejmani ka qenë i dënuar për vepra tjera, ndërsa sa i përket bashkimit të veprave penale akuzoi drejtpërdrejtë bashkëshortin e zv/ministres për eurointegrime Teuta Arifi, avokatin Shpend Devaja, i cili ishte mbrojtës i Sulejmanit, se i ka ngritur kurth klientit të tij.

“I ndjeri ka qenë i dënuar vetëm për veprat e konfliktit të vitit 2001, dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit ai duhej të lihet i lirë dhe pastaj të shihen veprat tjera. Por siç duket, këtë që e thotë edhe familja, në lojë hyn i shoqi i Teuta Arifit, avokati, ndoshta ky e paska bindur të ndjerin që të bashkohen veprat dhe i përgatiti kurth” – tha Sela.

Ministri Bexheti gjithashtu bëri thirrje që vdekja e Ibrahim Sulejmanit si dhe cilado tragjedi tjetër të mos shfrytëzohet për përfitime politike.

“Ju kisha lutur ju të vazhdoni të bëni politikbërje dhe të bëni ofertë për qytetarët dhe të mos mundoheni të poentoni politikisht mbi tragjedi, sepse proces natyror është edhe lindja edhe vdekja” – deklaroi Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button