Liderët e Maqedonisë së Veriut mesazhe urimi për Kurban Bajramin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka uruar ushtruesin e detyrës kryetar i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, si dhe të gjithë qytetarët e besimit islam në vend me rastin e festës së Kurban Bajramit. Duke iu referuar situatës së shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), Pendarovski apeloi që me patjetër të tregohet unitet dhe mirëkuptim, duke shprehur shpresë se pikërisht me fuqinë e lutjeve dhe me dashuri do të tejkalohen të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohemi në plan personal dhe kolektiv, njofton Portalb.mk.

“Uroj kjo festë e madhe të na sjellë lumturi, gëzime, dashuri dhe bereqet, edhe si festë e dhurimit dhe solidaritetit ta na inspirojë që t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje materiale, por edhe shpirtërore. Bamirësia dhe altruizmi qofshin pjesë të jetëve tona jo vetëm për ditët e festave, por gjatë gjithë vitit Në përputhje me traditat për respektimin dhe nderim të ndërsjellë, të kujdesemi dhe të ndihmojmë pa kushte të gjithë bashkëqytetarët tanë duke mos marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe ideologjike. Të vazhdojmë ta ndërtojmë dhe ta ruajmë shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi po ashtu, duke ua uruar festën besimtarëve mysliman, porositi që këtë vit, festa të kalohet në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore, që ti ndihmojmë vetes dhe sistemit tonë shëndetësor

“Kjo është festë e cila në vete e bart mesazhin e solidaritetit, afërsisë dhe bashkëndjesisë ndaj të gjithë njerëzve, të afërm apo të largët, fqinjë apo familje, të njohur apo të njohur të rastësishëm. Festë në të cilën ndahet fjala edhe mendimi i bukur, edhe begatitë e tryezës, edhe respekti dhe falja. Jemi mësuar që festën ta kalojmë të rrethuar me zhurmë të hareshme dhe përqafime të ngrohta, buzëqeshje të sinqerta.  Për fat të keq, pothuajse prej fillimit të këtij viti jemi të detyruar ti ndryshojmë shprehitë tona të përditshme të funksionimit dhe gjithsesi, te festimit. Pandemia me Kovid – 19 është këtu dhe si duket do të zgjasë. Ne, dhe natyrisht gjithë bota, mësojmë mënyra të reja të jetës dhe punës. Përveç kësaj, në rast se deri tani nuk mësuam, tani mësojmë për vetëdijen dhe ndërgjegjen kolektive, për atë se sa me rëndësi është që çdo individ të mbajë llogari për veprimet e veta, që të njëjtat mos reflektojnë negativisht mbi familjet tona të afërme dhe mbi gjithë të tjerët”, porositi Xhaferi.

Ndërkohë, kryeministri teknik, Oliver Spasovski, tha se porositë e mirëqenies që i përcjellë kjo festë thirrin në një shoqëri për mundësi të barabartë në të cilën dallimet kulturore, etnike dhe fetare janë begati dhe vlerë unike e paçmueshme.

“Në traditën shekullore të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të vendit tonë, më lejon që në këto ditë feste  t’ju uroj shumë gëzim, paqe shpirtërore dhe ngrohtësi në shtëpitë e të gjithë pjesëtarë të besimit islam”, ka shkruar Spasovski.

Urime për festën e Kurban Bajramit kanë dërguar edhe liderët e partive politike.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në urimin e tij ka shkruar se, festën e sivjetme të sakrificës së Kurban Bajramit po e shënojmë në kushte të veçanta të kujdesit për shëndetin publik, andaj dhe ju lus shumë që ti përmbahemi rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore dhe fetare.

“Uroj që festa t’ju gjejë në shëndet të mirë të gjithë juve dhe familjeve tuaja si dhe t’ju sjellë mbarësi e gëzime për juve, për kombin dhe për vendin”, porositi Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët. Ziadin Sela, uroi besimtarët duke bërë thirrje për mirësi, solidaritet, mirëkuptim, paqe, lumturi, begati , mirëqenie, atmosferë hareje dhe gëzimi në familje.

“Festa e Kurban Bajramit le të shërbejë si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona! Situata që kemi në vend me pandeminë COVID -19, na obligon edhe gjatë këtyre ditëve festive, tu përmbahemi protokolleve shëndetësore”, ka thënë Sela.

Ndërkohë, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se Kurban Bajrami vjen përmes madhështisë së kurbanit si simbol i sakrificës dhe gatishmërisë për të sakrifikuar gjërat më të dashura në jetë për hirë të një ideali të lartë.

“E duke u gjendur në këtë festë të kujtimit të sakrificës, si dhe duke jua uruar Bajramin e Kurbanit, uroj që këtë festë ta kaloni pranë familjeve tuaja, pranë të dashurve tuaj dhe duke i kujtuar ata që, përveç lëmoshës, kanë nevojë edhe përbuzëqeshjen tonë festive”, porositi Gashi nëpërmjet një video – mesazhi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button