Hoti vizitë në BIK: Të falemi me zemër duke uruar që sa më shpejt ta tejkalojmë këtë situatë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) këtë vit nuk do të shënohet si tradicionalisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një njoftim të qeverisë, me këtë rast, kryeministri Hoti ka falënderuar myftiun Naim Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për mesazhet e qarta që vazhdimisht i ka dhënë, duke punuar me qeverinë tash e gjashtë muaj për menaxhimin e situatës.

Hoti e ka falënderuar myftiun në veçanti për mesazhin e sotëm për të gjithë besimtarët, që ta respektojnë edhe vendimin e qeverisë, edhe kërkesën e Bashkësisë Islame.

“Është tepër me rëndësi ky bashkëpunim që kemi, sepse vetëm duke i bashkërenditur aktivitetet tona, ne mund të kemi sukses në luftimin e kësaj pandemie që nuk është vetëm te ne, por në nivel global”, ka thënë kryeministri kosovar.

Po ashtu, Hoti ka shtuar se “nesër do t’i bëjmë lutjet tona, por do të falemi me zemër nëpër shtëpitë tona, me të dashurit tanë, duke uruar që sa më shpejt ta tejkalojmë këtë situatë dhe të kthehemi në ceremonitë dhe lutjet tona të zakonshme”.

Nga ana tjetër, duke uruar besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, Naim Tërnava ka deklaruar se “ndonëse nuk do të ketë falje të namazit të Bajramit, kërkoj nga të gjithë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, të mos shkojnë për vizita te njëri-tjetri dhe t’i respektojnë masat, rekomandimet dhe këshillat e dala nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK-ja, nga Bashkësia Islame dhe të gjitha institucionet”.

Ndryshe, më herët sot, myftiu Tërnava njoftoi se nesër nuk do të ketë falje të namazit të Bajramit në xhamitë e Kosovës për shkak të situatës epidemiologjike.

Tërnava deklaroi se përveç anulimit të faljes së Bajramit, është anuluar edhe falja e namazeve të tjera në të gjitha xhamitë në Kosovë për dhjetë ditët e ardhshme. Ai tha se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e mori këtë vendim me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button