COVID-19, KE nënshkruan marrëveshjen e huasë për asistencë 100 milionë euro me Kosovën

Komisioni Evropian nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Kosovën, i cili siguron një kredi prej 100 milionë eurosh në kuadër të ndihmës makro-financiare me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, me këtë marrëveshje hapet rruga për disbursimin e parë prej 50 milionë eurosh si asistencë makro financiare (AMF), ndërsa kësti i dytë prej 50 milionë eurosh mund të disbursohet më vonë këtë vit ose në fillim të vitit 2021.

Sipas njoftimit, fondet e AMF-së do të vihen në dispozicion në formë të kredive afatgjata me kushte mjaft të volitshme. Fondet do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik, në mënyrë që burimet financiare të qeverisë të mund të ndahen për të lehtësuar pasojat e rënda socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

Nataliya Apostolova, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë e ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes dhe i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që me shpejtësi të vazhdojë me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të financimit, në mënyrë që të mos të vonohet procesi i disbursimit të përkrahjes financiare.

Me Memorandum të Mirëkuptimit janë dakorduar nëntë kushte të politikave të cilat e mbështesin programin. Ato përfshijnë masat që lidhen me forcimin e financave publike dhe stabilitetin financiar, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërkaq, Ministria e Financave e Kosovës njoftoi se kjo marrëveshje është arritur si rezultat i hapjes së mundësisë së përfitimit nga skema e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndihma makro-financiare ofrohet së bashku me ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në prill të vitit 2020 aprovoi një instrument të shpejtë të financimit për Kosovën në vlerë prej 51,6 milionë eurosh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button